Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se ka marrë vendim për zbritjen e çmimeve të terminimit të thirrjeve me shumicë ndërmjet operatorëve të telefonisë mobile sipas modelit të përshkallëzuar të bazuar në formulën e efikasitetit krahasues të vendeve të Bashkimit Evropian.
Bazuar në modelin e miratuar, çmimet e terminimit të thirrjeve mobile (MTR), pra çmimet, të cilat operatorët i paguajnë njëri–tjetrit do të ulen ndjeshëm, përkatësisht tarifa e deritashme prej 2.3 euro cent nga data 1 janar zvogëlohet në 1.74 euro cent/min ose mbi 24 për qind.
“Modeli parasheh 4 faza të zvogëlimit të çmimeve në baza 6 mujore, ku nga korriku i vitit 2017 do të kemi një zbritje prej 13% për secilën fazë, përkatësisht 1.515 euro cent/min, pastaj më 1 janar 2018 1.318 euro cent/min dhe më datë 1 korrik 2018 1.146 euro cent/min”, thuhet në një komunikatë të ARKEP.
Qëllimi kryesor i analizës së tregut dhe vendosjes së detyrimeve rregullatore për operatorët e telefonisë mobile është sigurimi i konkurrencës efektive në treg.
“Po ashtu zvogëlimi i çmimeve në mes operatorëve është një parakusht i rëndësishëm që do të nxitë operatorët në zbritjen e mëtutjeshme të çmimeve për thirrjet me pakicë, përkatësisht krijimin e pakove më të lira për konsumatorët dhe kualitet më i mirë i shërbimit në përgjithësi”, thuhet në njoftim.
ARKEP gjithashtu njofton qytetarët se me ndarjen e kodit shtetëror të telefonisë +383 për Republikën e Kosovës nga ITU, janë krijuar kushtet për marrjen e masave të mëtutjeshme rregullative me qëllim të, zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit, mbrojtjes së konkurrencës në nivel të shërbimeve dhe zvogëlimit të çmimeve të përdorimit të telefonisë për qytetarët e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.