Rikthim në të ardhmen
Gjenerata e tretë e sportives së famshme gjermane është më e lehtë, e fuqishme dhe e shkathët se versioni paraardhës.Gjithashtu është e pajisur me një kuadër instrumentesh të ri, krejtësisht dixhital
Modeli i parë i vitit 1998, revolucionarizoi botën e modeleve coupé sportive, falë formavetë rrumbullakëta,që dukeshin si të vizatuara me kompas, mungesësthuajse totale të linjave të tendosura dhe përdorimittë gjerë të aluminit. Me mbërritjen e gjeneratëssë tretë, projektuesit e Audi kanë marrë shumë nga idetë e asaj kohe dhe i kanë interpretuar me një frymë të re, duke sjellë në jetë forma më moderne dhe dinamike. Me njëgjatësi të përgjithshme prej 4.18 metra dhe një lartësi prej vetëm 1.35 metra, që ruhet e pandryshuar, sportivja gjermane ruan ende përmasat kompakte; vetëm hapi është rritur me 37 mm, duke arritur në 2.5 metra, e gjitha kjo në favor të hapësirës brenda kabinës. Në pjesën e përparme mbizotërojnë linjat horizontale, ndërsa grila klasike njëpjesëshe e Audi, e ndarë në dy pjesë nga një linjë e theksuar, rezulton më e gjerë. Por risia e vërtetë përfaqësohet nga fenerët e rinj xenon plus, të pranishëm në seri, të cilët i dhurojnë pjesës së përparme të modelit të ri TT një pamje të re, më të mprehtë dhe sportive. Si opsion shtesë ofrohen edhe fenerët e rinj Audi Matrix LED, në të cilët dritat verbuese përbëhen nga dymbëdhjetë dioda ndriçuese.Profili anësor i makinës frymëzohet tek gjeneratae parë, njësoj si parafangot muskulozë dhe dritaret e vogla.
Ashtu si në modelin paraardhës, me arritjen e shpejtësisë 120 km/h, nga bagazhi shfaqet bishti i vogël, i cili përmirëson ngarkesën aerodinamike. Arredimi i kabinës është mjaft novator, ku spikat Audi Virtual Cockpit, kuadri i ri i instrumenteve tërësisht dixhital, me një ekran të gjerë dhe të qartë TFT prej 12.3″. Risia e dytë është integrimi i komandave të klimatizatorit në vetë difuzorët e ajrit. Megjithatë, mbetet i pandryshuar konfigurimi i kabinës 2+2 vende, ndërsa hapësira e ngarkesës është pak më e madhe, duke shënuar një kapacitet prej 305 litrash (+13 litra). Falë përdorimit të gjerë të aluminit, Audi TT e re me motor 2.0 TFSI peshon 1.230 kg, ose 50 kg më pak se paraardhësja.
Nga 184 deri 310 kf
Audi TT e re do të jetë e disponueshme me një motor 2.0 TDI me kambio manuale dhe traksion në rrotat e para, me një fuqi maksimale prej 184 kf dhe moment përdredhës maksimal prej 38.2 kgm. Ky version kalon nga 0 në 100 km/h në rreth 7.2 sekonda, duke arritur një shpejtësi maksimale prej 235 km/h. Motori me benzinë 2.0 TFSI është i disponueshëm në dy nivele fuqie: 230 kf për TT dhe 310 kf për modelin pak më sportiv TTS. Versioni i parë, me kambio manualeme gjashtë marshe dhe traksion në rrotat e para, kalon nga 0-100 km/h në 6 sekonda dhe mund të arrijë deri në250 km/h.
Versioni me kambio me dopio friksion S tronic me gjashtë raporte dhe traksion integral quattro është më i gjallë: 5.3 sekonda për të arritur 100 km/h dhe shpejtësi maksimale prej 250 km/h. Versioni me performanca më të larta TTS, me kambio manuale me gjashtë marshe përshpejton nga 0 në 100 km/h për 4.7 sekonda, ndërsa shpejtësia është e kufizuarnë mënyrë elektronike në 250 km/h.
Ekstreme
Audi TT Quattro Sport Concept
Modeli i ri TT i prezantuar në Gjenevë shoqërohet edhe nga një variant Racing, i pajisur me një motor 2.0 TFSI prej 420 kf, me një fuqi specifike prej 210 kf/litër, më të lartë se R18 e vitit 2001, fituese në garën 24 orëshe tëLe Mans. Ka një peshë prej 1.344 kilogramë dhe një përshpejtim nga 0-100 km/h për 3.7 sekonda. Ndër elementët më sportivë dallohen disqet 20″dhe bishti i madhe i montuar mbi bagazh.
Diçitura:
Matrix LED për TTS
Fenerët e rinj me teknologji Matrix LED përbëhen nga dymbëdhjetë dioda ndriçuese. Indikatorët e drejtimit janë gjithashtu të rinj. Tek versioni më i fuqishëm TTS gjejmë në seri katër marmitat në pjesën e pasme dhe disqet 19″
Difuzorë revolucionarë
Timoni multifunksional i TTS, me pjesën e poshtme të koronës të sheshtë, integron komandat audio/telefon dhe cruise control. Ndezja e motorit 2.0 TFSI prej 310 kf bëhet nëpërmjet një butoni. Një risi absolute është integrimi i komandave të klimatizatorit në difuzorët e ajrit. Në pjesën qendrore, disa ekrane të vegjël tregojnë funksionet e zgjedhura
Ekran dixhital
Në foton pranë, kuadri i instrumenteve: tek modeli i ri TT kuadri është tërësisht dixhital.Sistemi përdor një ekran të madh qendror TFT prej 12.3″, me një rezolucion prej 1.440×540 pixel. Ekrani ka dy variante paraqitjeje: standard, me takimetër dhe xhiromatësnë plan të parë, dhe në modalitetin Infotainment,ku instrumentet virtuale shfaqen në plan të dytë. Hapësira kryesore mbetet e lirë dhe i dedikohet funksioneve të tjera, siç mund të jetë harta e navigatorit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.