Kroacia duhet të vazhdojë me realizimin e reformave të ndryshme,në mënyrë që të ndryshojë strukturën e ekonomisë së saj dhe për të shmangur rrezikun e një rritje të ulët dhe duke mbetur prapa vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian, argumentoi një zyrtare e Bankës Botërore.
Elisabetta Capannelli, menaxherja e Bankës Botërore për Kroacinë, e mirëpriti ambicien e Kroacisë për të përshtatur euron, por paralajmëroi se rrugëtimi që i priste përpara nuk do të ishte i lehtë. Kroacia është një vend që ka përparuar shumë dhe duke qenë pjesë e Eurozonës, kjo lëvizje do të ishte e dobishme, por jo para se ekonomia e vendit të bëhet e qëndrueshme duke zbatuar reformat e guximshme, tha më tej për Reuters, znj. Capannelli.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, njoftoi në fund të tetorit qëllimin për të futur euron si monedhë brenda 7-8 viteve në një vend ku shumica e kredive dhe depozitave janë të shprehura në monedhën e përbashkët.
Capannelli tha se lëvizja reformatore e Kroacisë ka filluar që në momentin kur vendi u bë pjesë e BE-së në vitin 2013, por shumë prej kësaj kohe është çuar dëm. Kroacia është e varur nga turizmi dhe ka një sektor publik të madh dhe ç’është më e keqja, ai është joefikas. Sektori privat është i vogël, aspak dinamik. Reformat janë gjithashtu të nevojshme për të pasur perspektiva më të mira të rritjes, tha ajo më tej.
Banka Botërore është një lojtar kyç ndërkombëtar në Kroaci, duke ofruar ndihmën e saj në forcimin e ekonomisë së këtij vendi. Gjatë një vizite në Jug të Kroacisë, z. Plenkoviç pranoi se ishte e nevojshme të punohet më shumë në kuadër të rritjes së produktivitetit dhe reformave strukturore. “Është e rëndësishme që ne të bëjmë dhe të jemi pjesë e një grupi të madh, e cila do të na çojë përpara në 2018, tha ai më tej.
Ekonomia e Kroacisë ka shënuar rritje me rreth 3% këtë vit, e cila është më poshtë se shumica e kolegëve të saj në Europën Qendrore dhe Lindore. Shumë analistë paralajmërojnë se perspektivat afatgjata të rritjes së vendit vështirë se do tëkalojnë 2%, një shifër tepër e ulët për të trajtuar me efikasitet problemin e borxhit të tij.
Borxhi publik i Kroacisë është pak mbi 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe qeveria dëshiron ta zvogëlojë atë nën 70% deri në vitin 2020.
Sektori privat është ende i ngarkuar nga taksat e larta dhe ngarkesat fiskale të ndryshme. Ka shumë paqartësi në mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor, produktiviteti i punës është mjaft i ulët, si dhe duhet të trajtohen në mënyrë emergjente sistemet shëndetësore dhe pensionet. Të gjitha këto ndryshime duhet të vijnë njëra pas tjetrës, sepse zhvillimi i vetëm i disa prej tyre nuk do të ishte aspak efikas, tha më tej znj. Capannelli.
Ajo tha se shifrat treguan performancë të mirë fiskale në dy vitet e fundit, por përpjekjet në frontin fiskal ende nuk kishin reagime të mëdha në anën e shpenzimeve. “Në dy vitet e fundit, Kroacia arriti të reduktojë deficitin buxhetor në 0.6% të PBB-së nga më shumë se 5%, por kryesisht si pasojë e të ardhurave të përmirësuara.
Znj. Capannelli përshëndeti premtimin e qeverisë për ta shndërruar 2018-n në vitin e realizimit të shumë reformave ekonomike.
“Ka ndërgjegjësim midis politikanëve kryesorë në lidhje me atë që duhet bërë. Pyetja është se kush dhe kur do ta hedhë hapin i pari”, përfundoi ajo.