Financimi i investimeve me prioritet të lartë dhe mbështetje direkte për buxhetin janë dy aktivitetet me të cilat Banka Botërore synon të ndihmojë Shqipërinë në nxitjen e ekonomisë. Jepen detajet e para për huanë për mbështetje buxhetore
Z. Piero Cipollone, Drejtor Ekzekutiv i Bankes ishte në Shqipëri ditët e fundit, ku qëllimi kryesor i vizitës ishte të dëgjonte nga qeveria e Shqipërisë se cili duhet të jetë roli i Bankës Botërore, si një institucion zhvillimor.
Në një konferencë për shtyp, pas këtyre takimeve, z. Cipollone tha se Shqipëria e sheh Bankën Botërore si një partner të besueshëm në punën e saj për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
“Me kryeministrin folëm për përparësitë që ka qeveria për zhvillimin e Shqipërisë dhe si mund ta ndihmojë Banka Botërore Shqipërinë në këtë fazë, jo vetëm në anën financiare, por edhe përvojës që ka banka”, tha ai.
Shumë nga sfidat zhvillimore me të cilat përballet Shqipëria në këto moment, janë të njëjta me shumë vende të tjera me të ardhura të mesme., tha Cipollone. “Banka ka përvojën e duhur dhe për gjetjen e zgjidhjeve për Shqipërinë.”
Lidhur me negociatat për një kredi të mundshme nga Banka Botërore, z.Cipollone tha se Banka është e përgatitur të ndihmojë qeverinë për të shlyer borxhet ndaj bizneseve.
Zj.Ellen Goldstein, Drejtorja Rajonale per Evropen Juglindore në Bankën Botërore tha se, që kur qeveria erdhi në pushtet, kemi dhënë mesazhe të vazhdueshme në lidhje me ato që mendojmë se janë sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Një nga mesazhet e para është të bëjë atë që duhet bërë për të parandaluar krizën. “Nuk kemi krizë por disa pika të dobëta të lidhura me energjinë dhe sektorin financiar. Rekomandimi i dytë ishte përmirësimi i klimës së biznesi. E treta, e kemi vënë theksin në nevojën për të krijuar hapësirë fiskale që të përmirësohet mënyra e administrimit të shpenzimeve publike. Së fundi është nevoja për të mbrojtur pasurinë e madhe natyrore që ka Shqipëria.”, tha zj.Goldstein
Lidhur me borxhin, ka kohë që e dimë që ai po shkon në nivele shqetësuese, tha ajo. Kjo në fakt është një tendencë që po ndodh në të gjithë Europën, kur vendet përdorin shpenzimet për të nxitur rritjen. Por duke pasur parasysh nivelin e të ardhurave, qeveria duhet bëjë me kujdes, këshilloi Goldstein. Ajo tha se konstatojmë me kënaqësi që ka interes për të iventarizuar detyrimet e pashlyera. Kjo do të çojë pa dyshim në rritjen e nivelit të borxhit. “Po diskutojmë me qeverinë dhe FMN për të gjetur një kuadër afatmesëm për të stabilizuar nivelin e borxit publik, duke realizuar në të njëjtën kohë dhe detyrimet e tjera të qeverisë.”
Banka Botërore ka një portofol, investimesh në Shqipëri, por po diskuton dhe për opsione të tjera, shtoi përfaqësuesja e Bankës Botërore. Ka dy lloje aktivitetesh, ku po planifikohet ndërhyrja, tha ajo. Njëra është të mbështesim disa investime të përparësisë së lartë, në energji dhe furnizimin me ujë dhe një prej tyre do negociohet shpejt
Lloji i dytë i ndërhyrjes është të mbështesim direkt buxhetin që lidhen me reformat për stabilizimin makrofiskal. “Po diskutojmë për programin që qeveria ka ndërment të realizojë. Shpresojmë që deri në pranverë të jemi në gjendje të ofrojmë këtë lloj mbështetje,” tha Geldstein.
Lidhur me huanë për qeverinë, ajo tha se ka disa hua që po diskutohen me qeverinë, ndër të tjera dhe huaja për mbëhshtetjen buxhetore, që do të lidhet me një program të reformave financiare dhe fiskale. Ndërkohë po bëhet një analizë financiare, dhe është herët për të folur për hollësitë. Madhësia e huasë do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar hendekun fiskal, tha ajo. Pasi të bihet dakord për parametrat e buxhetit do të mbetet një pjesë e deficitit që do të mbulohet nga burime të shumëfishta, ku do të ndërhyjë dhe Banka Botërore.
Z. Cipollone tha se niveli i kredive me probleme është shqetësues. Këtu ka dy elemente.E para janë borxhet e pashlyera të qeverisë nga biznesi, problem që i duhet gjetur zgjidhje. Në anën tjetër kemi problemin e ekzekutimit të kolateralit. Ky është një problem afatgjatë, për mënyrën se si funksionon tregu dhe si ekzekutohet kolaterali.
Lidhur me uljen e taksave zj.Goldstein tha se ka disa elemente të rëndësishëm: Njëra është të sigurohet që çdo masë që merren të jetë të paktën neutrale në efektin në buxhet. Së dyti mund të jetë e dobishme të rritej progresiviteti i sistemit të taksave, me qëllim që ata që kanë më shumë të ardhura të paguajnë më shumë. Së treti duhet të luftohet evazioni fiskal dhe të zgjerohet baza e tatimpaguesve. Së fundmi është e rëndësishme të sigurohen skemat e mbrojtjes sociale të të varfërve.
Ajo shtoi se Banka Botërore nuk ka rekomanduar për ndonjë sistem taksor në Shqipëri, por i “kemi vënë të dukje qeverisë anët e mira dhe negative për sistemet më pak apo më shumë progresive”. Aktualisht sistemi i taksave të Shqipërisë është i sheshtë. “Nëse qeveria do të ishte dakord, Shqipëria është në gjendje të fusë një element progresiviteti në sheshtësinë e taksave”, përfundoi Goldstein.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.