Në T I 2013, rritja në investimet e letrave me vlerë të qeverisë ishte 100 milionë euro, ajo e kredisë për ekonominë vetëm 2.6 milionë euro…
Teksa pjesa më e madhe e bankave u tërhoqën nga kreditimi në muajt e parë të vitit 2013, ato nuk e kanë lënë pas dore qeverinë, duke qenë mjaft aktive në blerjen e letrave me vlerë. Vendosjet në letrat me vlerë të qeverisë nga bankat u rritën me 4% në fund të marsit 2013 (apo 14 miliardë lekë), në raport me dhjetorin 2012, ndryshe nga kredia për ekonominë, që u rrit me 0.1% (apo rreth 365 milionë lekë) për të njëjtën periudhë.
Sipas të dhënave të detajuara nga Shoqata e Bankave për tremujorin e parë 2013, bankat që kanë ulur apo nuk kanë rritur portofolet e huadhënies i kanë investuar paratë e lira kryesisht në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë. Kërkesa e lartë e bankave ka çuar dhe në një ulje të yield-it (interesave), të bonove të tjesarit, që në ankandin e javës së kaluar zbritën në nivele minimale historike prek 5.9% (bonot me maturim një vjeçar).
Tendenca është e ndryshme nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kur bankat u tërhoqën nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë, duke çuar në rritjen e interesave të bonove, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.
Banka që ka rritur më shumë portofolin e letrave me vlerë, me rreth 8% (apo gati 7 miliardë lekë) në raport me fundin e 2012-s, është BKT, që nga ana tjetër, ka kredituar shumë pak ekonominë. Të njëjtën tendencë ka ndjekur edhe Credins, me rritje 24% (1 miliardë lekë) të portofolit të investimeve në letrat me vlerë.
Rritje të ndjeshme kanë shënuar dhe Alpha bank, Intesa San Paolo, Raiffeisen, Societe Generale, Union Bank, NBG.
Nga ana tjetër, bankat nuk kanë rritur, madje disa kanë ulur vendosjet e parave jashtë vendit, ku bie në sy Raiffeisen që nuk e ka rritur këtë zë, ndryshe nga pjesa më e madhe e vitit të kaluar, kur kjo bankë ndërpreu kreditimin në ekonomi dhe blerjen e letrave me vlerë të qeverisë dhe i vendosi paratë jashtë vendit.
Burimi: Shoqata Bankave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.