Pikërisht kur bankat spanjolle menduan se më e keqja kishte kaluar, huadhënësit po i përgjigjen një tjetër sulmi në të ardhurat e tyre teksa normat referencë të kredive hipotekore po vërtiten drejt zeros.
Spanja ka një prej shumave më të larta të kredive të Evropës pagesat e të cilave rriten dhe bien me treguesin referencë Euribor, i cili ka rënë për 12 muaj rresht, në 0.16 për qind. Banco Sabadell SA po përfshin një klauzolë në kreditë e reja për të ndaluar rëniet e mëtejshme në pagesat e interesit nëse Euribor bie në negativ. CaixaBank SA tha se kontratat e tij tashmë e lejojnë bankën ta mbajë terguesin referencë në zero për pagesat ndaj kredive ekzistuese.
Ndërsa kanë kaluar tre vjet që nga shpëtimi i industrisë financiare të Spanjës, bankat po përballen me ‘tkurrje’ të profitabilitetit për kreditë për shkak të programit të blerjes së obligacioneve të Bankës Qendrore Evropiane, likuiditeti i së cilës ndihmoi në rënien e normave të Euribor. Banco Santander SA dhe Banco Bilbao Vizcaya Argentaria SA, bankat më të mëdha të Spanjës, njoftuan një rënie në të ardhurat e interesit neto nga njësitë e tyre spanjolle gjatë tremujorit të parë.