Bartomeu njofton rinovimin e kontratës së Messi-t me Barcelonën deri më 2021

05/09/2017 4:25 PM 0 komente

Rinovimi Messi – Barcelona – “Marrëveshja është arritur dhe gjithçka është firmosur. Janë tre kontrata.

E para, ajo me Fondacionin Messi, që është firmosur nga presidenti dhe vëllai i lojtarit. Kontrata e dytë lidhet me imazhin, e firmosur nga i ati i lojtarit i cili administron gjërat e tij. Në fund është kontrata e punës, që është firmosur edhe një herë nga i ati i Messi-t i cili ka të drejtën e firmës”.

Kështu, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, në një intervistë për Diario Sport, qetësoi tifozët blaugrana me rinovimin e kontratës së yllit argjentinas. Rinovimi u vu disi në dyshim pas ofertës së Manchester City-t.

Rinovimi i Messi – Barcelona, shifrat e marrëveshjes

Sipas zërave që qarkulluan gjatë kësaj vere, Messi do të fitojë rreth 35 – 40 milionë euro në sezon, me një klauzolë që është rritur nga 250 në 300 milionë euro nga klubi blaugrana. Për të mos rritur më tej raportin mes të ardhurave të përgjithshme të klubit dhe tavanit të pagave vjetore (duke respektuar limitin prej 70%), Messi mund të marrë menjëherë si shpërblim pas hedhjes së firmës 50 milionë euro, të cilat argjentinasi do t’i përfitojë gjatë katër viteve të ardhshme.

Ky është rinovimi i tetë i Messi-t me klubin e Barcelonës. Rinovimi i parë ishte në qershor të 2005-s kur Pleshti ishte 18 vjeç, me afat deri në vitin 2010, – kontrata e parë e lojtarit me skuadrën e të rriturve. Kontrata u rinovua menjëherë, pasi në shtator 2005, presidenti Laporta vendosi të rrisë pagën e lojtarit.

Rinovimi i tretë ndodhi dy vjet më pas, në vitin 2007, me kohëzgjatje deri në vitin 2014. Këtë vit shënohet edhe klauzola e parë e rëndësishme, 150 milionë euro. Pas lamtumirës së Ronaldinho-s, klubi vendosi të mbështetej plotësisht tek ylli argjentinas, duke ia rinovuar sërish kontratën në vitin 2008.

Gjatë sezonit 2008/09 erdhi rinovimi i pestë, me skadencë deri në vitin 2016, me klauzolë 250 milionë euro. Nga viti 2009 e gjer sot janë bërë edhe dy rinovime të tjera, që lidhen vetëm me ndryshimin e kushteve të kontratës, në vitin 2012 dhe në 2014-n.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz