Të dhënat skandaloze të CEZ: Në 2012-n, shpenzimet ishin sa dyfishi i të ardhurave. Shpenzimet për blerje energjie dhe dhe shpenzimet e tjera (gjoba e penalitete, krijimi dhe kthimi i provigjionimeve dhe krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme) fundosën kompaninë….
Kompania e shpërndarjes CEZ ka publikuar bilancin e saj vjetor për vitin 2013. Të dhënat e bilancit flasin për një aktivitet të përkeqësuar të kompanisë, sidomos në vitin 2012, që përkon me vitin e fundit që kompania ishte në administrim të grupit [ek CEZ. Nga të dhënat rezulton që në dy vite (2012-2013), kompania ka rezultuar me një humbje kolosale prej 450 milionë euro, nga 540 milionë euro të ardhura që ka arritur të sigurojë në periudha përkatëse (2012+2013).
Burimi: Bilanci CEZ
2012, humbjet sa të ardhurat
Sipas bilancit, të ardhurat e kompanisë në vitin 2012 ishin 37.8 miliardë lekë, apo 269.8 milionë euro. Ndërkohë, shpenzimet ishin dyfish më të larta, ku zëri kryesor është ai i blerjes së energjisë me 285 milionë euro (pak më i lartë se të ardhurat që kompania arrin të mbledhë gjithë vitin) dhe shpenzime të tjera prej 165.5 milionë euro, ku përfshihen gjoba e penalitete, krijimi dhe kthimi i provigjionimeve dhe krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme.
Shpenzimete tjera administrative (ku përfshihet dhe tarifa e transmetimit) ishin më të ulëta në 88 milionë euro.
Si rrjedhojë e këtyre dy zërave të lartë (blerje energjia dhe shpenzime të tjera), shpenzimet në total për vitin 2012 arritën në 539 milionë euro, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje kolosale prej 269 milionë eurosh, po aq sa janë dhe të ardhurat.
2013, humbjet në rrjet i kushtojnë kompanisë 67 milionë euro
Në vitin 2013, që përkon me periudhën, kur kompania u mor në administrim nga qeveria shqiptare, performanca e kompanisë u përmirësua disi, duke u ulur disa zëra të shpenzimeve, ndërkohë që të ardhurat ishin po njësoj.
Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat në vitin 2013 ishin 269.3 milionë euro, të barabarta me një vit më parë.
Shpenzimet për blerje energjie ishin 214 milionë euro, 25% më pak se një vit më parë.
Shpenzimet e tjera (gjoba e penalitete, krijimi dhe kthimi i provigjionimeve dhe krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme) u reduktuar më pak, me 4.6%, në 158 milionë euro, ku peshën kryesore e zinte zëri “krijimi i zbritjeve për llogaritë e arkëtueshme”, me që nënkupton paratë që kompania nuk arrin t’i arkëtojë nga klientët (humbjet e energjisë).
Shpenzimet e tjera administrative u ulën me 6.2%, në 82.3 milionë euro.
Si rrjedhojë kompania rezultoi me një humbje prej 185.7 milionë euro në 2013-n.
Raporti i audituesve të pavarur: Nuk pranojmë të japim opinion për bilancin e CEZKompania audituese e bilancit të CEZ, BDO Albania, ka refuzuar të japë koment për bilancin e CEZ, duke pohuar në raportin e saj: “Pasqyrat financiare janë përgatitur duke supozuar se Shoqëria do të vazhdojë në vijimësi. Siç është diskutuar në shënimin 4.2 të pasqyrave financiare, humbjet e mëdha që ka pësuar shoqëria në vite dhe deficiti i ndjeshëm në kapitalin neto konfirmojnë situatën e vështirë financiare të saj dhe faktin pse shoqëria është vendosur nën administrim të përkohshëm nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Pasqyrat financiare të shoqërisë për vitin që mbyllet më 31 dhjetor 2013 raportojnë një humbje neto prej 27,026,730 mijë Lek dhe një kapital negativ prej 66, 737,870 mijë lek. Shoqëria nuk ka përgatitur një vlerësim të hollësishëm të vijimësisë, edhe pse pasqyrat financiare janë përgatitur në një bazë te tillë. Ne nuk mundëm të krijojmë një bindje të kënaqshme në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi dhe ishin në pamundësi të kryenim ndonjë procedurë shtesë alternative auditimi. Rrjedhimisht, ekzistenca e pasigurtë në lidhje me vijimësinë mund të çojë në ndryshime të vlerësimeve financiare që mund të impaktohen materialisht pasqyrat financiare”.