Nobel-i 2016 për Letërsinë i jepet këngëtarit dhe tekst-shkruesit Bob Dilan, për “krijimin e shprehjeve të reja poetike në traditën amerikane të muzikës”.
Dilan (Robert Allen Zimmerman) i lindur në 24 maj të vitit 1941, në Duluth, Minesota, e nisi karrierën muzikore në vitin 1959, në baret e vendlindjes së tij, në Minesota.
Këngë si “Blowin’ in the Wind” dhe “The Times They are A-Changin’” janë bërë himne kundër luftës dhe lëvizjes për të drejtat e njeriut.
Sekretarja e Përgjithshme e Komitetit të Nobel-it, Sara Danius, tha se Dilan, 75 vjeç, “është një poet i madh në traditën amerikane”. Ajo e krahasoi punën e tij me shkrimtarët e Greqisë së lashtë, Homerin dhe Safon.
“Nëse shkoni pas në kohë, 2500 vjet më parë, Homeri dhe Safo, shkruan tekste poetike të destinuar për t’u dëgjuar, të shoqëruar me instrumente muzikore – e njëjta gjë ndodh sot me Bob Dilan” – tha Danius.
Për ata që nuk e njohin veprën e Bob Dilan, Danius rekomandoi albumin e vitit 1966, “Blonde on Blonde” duke thënë se përmban “shumë shembuj të mënyrës së tij brilante të rimës”.
Çmimi është sigurisht i papritur për shumë njerëz.
Një artikull i publikuar në “New Republic” më 6 tetor, mbante titullin: “Kush do ta fitojë Çmimin Nobel 2016 për Letërsinë? Sigurisht, jo Bob Dilan”
Favoritët për Çmimin Nobel 2016 ishin shkrimtari japonez, Haruki Murakami; novelisti amerikan Philip Roth dhe shkrimtari nga Kenia, Ngugi wa Thiong’o, por lista e të nominuarve do të mbahet e fshehtë për 50 vjet.
Dilan ka fituar 10 çmime “Grammy”, duke përfshirë edhe “Albumin e vitit”, “Golden Globe” dhe “Çmimin e Karrierës”.
Në vitin 2008, ai fitoi çmimin “Pulitzer” për “impaktin e tij të madh në muzikën dhe kulturën amerikane, me kompozime lirike me një fuqi të jashtëzakonshme poetike”.
Dilan është fituesi i 108 i çmimit më prestigjioz të Letërsisë.
Ai është amerikani i parë që fiton Çmimin Nobel për Letërsi për herë të parë pas 23 vjetësh.