Shuma e borxhit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës deri në fund të vitit 2014, ka arritur vlerën prej 582.87 milionë euro, rreth 10 % e PBB-së.
Nga kjo shumë, borxhe ndërkombëtare janë 326.35 milionë euro, kurse borxhe të brendshme 256.52 milionë euro, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ekspertët për çështje ekonomike, vlerësojnë se vlera e borxhit nuk është në nivel të lartë; madje konsiderojnë se autoritetet kompetente në Prishtinë, nuk kanë qenë të afta të marrin borxhe.
Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se borxhi i përgjithshëm është simbolik dhe ekzekutivi sipas tij, duhet të jetë më i “guximshëm” për të marrë borxhe.
“Duke marrë parasysh se Kosova ka një borxh kaq të vogël, tregon se Qeveria e Kosovës ka qenë jo e aftë, të hyjë në marrëdhënie kontraktuale. Unë e arsyetoj shkallën e borxhit deri në limitet e caktuara, sepse borxhet mundësojnë zhvillimin dhe rritjen ekonomike në përgjithësi”, thekson Ramosaj.
Në raportet e institucioneve kompetente për këtë çështje, thuhet se përkundër ngritjes së lehtë, Kosova ka nivel më të ulët të borxhit të përgjithshëm të qeverisë krahasuar me vendet e rajonit.
Pjesa më e madhe e borxhit vazhdon të jetë ndaj BERZH, në kuadër të Bankës Botërore, kurse një pjesë e konsiderueshme është borxh ndaj FRMN-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.