Bosnjë-Hercegovinë / Kredi 46 milionë euro për të zëvendësuar fabrikën e qymyrit

29/03/2019 10:04 PM 0 komente

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka siguruar një paketë financimi 46 milionë euro për të zëvendësuar fabrikën me ndotje shumë të lartë të qymyrit, në qytetin qendror boshnjak të Zenicës me një fabrikë me gaz.

Fabrika e re me gaz, Toplana Zenica, do të furnizojë me energji dhe ngrohje Zenicën dhe punëdhënësin e saj më të madh, fabrikën e çelikut ArcelorMittal, tha banka në një deklaratë javën e kaluar. Fabrika e vjetër e çelikut, e cila gjeneron gjysmën e energjisë së saj nga lënda djegëse e qymyrgurit është njëkohësisht edhe një prej burimeve që shkakton nivelin më të lartë të ndotjes në qytetin e katërt më të madh të Bosnjës.

ArcelorMittal Zenica do të krijojë një sipërmarrje të përbashkët me qytetin e Zenicës dhe dy kompani finlandeze, KPA Unicon dhe Finnfund, për të zbatuar projektin që synon sigurimin e prodhimit të energjisë më të gjelbër dhe me kosto më efikase. BERZH do të sigurojë një kredi 28 milionë euro për këtë projekt, ndërsa Banka Intesa Sanpaolo një kredi me vlerë 23 milionë euro.

“Ne jemi të lumtur që arritëm të nënshkruajmë këtë marrëveshje, që është një investim që ndërthur forcën tonë, si një institucion financiar me një prej objektivave tAnë më të rëndësishëm, promovimin e ekonomisë së gjelbër”, tha Zsuzsanna Hargitai, drejtoreshë e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor.

Grupet ambientaliste u kanë kërkuar politikanëve të Bashkimit Europian të kenë një qëndrim më të ashpër në drejtim të ndotjes së ajrit nga fabrikat e qymyrit në Ballkanin Perëndimor, duke fajësuar nivelin e lartë të ndotjeve si shkaktarin kryesor të 3,900 vdekjeve në Europë dhe shpenzimet shëndetësore deri në 11.5 miliardë euro në vit. Në fillim të javës së kaluar, Bashkimi Europian kritikoi autoritetet e Bosnjës që miratuan një kredi kineze për ndërtimin e një fabrike të re prej qymyri në Tuzla.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of