Qeveria e Kosovës thuajse ia ka ”falur” Brezovicën konsorciumit francez “Compagnie des Alpes SA & MDP Consulting & PGI Managmanet & Outdoor Kosovo”, pasi që kjo e fundit resurset më të mira natyrore të Kosovës do t’i shfrytëzojë për 99 vjet kundrejt një qiraje qesharake, shkruan Zëri.
Për shfrytëzimin e 3364 hektarë tokë, konsorciumi francez do t’i paguajë Qeverisë së Kosovës rreth 9.9 milionë euro për 99 vjet.
Më parë, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj bëri të ditur për mediat se “Brezovica është një aset i rëndësishëm për Kosovën dhe kur Qeveria e Kosovës e ka shpallur me prioritet të veçantë ka pas disa arsye. E para që të arrijë të tërheqë investitorë seriozë që të vijnë në Kosovë, se dyti të këtë një impakt të lartë të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të asaj zone por të gjithë Kosovës, dhe së treti ta kemi një resort turistik që të krenohemi, jo vetëm Kosova por edhe më gjerë”, tha Mulaj. Ministri i MTI-së theksoi se për këtë projekt tashmë është i interesuar një konsorcium, i cili ka afruar një ofertë 410 milionë euro për Brezovicën, me mbi 100 kilometra ski-lift dhe me shumë elemente tjera që i takojnë një resorti.
Ndërkaq, Zëri transmeton që shuma nuk rezultoi e njejtë.
Qendra e skijimit “Brezovica”, është qendër e njohur turistike që ndodhet në rajonin e Shtërpcës – rajon ky i banuar me shumicë serbe apo në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit. Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2522 metra, me një hapësirë prej 2500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.