Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, ekspertët e Bankës së Shqipërisë shpjegojnë me detaje paketën e fundit të masave të Bankës së Shqipërisë, efektet e pritshme dhe mënyrën se si do të realizohet procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave…
Ndërkohë që kredia për ekonominë shënoi në 2012-n rritjen më të ulët të dekadës, Banka e Shqipërisë ka nismuar një paketë tërësore masash që synojnë nxitjen e huadhënies në vend. Sipas ekspertëve të bankës qendrore, e gjithë paketa duhet parë si një e tërë dhe në thelb ajo përmban krijimin e hapësirave të nevojshme për rritjen e kreditimit në ekonomi, me qëllim ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe shmangien e efekteve prociklike. Paketa krijon stimuj për kanalizimin e fondeve të bankave drejt ekonomisë së vendit nëpërmjet lehtësimit të kërkesave për kapital për kredidhënien dhe nëpërmjet shtrëngimit të kërkesave për investime jashtë vendit.
Në një intervistë të zgjeruar për “Monitor”, z. Gerond Ziu, Përgjegjës i Zyrës së Mbikëqyrjes së Bankave Sistemike në Departamentin e Mbikëqyrjes, flet në lidhje me dy çështje:
-Së pari, sqaron se pse Banka e Shqipërisë vendosi që të ndërmarrë këtë paketë masash, cilat janë elementet kryesorë të saj dhe çfarë synohet të arrihet.
-Së dyti, flet lidhur me reagimin e bankave ndaj masave të mëparshme shtrënguese të likuiditetit nga BSH.
Intervistë me z. Gerond Ziu, Përgjegjës i Zyrës së Mbikëqyrjes së Bankave Sistemike në Departamentin e Mbikëqyrjes.
ÇËSHTJA 1 Paketa e masave
PYETJE Banka e Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime në rregulloret: “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, “Për administrimin e rrezikut të kredisë” dhe “Për administrimin e rrezikut të likuiditetit”.
A mund të sqaroni se:
-ku konsistojnë ndryshimet për secilën rregullore,
-pse u bënë ato,
-efektet që do të kenë te bankat dhe si dhe sa do ta nxisin kredidhënien në vend?
PERGJIGJE Vendimet e marra së fundmi janë rrjedhojë e një pune të vazhdueshme që ka bërë Banka e Shqipërisë në përmbushje të misionit të saj të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Vendimet e marra dhe ndërhyrjet e bëra në kohë të ndryshme u janë përgjigjur zhvillimeve ekonomike dhe veprimeve të institucioneve financiare pjesëmarrëse në treg. Vendimet e marra deri në vitin 2008 kanë qenë të orientuara për të kontrolluar rritjen e kredive dhe e rreziqeve që bart, ndërkohë që sot ndodhemi në një situatë të ndryshme.
Ndryshimi i tendencës së zhvillimit ekonomik të vendit që nga fundi i vitit 2008, si pasojë e zhvillimeve financiare ndërkombëtare, u reflektua edhe në veprimtarinë bankare. Të ndodhura përballë zhvillimeve të diktuara nga tregu apo nga vendimet e bankave dhe rregullatorëve financiarë të vendeve të origjinës, bankat rishikuan planet e tyre të biznesit, gjë që solli tkurrje të veprimtarisë kredituese. Rritja e lartë e kredisë për disa vite me radhë, deri në 2008, natyrisht do të shoqërohej me një ulje relative të nivelit të kreditimit, megjithatë, kushtet e reja të shfaqura e materializuan shpejt këtë fenomen.
Ndaj këtyre situatave, Banka e Shqipërisë është treguar e kujdesshme dhe ka marrë një sërë masash për ruajtjen e sistemit bankar nga efektet e krizës financiare ndërkombëtare, të cilat po i përmend shkurtimisht:
-uljen e limitit të ekspozimit ndaj investimeve të bankave mëmë;
-ndërprerjen e shpërndarjes së fitimit të bankave për vitin 2008 dhe 2009;
-propozimin për rritjen e nivelit të sigurimit të depozitave, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë;
-prezantimin e rregullores së re për menaxhimin e rrezikut të likuiditetit ku u vendos respektimi i një treguesi minimal të likuiditetit prej 20 për qind, cili u rrit më pas në nivelin 25 për qind.
Përtej këtyre masave, Banka e Shqipërisë ka qenë aktive në dhënien e mesazheve sensibilizuese, si në daljet publike ashtu edhe në kontaktet e drejtpërdrejta me bankat, veçanërisht për mosndërprerjen e veprimtarisë kredituese për të shmangur efektet prociklike, për përzgjedhjen cilësore të kredimarrësve, për forcimin e praktikave të menaxhimit të rrezikut, për kryerjen e ristrukturimeve në kohë të kredive, etj.
Ecuria e kreditimit përgjatë 4 viteve të fundit ka vijuar me ritme rritëse, me një nivel mesatar prej rreth 10 për qind në vit, ritëm ky që mund të konsiderohet relativisht i kënaqshëm për situatën ekonomike aktuale, si dhe nëse krahasohet me zhvillimet në vendet e rajonit, të cilat kanë përjetuar ritme të ulëta të kreditimit, madje edhe rënie të tij.
Megjithatë, vitin e fundit, kredia u rrit me ritme më të ulëta, rreth 2 për qind në vit. Shkaqet për këtë rritje të ulët janë të natyrës objektive më së shumti. Shkurtimisht do të përmendja aktivitetin ekonomik nën potencial të vendit, problemet e njohura me ekzekutimin e kolateralit, kujdesin më të madh që ka imponuar Autoriteti Europian i Bankave (EBA) ndaj grupeve bankare europiane, si dhe situatën e paqartë që po karakterizon zhvillimin ekonomik dhe financiar të shumë prej vendeve të Eurozonës, ku partnerët tanë kryesorë kanë qenë në qendër të këtyre zhvillimeve. Parashikimet për zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2013 tregojnë për një rritje të ulët, po kështu edhe për rritjen e kreditimit. Megjithatë, e rëndësishme është se kreditimi ka vazhduar në shifra pozitive, por me ritme më të ulëta, dhe vlerësohet se është nën potencial dhe se ka nevojë të orientohet në drejtim të veprimtarive që gjenerojnë rritje të qëndrueshme ekonomike.
Në këto kushte, Banka e Shqipërisë vlerësoi se ishte e nevojshme krijimi i hapësirave më të mëdha për të nxitur rritjen e kreditimit si një përcaktues i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Në vijim të vendimeve të njëpasnjëshme për uljen e normës bazë të interesit, nga ne u punua intesivisht për hartimin e paketës makroprudenciale, zbatimi në praktikë i së cilës synon rigjallërimin e aktivitetit kreditues të vendit.
Qëllimi i trajtimit në kohë të zhvillimeve ishte për të paraqitur dinamikën e ngjarjeve ekonomike dhe reagimin e Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht për të prezantuar situatën e cila diktoi nevojën për ndërmarrjen e ndryshimeve rregullative, dhe jo vetëm.
E gjithë paketa duhet parë si një e tërë dhe në thelb ajo përmban krijimin e hapësirave të nevojshme për rritjen e kreditimit në ekonomi, me qëllim ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë dhe shmangien e efekteve prociklike.
Të përkthyera në terma konkretë, masat po i përmbledh si më poshtë:
1. Uljen e kërkesave për kapital për rritjen e kreditimit brenda disa limiteve të synuara. Në vija të përgjithshme, përcaktohet ulje e ponderimit për rritjen e portofolit të kredisë në nivelet midis 4 dhe 10 për qind, çka do të sjellë një nivel më të lartë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat. Në terma praktikë kjo do të thotë ulje e kostos së kredidhënies për bankat.
2. Shtimin e kërkesave për kapital për rritjen e investimeve jashtë vendit. Kjo masë synon ta bëjë më të shtrenjtë shtimin e investimit të fondeve në valutë të bankave në tregjet ndërkombëtare, gjë që do t’i sillte bankave rënie të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Pra, siç mund të vihet re, paketa krijon stimuj për kanalizimin e fondeve të bankave drejt ekonomisë së vendit nëpërmjet lehtësimit të kërkesave për kapital për kredidhënien dhe nëpërmjet shtrëngimit të kërkesave për investime jashtë vendit. Këto masa janë parashikuar të jenë në fuqi deri në fund të vitit 2014, periudhë pas së cilës bankat do të duhet të respektojnë kërkesat për kapital ashtu sipas rregullores ekzistuese.
Në mbështetje të masave të mësipërme, është vendosur edhe ulja e treguesit minimal të likuiditetit në nivelin 20 për qind, aq sa ishte në rregullore përpara rritjes së tij në vitin 2011, si dhe ulja e këtij treguesi sipas monedhave në nivelin 15 për qind, nga 20 që ishte më parë. Arsyet e kësaj vendimmarrjeje janë dy:
– E para, sepse kushtet financiare në të cilat u mor vendimi, siç ishin situata në Eurozonë, veçanërisht në Itali e Greqi, duket se janë qartësuar dhe stabilizuar në njëfarë mënyre.
-E dyta, sepse synohej lirimi i më shumë fondeve për bankat për të nxitur kreditimin, në mbështetje të dy masave të para.
Një masë tjetër e rëndësishme është lehtësimi i kritereve për ristrukturimin e kredive. Kushtet aktuale kërkojnë që kreditë e ristrukturuara të provigjionohen me 20 për qind dhe të klasifikohen si kredi nënstandarde, duke u bërë pjesë e atij që quhet portofoli i kredive me probleme. Ndryshimi i bërë me paketën e masave krijon mundësinë që kreditë e rregullta, “standard” dhe “në ndjekje”, kur ristrukturohen për herë të parë të ruajnë klasifikimin si kredi të rregullta dhe të provigjionohen me 10 për qind. Në këtë mënyrë lehtësohen, nga njëra anë, bankat, duke krijuar më pak shpenzime për provigjione për këto kredi. Nga ana tjetër, lehtëson pozicionin e kredimarrësve në shlyerjen e detyrimeve ndaj bankave, duke qenë se do të ketë më shumë rishikime të mënyrës së deritanishme të shlyerjes së kredive apo edhe forma të tjera bashkëpunimi me bankat.
Një element tjetër i kësaj mase është periudha kur këto provigjione të krijuara për kreditë e ristrukturuara, prej 10 për qind, do të pakësohen për të shkuar në nivelin e mëparshëm. Rregullorja e mëparshme e përcaktonte këtë periudhë prej 9 muajsh, ndërsa me ndryshimet rregullative, kjo periudhë është ulur në 6 muaj. Pra, edhe kjo masë mbështet masat e tjera të marra duke rritur kështu mundësinë e një bashkëpunimi më intensiv midis bankave e klientëve.
Çështja e ristrukturimeve ka qenë në qendër të vëmendjes së Bankës së Shqipërisë. Sistemi bankar është nxitur vazhdimisht për të kryer ristrukturimet e nevojshme, me qëllim lehtësimin e kredimarrësit me vështirësi të përkohshme, për të shmangur krijimin e një cikli të mbyllur me efekte negative. Megjithatë, ky mesazh vazhdon të ketë të njëjtën rëndësi si më parë dhe elementi kryesor i tij është përzgjedhja e kredimarrësve cilësorë, që përballen me vështirësi të përkohshme dhe që mund të rikuperohen në të ardhmen, duke synuar kështu që bankat të kryejnë edhe rolin e këshillimit.
Ky mesazh, në fakt, nuk u drejtohet vetëm bankave, por edhe kredimarrësve, të cilët duhet të jenë mjaft aktivë për të evidentuar në kohë vështirësitë dhe të bashkëbisedojnë me bankat për të gjetur rrugëzgjidhjet e përshtatshme. Pikërisht për të mbështetur këtë bashkëpunim të pritshëm, Banka e Shqipërisë është duke hartuar dy udhëzues mbi çështjen e ristrukturimeve, një për individët dhe një për bizneset. Këto dy udhëzues do të shërbejnë si orientues të mënyrës së bashkëpunimit midis bankave e kredimarrësve si dhe përgjegjësive e detyrimeve që lindin për secilën palë gjatë procesit të ristrukturimit. Hartimi i këtyre dy udhëzuesve është në fazën e fundit dhe do të publikohen së shpejti.
Paketa e masave të prezantuara është diskutuar gjerësisht brenda Bankës së Shqipërisë dhe me Shoqatën e Bankave, duke vlerësuar të gjithë argumentet në favor dhe kundër, si dhe duke shqyrtuar edhe alternativa zëvendësuese. Efektet e saj do të ndiqen me vëmendje të veçantë e të vazhdueshme, dhe nëse do të konsiderohet e nevojshme, do të ndërhyhet edhe me masa të tjera rregulluese. Këto masa orientojnë kahun e ofertës së kredive. Kahu i kërkesës iu përket pjesëmarrësve të tregut, ku kredimarrësit, nga njëra anë, bizneset dhe individët, si dhe institucionet shtetërore, nga ana tjetër, kanë një pjesë mjaft të rëndësishme dhe duhet të rrisin ndërgjegjësimin dhe përgjegjshmërinë për rolin e tyre në këtë situatë.
Çështja 2. Shtrëngimi i mëparshëm i kritereve të likuiditetit
PYETJE Përfaqësues të bankave tregtare reaguan në fillim të vitit të kaluar se Banka e Shqipërisë ka forcuar shumë rregulloren mbi bankat, sidomos për likuiditetin, duke e kufizuar atë. Sipas deklarimeve të kryetarit të Shoqatës së Bankave, Seyhan Pencabligil: “Unë kam dyshime në lidhje me efektet amortizuese që rregulla të tilla mund të japin kundër thellimit të krizës bankare. Përkundrazi, këto rregullore mund të dobësojnë qëndrueshmërinë e sistemit bankar shqiptar në afat më të gjatë, sepse ruajtja e fitimeve pozitive dhe zbatimi i këtyre rregullave do të jetë jashtëzakonisht i vështirë për bankat shqiptare”.
-Pse u morën këto masa në atë kohë
-A dhanë ato efektin e pritur nga BSH
-Pse po kalohet vetëm tani në lehtësimin e rregulloreve.
PERGJIGJE Siç e përmenda më lart, një nga ndryshimet rregullative të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë ka qenë rritja e treguesit minimal të likuiditetit. Treguesi minimal rregullativ u rrit nga niveli i përgjithshëm 20 për qind në 25 për qind, dhe kjo u shoqërua edhe me futjen e kërkesave rregullative për tregues minimalë likuiditeti për monedhën vendase veçan dhe për monedhat e huaja veçan, në nivelin 20 për qind për secilën.
Situata e shqetësuar në Eurozonë, dhe veçanërisht krizat e vendeve fqinje të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, sollën nevojën për këto ndryshime rregullative. Pasiguria e këtyre tregjeve ishte e lartë dhe situata politike po ashtu ishte e paqëndrueshme. Duke qenë se të dyja këto vende janë ndër partnerët kryesorë të biznesit me vendin tonë, përhapja e ndikimit të tyre mund të ishte e drejtpërdrejtë apo edhe e tërthortë. Një numër i madh biznesesh dhe disa banka të sistemit bankar shqiptar janë me origjinë nga këto vende, një numër i madh qytetarësh shqiptarë punojnë në këto vende dhe përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë e vendit. Gjithashtu, edhe publiku shqiptar ka treguar se ka qenë i ndjeshëm nga përhapja e informacioneve të çdo natyre.
Tërësia e kësaj situate çoi në vendimmarrjen për të siguruar një nivel më të lartë likuiditeti në bankat e sistemit. Vendosja e kërkesave të likuiditetit sipas monedhave ishte për të ulur kostot shtesë që mund të vinin si rrjedhojë e konvertimit të fondeve nga një monedhë në tjetrën për të siguruar likuiditetin e nevojshëm sipas nevojave, pavarësisht nivelit të përgjithshëm të likuiditetit që bankat kishin në dispozicion.
Ndryshimet rregullative përfshinin edhe disa përcaktime shtesë për përkufizimin e aktiveve likuide, ku, ndër të tjera, ishte edhe vendosja e disa prerjeve (haircut) të shumës së investimeve në bazë të vlerësimit (rating) të kundërpartisë. Këto përcaktime vijojnë të mbeten edhe pas ndryshimeve të fundit rregullative.
Aktualisht, situata e likuiditetit të sistemit bankar është e kënaqshme dhe masat e marra ndikuan në qëndrueshmërinë e bankave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Situatat e reja të krijuara, të cilat i parashtrova më parë, dhe nevojat për të ndërmarrë iniciativa për t’i dhënë stimuj ekonomisë sollën edhe ndryshimet rregullative të prezantuara së fundmi. Veprimet e ndërmarra nga organizmat europianë, nëpërmjet ndërhyrjeve në tregjet lokale si me masa shtrënguese, ashtu edhe me financime ndihmëse, kanë krijuar një situatë më të qetë në vendet e Eurozonës duke lehtësuar disi ekonomitë e vendeve të lidhura.
Në çdo rast, masat e marra kanë kaluar paraprakisht nëpër disa filtra analitikë brenda Bankës së Shqipërisë për efektet e mundshme dhe ndjekja e ndikimit të tyre ka qenë me vëmendje maksimale. Rezultati i këtyre masave ka mbetur brenda pritshmërisë së Bankës së Shqipërisë, ku aktualisht konstatojmë qëndrueshmëri të sistemit bankar, likuiditet të kënaqshëm, nivel të mirë kapitalizimi. Rezultati financiar i vitit 2012 ka qenë disa herë më i lartë se ai i vitit të mëparshëm, shenjë kjo pozitive për veprimtarinë bankare. Gjatë periudhës në vijim, sistemit bankar, me masat e reja të prezantuara, i janë ofruar edhe mundësitë për t’i rritur më tej këto rezultate pozitive, duke rritur kreditimin në vend, gjë që do të ndikonte edhe në rritjen e të ardhurave të tyre.
Paketa e masave synon:
1. Uljen e kërkesave për kapital për rritjen e kreditimit brenda disa limiteve të synuara. Në vija të përgjithshme, përcaktohet ulje e ponderimit për rritjen e portofolit të kredisë në nivelet midis 4 dhe 10 për qind, çka do të sjellë një nivel më të lartë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat. Në terma praktikë, kjo do të thotë ulje e kostos së kredidhënies për bankat.
2. Shtimin e kërkesave për kapital për rritjen e investimeve jashtë vendit. Kjo masë synon të bëjë më të shtrenjtë shtimin e investimit të fondeve në valutë të bankave në tregjet ndërkombëtare, gjë që do t’i sillte bankave rënie të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Ristrukturimi i kredisë
Kreditë e rregullta, “standard” dhe “në ndjekje”, kur ristrukturohen për herë të parë të ruajnë klasifikimin si kredi të rregullta dhe të provigjionohen me 10 për qind. Në këtë mënyrë lehtësohen, nga njëra anë, bankat duke krijuar më pak shpenzime për provigjione për këto kredi. Nga ana tjetër, lehtëson pozicionin e kredimarrësve në shlyerjen e detyrimeve ndaj bankave, duke qenë se do të ketë më shumë rishikime të mënyrës së deritanishme të shlyerjes së kredive apo edhe forma të tjera bashkëpunimi me bankat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.