Banka e Shqipërisë ka vendosur që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 3.75%. Lajmi është bërë i ditur nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një konference për shtyp.
Sipas Fullanit, rritja ekonomike e vendit vitin e kaluar ishte 1.7%, e udhëhequr kryesisht nga shërbimet, ndërkohë që ndërtimi ka shënuar tkurrje.
Ai ka shtuar që presionet e brendshme në çmimet e konsumit mbeten të ulëta.
Banka e Shqipërisë ka ulur 6 herë normat bazë të interesit që nga gushti i vitit 2011. Megjithatë, ky lehtësim i politikës monetare nuk ka arritur të nxisë kredinë për ekonominë, që gjatë vitit 2012 u rrit me vetëm 2% me bazë vjetore, ritmet më të ulëta të dekadës, dhe ka shënuar tkurrje në dy muajt e parë të këtij viti. Faktorë të tjerë, përveç normës së interesit, si kërkesa e dobët nga biznesi, apo shtrëngimi i kushteve të tjera të kredisë nga bankat, së bashku me rritjen e vazhdueshme të kredive me probleme (që i kanë kaluar 23%) kanë ndikuar në kreditimin e dobët të ekonomisë.
Ndryshe nga institucioni qendror shqiptar, banka Qendrore Europiane pritet që nesër të ulë sërish normën bazë të interesit, nga 0.75% që është aktualisht, në mënyrë që të nxisë ekonominë e eurozonës që nuk po arrin të dalë nga recesioni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.