Por ministri thekson se tashmë probleme po paraqet pala tjetër, me biznesin që që nuk po arrin të justifikojë me fatura pretendimet për pagesat e prapambetura…
Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ, të zhvilluar të martën pasdite, Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka konfirmuar se deri tani, shuma që i është kthyer biznesit nga shteti për detyrimet e prapambetura ka arritur 120 milionë dollarë. Nga kjo shumë, 30 milionë dollarë janë paguar vitin e kaluar (kur në dhjetor 2013 përmes një akkti normativ u alokua një shumë prej 5 miliardë lekësh, nga e cila 2 miliardë shkoi për ndihmë ekonomike dhe 3 miliardë fatura të prapambetura), ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë paguar 90 milionë dollarë. “Lëvrimi i fundit i fondeve është bërë në 31 mars”, tha Cani. Po ecet me objektivin tashmë të deklaruar për të paguar 350 milionë dollarë deri në qershor.
Këshilli Konsultativ, që përbëhet nga analistë dhe ekspertë të fushës ekonomike dhe të medias, zhvilloi të martën mbledhjen e tretë të radhës.
Cani theksoi se tashmë problem po bëhet biznesi, pasi kompanitë po rezultojnë që kanë probleme me faturat. Sipas financave, janë rreth 10 mijë fatura të hedhura në faqen e tatimeve, ku bizneset mund të verifikojnë gjendjen.
Nga shuma e paguar, mbi 80% i përket rimbursimit të TVSH-së, të cilave u është dhënë prioritet nga qeveria.
Cani tha se paratë për të shlyer detyrimet janë siguruar nga tregu, ndërkohë që fondet e FMN-së nuk kanë mbërritur akoma.
Sipas tij, është rënë dakord me FMN-në që do të ecet me shlyerjen e borxhit duke parë dhe si do të reflektojë ekonomia.
Këto para janë hedhur me synim për të injektuar likuiditet në treg. Në rast se do të shohim se do të ketë psh rritje të kostos së borxhit (yield-it të bonove) atëhere do të frenohet shlyerja me fondet e tregut, tha Cani.
Qeveria është angazhuar për të shlyer 72 miliardë lekë detyrime të prapambetura për periudhën 2014-2016, gjysma e të cilave pritet të paguhet brenda këtij viti.
“Deri tani kemi arritur një të tretën e objektivit të këtij viti”, tha ministri i financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.