Ka disa kompani, që dikur punon me regjimin e përpunimit aktiv (fason) dhe tashmë po krijojnë ciklin e mbyllur të prodhimit. Industria po tenton të dalë nga dembelizmi ku e kanë futur porositësit italianë, ku shqiptarët vetëm qepin modelet e gatshme që sjellin italianët, në përpjekje për të rritur vlerën e shtuar.
Cikli i mbyllur i prodhimit, që tani është fillesa, nxit linja të tjera prodhimi edhe për 70 produkte të tjera që i duhen prodhimit final të këpucës. Mici thotë se, të gjitha këto produkte importohen nga vendet e tjera për të realizuar këpucën e gatshme në treg. Që nga etiketa e çmimit, lidhëset, kartonët e paketimit, mastiçi, perçinat, zinxhirët e shumë artikuj të tjerë mund të prodhohen në vend, pasi e kanë tregun e garantuar dhe me marzh të lartë fitimi. Krijimi i klasterave për të nxitur rritjen e ciklit prodhues në vend është një formë e njohur në ekonomitë e tjera prodhuese.
Mici sugjeron se, Ministria e Bujqësisë duhet të krijojë terrenin edhe për të nxitur përpunimin e lëkurës në vend ashtu siç ka bërë për bulmetrat. Nëse industria e përpunimit të lëkurës do të zhvillohej në vend, kosto për këtë lëndë të parë që i duhet lëkurës do të ulet me 40%.
Fasoni, po të kishte pak vëmendje, do të shënonte një revolucion në ekonominë shqiptare edhe me mjaft interes për linjat e tjera të maturuara siç është ndërtimi, sugjeron zj.Mici. Ndërtuesit në krizë për të zhvilluar investimet mund të studiojnë linjat mbështesë për prodhuesit fason me cikël të mbyllur. Me përvojë të gjatë në biznesin fason, Mici thotë se, nëse do të krijoheshin klasterat, eksportet shqiptare do të shpërthenin. Sipas saj, ky moment duhet kapur, pasi të gjithë investitorët europianë të fasonit po i transferojnë fabrikat nga vende të tilla si Portugalia, Hungaria drejt vendeve në zhvillim të Europës.
Eksporti, 25% nga industria e tekstile e këpucëve
Eksportet për periudhën janar-tetor 2014 arritën në 215 miliardë lekë, duke u rritur me 5.4% me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Ritmet e rritjes së eksporteve janë ngadalësuar ndjeshëm në raport me pjesën e parë të vitit, kur ato zgjeroheshin me ritme dyshifrore. Faktori kryesor që ka ndikuar në këtë ngadalësim është rënia e eksporteve të grupit “minerale, lëndë djegëse, energji”, grupi më i madh i eksporteve në vend. Për 9 mujorin, ky zë është tkurrur ndjeshëm me 12.6% në 73.4 miliardë lekë për disa arsye. Së pari, shitjet e energjisë jashtë vendit kanë rënë, për shkak të motit të thatë. Së dyti, kompania Bankers Betroleum, prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i naftës në vend, ka njoftuar se që nga gusht i 2014-s, ajo i ka shitur 30% të prodhimit të saj kompanisë vendase ARMO.
Një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht në shitjet e lëndëve djegëse jashtë vendit është rënia e fortë e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Së treti, edhe eksportet e mineraleve nuk po ecin me ritme të larta për shkak të koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare (rënia e çmimeve). Megjithatë, lëndët djegëse dhe energjia vijonin të përbënin grupin më të madh të eksportuar në vend, në fund të 10-mujorit, me 34% të totalit. Tekstilet dhe këpucët janë grupi që po njohin lulëzim të vërtetë këtë vit. Për periudhën janar-tetor 2014, eksportet e këtij grupi janë rritur me 25.5% në 72.4 miliardë lekë, duke iu afruar grupit të parë, dhe duke zënë gati 34% të totalit. Industria po i gëzohet një rritjeje të porosive nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht atyre italianë. Tekstilet dhe këpucët kanë dhënë ndikimin kryesor në rritjen e eksporteve shqiptare në 10 muajt e 2014-s. Grupet e tjera, material ndërtimi, metale dhe prodhimi druri e letre janë rritur përkatësisht me 20% dhe 9.4%, por shtesa në vlerë absolute ka qenë e ulët në raport me atë të industrisë tekstile e këpucë. Gjithsesi, rritja e tyre ka neutralizuar efektin e rënies së grupit “minerale, lëndë djegëse e energji”.
Fasoni, trendi botëror
Në vitet e fundit, Organizata Botërore e Tregtisë dhe institucione të tjera multilaterale kanë theksuar rëndësinë që të mundësojnë vendet në zhvillim për të hyrë në tregun botëror të tekstilit si mënyrë për të arritur rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Duke njohur fuqinë e tregjeve ndërkombëtare, hartuesit e politikave zhvilluan një strategji të eksportit, bazuar në avantazhet krahasuese në krijim të një ambienti konkurrues global.
Prodhimi i tekstileve është kryesisht një industri pune intensive. Ekonomitë në zhvillim kanë një tepricë të punëtorëve të pakualifikuar. Krijimi i industrisë tekstile në këto vende është edhe më i realizueshëm dhe tërheqës nga perspektiva e rritjes ekonomike. Kriza ekonomike pas vitit 2008 i orientoi edhe më shumë këto politika. Amerika Latine, edhe pse kap vetëm rreth 3% të tregut botëror të tekstilit, i ka rritur eksportet me një mesatare prej 24% gjatë dy dekadave të fundit. Vendet e Azisë Lindore panë një shpërthim në rritjen e eksporteve të tekstilit në mes të 1963 dhe 1984, ku kapen 45% të eksporteve drejt vendeve të OECD-së nga 1984, duke qenë edhe sot e kësaj dite zotërues të këtij tregu.
Industria e tekstilit është shndërruar tani në një ndërmarrje të madhe globale. Një sërë vendesh në zhvillim janë duke pretenduar një rritje të pjesës së tregut të tekstilit global. Pjesa e eksporteve tekstile botërore nga vendet në zhvillim u rrit nga 15% në vitet 1970 në mbi 70% pas viteve 2000. Vendet në zhvillim kanë parë një shpërthim në rritjen e eksporteve të tyre të tekstilit dhe këpucëve dhe për shumë prej tyre, këto industri janë një pjesë e rëndësishme e eksporteve totale. Në përgjigje të rritjes së konkurrencës nga importet me vlerë të ulët nga vendet në zhvillim, udhëheqësit e industrisë në vendet e zhvilluara kanë bërë investime të rëndësishme kapitale për të rritur produktivitetin dhe për të shkuar në sektorë më të përparuar të tregut. Më herët, marrëveshje të mëdha ndërkombëtare janë bërë për të nxitur tekstilin në vendet në zhvillim. Por, pavarësisht nga përfitimet e mundshme ekonomike dhe sociale, efektiviteti i këtyre politikave tregtare është i kufizuar nga politika e interesit të veçantë në botën e zhvilluar. Prania e një ekonomie politike në vendet e zhvilluara mund të ndikojë si në formimin dhe respektimin e marrëveshjeve të tregtisë ndërkombëtare edhe në linjën e tekstilit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.