Pas urdhrit të ministrit Cani për bllokim të fondeve të ministreve nëse nuk kryenin pagesat pas 10 ditëve është përshpejtuar ndjeshëm ritmi i tërheqjes së pagesave…
Ministra e Financave ka publikuar situatën me pagesën e detyrimeve të prapambetura deri në datën 13 qershor.
Sipas tabelave të publikuara nga financat, deri në këtë datë, vlera e çelur nga buxheti ishte 18.2 miliardë lekë, nga e cila është paguar në total rreth 13.5 miliarde lekë, apo rreth 74% e totalit të çelur.
Nga totali i shumës së paguar, 60% ka shkuar për imbursimin e TVSH-së (shiko grafikun)
Bie në sy përshpejtimi i ritmeve të tërheqjes së pagesave të prapambetura për investimet dhe rimbursimin e TVSh-së, pas masave që mori Ministra e Financave për të përshpejtuar lëvizimine fordeve të biznesit.
Për imbursimin e TVSH-jë janë tërhequr rreth 8 miliardë lekë, nga 8.3 të çelura, apo rreth 95%.
Për investimet janë tërhequr 3.55 miliardë lekë, nga 3.72 të çelura, apo rreth 95%.
Në 21 maj 2014, Ministri i financave Shkëlqim Cani firmosi një urdhër, në bazë të së cilit, nëse ministritë e linjës apo institucionet e tjera shtetërore (si QSUT, apo Autoriteti i Rrugëve) nuk u lëvrojnë detyrimet e prapambetura bizneseve, brenda 10 ditësh, pasi paratë kanë kaluar nga Ministria e Financave në thesar, atëhere ato do të rrezikojnë që t’u bllokohen shpenzimet e tyre. www.monitor.al/cani-urdher-ministrive-nese-nuk-i-levroni-biznesit-fondet-per-10-dite-ju-bllokojme-shpenzimet
Deri në këtë periudhë, tërheqjet e detyrimeve nga bizneset po ecnin me ritme të ngadalta, vonesa që për financat ishin të pajustifikueshme, duke i detyruar të merrnin masa ekstreme ndaj ministrive apo institucioneve të linjës, që bënin kalimin e fondeve nga buxheti te kompanitë.
Për detyrimet e prapambetura në kategoritë e tjera (Vendime Gjyqesore, Emergjenca civile, Shpronesime, etj), shuma e çelur nga financat është 3.7 miliardë lekë, por këtu bien në sy pagesat e ulëta, në vetëm 1% të shumës së çelur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.