Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale lidhet me keqkonceptimin e projekteve. Duhet rishikuar portofoli për të përmirësuar eficiencën…
Deri ditën e sotme, shlyerja e detyrimeve të prapambetura të biznesit ka arritur në 20 miliardë lekë, sipas deklarimeve të zv/ministrit të Financave, Erion Luçi, në një takim me mediat. Deri në fund të muajit pritet që kjo shumë të rritet në 25 miliardë lekë. Lëvrimi i detyrimeve të prapambetura është përshpejtuar ndjeshëm muajt e fundit, pas presioneve të rritura nga Ministria e Financave tek ministritë e linjës dhe institucionet e tjera me të cilat bizneset kishin lidhur kontratat.
Luçi tha se është zgjedhur dhe kompania që do të auditojë procesin, që është Ersten Young, e cila do të fillojë së shpejti punën. Auditimi është kërkuar nga FMn e cila në raportin e saj të fundit thekson se ka një vonesë në përmbushjen e objektivit strukturor për kontraktimin e auditorëve të jashtëm që do të zhvillojnë auditin e bazuar te risku të ecurisë së pagesave të prapambetura, i cili nuk është përmbushur, por që qeveria pret që ta plotësojë atë në javët në vijim.
Pas procesit të auditit pritet të përshpejtohet kryerja e pagesave të prapambetura. Qeveria synon që deri në fund të vitit të paguajë në total 35 miliardë lekë detyrime të infrastrukturës, rimbursim të TVSH-së, apo pagesa të tjera.
Luçi ka shpjeguar dhe ecurinë e dobët të realizimit të shpenzimeve kapitale (për 6 mujorin e parë 2014, shpenzimet kapitale ishin 51% më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar) dhe larg planit. Mosrealizimi i këtyre shpenzimeve lidhet me ecurinë e dobët të dy projekteve me financim të huaj. “Sot po vuajmë nga keqkonceptimi i projekteve”. Ka projekte që janë hartuar që para 5 viteve dhe nuk kanë zgjidhur akoma çështjet e shpronësimeve, duke rritur kostot. “Duhet bërë rishikimi i portofolit, me synim përmirësimin e eficiencës”, thotë Luçi. Sipas tij, planifikimi është i rëndësishëm, pasi përcakton eficiencën e mëvonshme.
Luçi tha se do të synohet menaxhimi më dinamik, projekt për projekt, proces që ka filluar të zbatohet tashmë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.