Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe përfaqësuesit e shoqatave të sipërmarrjes private duke vlerësuar me objektivitet krizën ekonomike si dhe pasoja e saj në ekonominë shqiptare.
Duke vlerësuar si sinjal negativ mos realizimin e të ardhurave në tremujorin e parë të këtij viti.
Duke vlerësuar si fenomen negativ daljen e mjeteve monetare jashtë sistemi bankar shqiptar, si dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë në shuma të konsiderueshme.
Duke parë me objektivitet pamundësinë e buxhetit për të mbajtur premtimet e Ministrisë së Financave për shlyerjen e detyrimeve ndaj sipërmarrjes private. Duke e vlerësuar si jo efikas në pritshmëritë e kërkuara aplikimin e ligjit 10418 të datës 21 prill 2011, për “Legalizimin e kapitalit, dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.
Për të ndalur vendosjen e gjobave dhe arbitraritetin e sistemit fiskal dhe tatimor. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat e biznesit iu kërkojnë formacioneve politike parlamentare mazhoritare dhe opozitare, miratimin dhe zbatimin me procedura të përshpejtuara të dy ndërhyrjeve ligjore si më poshtë:
1. Ndërhyrjen me akte ligjore që mundëson kompensimin ose pezullimin e afateve të pagesave për detyrimet tatimore si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatim Fitimi në favor të të gjitha kompanive private, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shteti i ka këtyre kompanive, është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompanitë kanë për të shlyer.
2. Të alikohet fuqia vepruese e ligjit nr. 10 418 të datës 21 prill 2011, për “Legalizimin e kapitalit, dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor” per vitin ushtrimor 2011, 2012, duke përfshirë në këtë nderhyrje ligjore propozimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe shoqatave të biznesit si më poshtë:
Neni 11 të ndryshohet si vijon:
Neni 11
a) Tarifat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për personat juridikë jo më shumë së 3% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme:
b) Tarifat për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinerive për personat juridikë jo më shumë se 5% te diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.
Shtohet pika c
c- Tarifa për vlerësimin e emrit dhe markës së kompanive në treg jo më shumë se 2% e vlerës së plotë të emrit apo markës.
Propozim 2:
Ligji të përmbajë sanksione për punonjësit e administratës publike që shkelin konfidencialitetin e deklaratave vullnetare, të garantuar në nenin 13, pika 1, gërma “c”. Sanksionet mund të jenë të formave të mëposhtme:
1. Në rast vërtetimi të shkeljes së konfidencialitetit, punonjësi i administratës publike që ka kryer shkeljen gjobitet me një rrogë mujore që i mbahet menjëherë në pagën e muajit pasardhës, si dhe me paralajmërim për pushim nga puna.
2. Në rast vërtetimi të përsëritjes së shkeljes së konfidencialitetit ose shkeljes së konfidencialitetit për një kompani apo person tjetër nga i njëjti punonjës, punonjësi i administratës publike që ka kryer shkeljen largohet nga puna.
Propozim 3:
Pas nenit 17 të ProjektLigjit, të shtohet një nen i ri si më poshtë:
Neni “x”
a- Në të gjitha rastet për subjektet që përfitojnë nga ky ligj, organet e specializuara të hetimit nuk mund të fillojnë ndjekjen penale duke u bazuar nga deklarimet vullnetare sipas këtij ligji.
b- Në rastet e fillimit të ndjekjes penale, organet e specializuara të hetimit kanë detyrimin dhe përgjegjësinë për mbledhjen e provave dhe dokumenteve lidhur me ngritjen e akuzave dhe argumentimin e tyre në Gjykatë.
Propozim 4:
Në Nenin 18, të përcaktohen qartë çfarë detyrimesh tatimore përfshihen në këtë ligj.
(Të gjitha gjobat e vëna nga institucionet shtetërore ndaj qytetravë shqiptarë dhe sipërmarrrjes shqiptare. Si psh: gjobat e vendosura nga hipotekat për dorëzimin e kontratave të shitjeve me vonesë apo procedurat e tjera si kjo.
Të gjitha gjobat e vëna nga të gjitha drejtorite dhe inspektoriatet që operojnë në territorin e Shqipërisë deri në datë 31.12.2010.
Të gjitha detyrimet tatimore që kanë të bëjnë me marrëdhënien biznes sistem fiskal.
Propozim 5:
Neni 21 të ndryshojë si më poshtë:
Tarifa e pagesës duhet të jetë jo më shumë se 20%.
Propozim 6:
Neni 22 të ndryshojë si më poshtë:
Neni 22 ndryshon (varianti 1)
Deklarimi vullnetar i detyrimit tatimor
1- Tatimpaguesit të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, kanë të drejtë që brenda periudhës së këtij ligji të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore pranë zyrës së tatimeve, deklarime këto që duhet të verifikohen dhe legjitimohen nga zyra e tatimeve nëpërmjet kontrollit.
2- Tarifa që aplikohet në këto raste do të jetë 30% e detyrimit duke falur pjesën tjetër të detyrimit, gjobat dhe kamatvonesat.
3- Dispozitat e pikës 2 të nenit (18) të këtij ligji lidhur me kompensimin e tepricave kreditore zbatohen në këtë rast.
4- Për efekt të këtj ligji të gjitha kontrollet e ushtruara në subjektet tatimpaguese deri në 31.12.2010 si dhe të gjitha kontrollet që do të kryhen sipas procedurës së vetëdeklarimit nuk mund të rishikohen nëpërmjet procedurës së rikontrollit për asnjë lloj arsye nga administrata e sistemit fiskal.
Neni 22 ndryshon (varianti 2)
Pagesë vullnetare sipas qarkullimit tregtar
1- Tatimpaguesit të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, kanë të drejtë që brenda periudhës së këtij ligji të paguajnë sipas qarkullimit të tyre tregtar tarifën e përcaktuar si më poshtë:
a) Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit tregtar arrijnë deri në 200 milion lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 1 milion lekësh.
b) Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 200 deri në 500 milion lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 2 milion lekësh.
c) Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 500 milion deri në 1 miliard lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 3 milion lekësh.
d) Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë nga 1 deri në 10 miliard lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 5 milion lekësh.
e) Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit të tyre tregtar arrijnë mbi 10 miliard lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 10 milion lekësh.
3- Dispozitat e pikës 2 të nenit (18) të këtij ligji lidhur me kompensimin e tepricave kreditore zbatohen në këtë rast.
4- Të gjithë tatimpaguesit që janë pjesë e pagesës vullnetare sipas këtij neni përfitojnë imunitet dhe nuk mund të futen në procedurat e kontrollit fiskal.
Neni x
Përdorimi dhe destinacioni i fondeve
65 për qind e fondeve të mbledhura nga ky ligj të përdoren nga buxheti i shtetit sipas nevojave të tij.
30 për qind e këtyre fondeve të mbledhura të përdoren si grant për kredidhënie me tarifa të reduktuara për sipërmarrjen shqiptare.
5 për qind e fondeve të mbledhura të përdoren për agjentët e mundshëm që do të shërbejnë për mbledhjen e këtyre fondeve si dhe për fushatën promocionale të informimit për qytetarët dhe sipërmarrësit që do të jenë subjekt i këtij ligji.
Propozime të bëra këto dhe në kohën që projekti diskutohej në kuvend, por implementimi me saktësi i këtyre ndryshimeve ligjore do të jepte një frymëmarrje për ekonominë shqiptare, duke i dhënë mundësi biznesit të shpëtojë nga ngërci në të cilin është futur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.