Ulja e borxhit dhe deficitit buxhetor është ndër objektivat kryesore, të deklaruara më herët nga ministri Cani, i cili në Komisionin e sotëm Ekonomisë ka bërë një prezantim rreth këtyre dy çështjeve, të përfshira në projektbuxhetin e vitit 2015.
Ministri Cani ka përsëritur se pritshmëritë për rritjen ekonomike janë që të vijojë edhe 2015 e më tej.
“ Në vitin 2015 do jetë 5.4 % nivelin për t’u mbajtur, është arritje e këtij buxheti dhe një ndër element i rëndësishëm është punësimi,që do sjellë ky projektligj.
Gjithashtu kreditimi do sjellë një rritje të ndjeshme ekonomike që kemi menduar. Ndërkaq, deficiti buxhetor- kemi një rritje e të ardhurave për 9 mujorin , edhe mbyllja e këtij viti do ketë rritje të ndjeshme me vitin e kaluar.
Edhe për vitin 2015 është parashikuar me rritje. Ulja e borxhit do bazohet edhe në politika të tjera lufta kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit, me pak para do sjellim shërbime të më mëdha dhe cilësore. Reforma tatimore do jetë ndër më kryesoret.”, u shpreh ministri Cani.
Ministri Cani parashtroi një pyetje për sa i përket borxhit publik: a është i drejtë vendimi për ndërtimin e politikave për uljen e tij apo jemi shpejtuar për këtë qëllim?
Ministri pohoi se po ndiqet rruga e duhur nga ana funksionale për uljen e tij dhe theksoi se borxhi publik aktualisht ka një nivel prej 71 % dhe synimi është që në vitin 2017 të shkojë 65.5%, ndërsa plani tjetër afat-gjatë për 2019 është të tentojë 60% apo më pak.
Ministri krahasoi vendin tonë me rajonin, ku theksoi se Sllovenia i ka të ardhurat 6 herë më tepër se sa Shqipëria, por borxhi public e kanë të afërt. Sipas ministrit, Sllovenia i ka kushtet më të favorshme se sa ne për uljen e saj.
“ Shqipëria është më pranë Serbisë me nivel, ju të gjithë jeni të njohur me masat drastike që ka marrë Serbia, ka patur shkurtime drastike të buxhetit, ulje pensioni, pagash. Ndërsa ne kemi bërë një program i cili nuk ka masa drastike, ne nuk e kemi goditur popullsinë dhe po mbajmë nivelin e duhur për uljen e deficitit dhe borxhit.”, deklaroi ministri Cani.
Duke u ndalur tek eurobondi, Cani tha se deri tani janë bërë mbi 30 takime me investitorë që kanë shprehur interes. “Eurobondi i ri, mendohet të jetë nga 5 deri në 10 vite. Nëse monedha do të jetë dollarë apo euro, ende se kemi vendosur. Shuma do jetë 300 mln ose 500 mln. Kemi rënë në parim dakord me Bankën Botërore, e cila garanton një pjesë të kredisë për eurobondin”, u shpreh Cani.
Së fundmi, ministri u shpreh se Shqipëria ka pritshmëri për konsolidim më të larta , kemi program ambicioz reformash, ndaj jemi stabël dhe kemi mbështjetjen e FMN-së.
I pyetur nga anëtarët e Komisionit për çështjen e kallëzimit penal nga Bashkia për mos akordimin e kredisë, Ministri Cani u përgjigj se nuk mund të aprovojmë kredi që nuk plotësojnë kushtet themelore dhe nuk i dihet destinacioni.
Ministri Cani u ka kërkuar mediave që të shfaqin si duhet diskutimin në komision, për sa i përket çështjes së marrëveshjes me FMN-në. ” Ne jemi në marrëdhënie partneriteti, nuk jemi nën strukturën e FMN. Ne i dalim për zot vetes”, deklaroi Cani.
Ndërkaq, edhe Kreu i Komisionit Braçe, ka kryer një pyetje, se Sa do jenë shpenzimet e Këshillit të Ministrave për 2015.
“Në tërësi tek shpenzimet administrative është shtuar “One stop shop” për qytetarët shqiptarë, që do mbulohet nga Ministria e Inovacionit, që është rritur në krahasim nga viti i kaluar. Është në shërbim të qytetarëve, jo për “luksin” qeveritar.”, u është përgjigjur Cani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.