Përtej imazhit të bregdetit të zhurmshëm, me ndërtime të Durrësit… Nga plazhet ranore me pisha të paprekura nga dora e njeriut e deri te gjiret shkëmbore me ujë të kulluar. Gjithçka do të mund ta gjeni në një vijë bregdetare prej më shumë se 60 kilometrash të gjatë…
Nga Ornela Liperi
Një vijë bregdetare e pafund ka joshur historikisht qytetarë nga e gjithë Shqipëria, por dhe të huaj. Dyndjet masive, ndërtimet e shumta pa leje nga komunat, mjedisi, duket sikur e kanë zbehur imazhin e plazheve që rrethojnë Durrësin, por bregdeti ofron shumë më tepër se ajo që e njohin të gjithë. Në jug dhe në veri të zonës qendrore të bregdetit, mund të gjesh nga plazhet ranore me pisha të paprekura nga dora e njeriut e deri te gjiret shkëmbore me ujë të kulluar të përshtatshme edhe për turizmin aventuresk.
Plazhet e Durrësit arrihen lehtësisht me të gjitha llojet e mjeteve të transportit, pasi nëse perifrazojmë një shprehje latine: “Të gjitha rrugët të çojnë në Durrës”. “Monitor” sjell një udhëtim virtual në zonat e “panjohura” të qytetit bregdetar…
NË JUG
Plazhi i Gjeneralit
Pa hyrë në Kavajë, në autostradën e jugut, një tabelë e madhe të fton të kthehesh djathtas, dhe pasi ke ecur 20 minuta me makinë, dhe kalon kodrat e Kryevidhit të shfaqet në horizont Plazhi i Gjeneralit. Quhet i tillë për shkak të një gjenerali italian të Luftës së Dytë Botërore, që gjatë ekspeditave në zonën e Kavajës ndeshi në një gji të mrekullueshëm rreth 400 metra të gjerë, që puthej nga një det thellësisht blu, i cili copëzohej nga pjesë shkëmbore, duke krijuar një vijë të thërrmuar ujë-tokë, e cila mbyllej me dy kepa majtas-djathtas, në formën e një patkoi.
Sot plazhi, që arrihet lehtësisht me makinë, 20 minuta larg nga autostrada, mbetet një vend shumë i pëlqyer për ata që e njohin dhe e frekuentojnë dhe konsiderohet si pjesa më e bukur e rivierës në Jug të Durrësit.
Kepat shkëmborë që e rrethojnë janë konglomeratikë dhe e kanë mbushur bregun me zaje të vegjël shumëngjyrësh që formojnë një mozaik të mahnitshëm, i cili harmonizohet me blunë e ujit, të gjelbrën e shkurreve dhe të verdhën e rërës së plazhit.
Bota ujore është e pasur me peshq të llojeve të ndryshëm dhe me një specie të veçantë breshke detare, e cila ka zgjedhur pikërisht këtë plazh të vogël për të mbarështuar llojin e saj.
Panorama e gjirit është fantastike, ajo të krijon një ndjesi të plotë qetësie e çlodhjeje, të bën ta dashurosh natyrën.
Nuk mungojnë as lokalet turistike, që janë krijuar në harmoni me natyrën.
Spilleja
Nëse ka një zonë që të kujton bregdetin e dikurshëm të Golemit me pisha dhe rërë të trashë, është Spilleja. Zona arrihet pasi udhëton rreth 20 minuta me makinë, në një rrugë kodrinore 15 kilometra të gjatë, të shtruar dhe kalon nëpër fshatrat Luz i Vogël, lë në të djathtë pyllin e Bedenit, ecën përmes Sharrdushkut, Grethit të Mesëm, dhe fshati i fundit para se të mbërrish në plazh, është Spilleja. Ndonëse ndërtimet nuk mungojnë edhe këtu, ato nuk janë masive dhe ka shumë hapësirë të pashfrytëzuar. Deti blu dhe hapësira e pafund nuk ka asnjë ngjashmëri me hapësirën e mbipopulluar të Golemit.
Vija bregdetare e Spillesë është mjaft e gjerë, nga 50 në 200 metra gjerësi dhe disa kilometra e gjatë. Rëra e plazhit nuk është thjesht qetësuese, ajo është edhe mjaft kuruese.
Deti shtrihet pafund në pjesën jugore, deri në grykëderdhjen e Shkumbinit, ndërsa në veri, ndahet me Plazhin e Gjeneralit, duke u lidhur me të edhe me një rrugë të shkurtër, por që nuk është e këshillueshme për të gjitha llojet e makinave.
NË VERI
Kallmi
Pasi kalon zonën e Currilave dhe i ngjitesh kodrës, në një rrugë të pashtruar dhe të ngushtë, por jo shumë të gjatë, të dalin përpara disa gjire të vegjël me ujë të kulluar dhe nuk arrin të kuptosh se si kaq afër Durrësit ndodhesh në plazhe të ngjashme me Himarën apo Dhërmiun. Një zonë kjo që nuk njihet shumë dhe që frekuentohet kryesisht nga durrsakët. Nuk mungojnë lokalet dhe shërbimet e ndryshme për plazhistët.
Porto Romano
Rruga që të çon në Spitallë fsheh pas kodrave (të mbushura me objekte të antikitetit sapo nis e gërmon pak) një plazh kryesisht shkëmbor të ngjashëm me atë të jugut. Në qendër të Porto Romanos i ngjitesh kodrës që të nxjerr në Gjirin e Porto Romanos, një nga zonat më të bukura të Durrësit, me një plazh shkëmbor me ujë kristal. Mund të shkosh me makinë deri në majë të kodrës, pastaj zbritja bëhet në këmbë, pak e vështirë për shkak të rrëshqitjes së kodrës. Mos u çudisni që edhe këtu të shikoni mbetje të bunkerëve të komunizmit. Nuk mungojnë as burimet natyrore të ujit, që rrjedhin nga kodra, megjithëse nuk janë shumë të përshtatshme për t’u pirë.
Portez
Nëse kalon Spitallën dhe vazhdon të ecësh drejt në një rrugë të shtruar, menjëherë sapo lë pas depozitat e karburanteve, pamja është komplet tjetër. Pas një kodre të vogël shfaqet Gjiri i Portezit, një plazh i vogël dhe i qetë privat me rërë dhe ujë kristal, ku mund të kalohet një ditë e këndshme, larg rrëmujës së plazheve masive të zonës qendrore të Durrësit.
Fshati Rinia
Në vijim të Portezit, por i arritshëm nga një rrugë krejt tjetër (nga Shkozeti në N.Tulla drejt fshatit Rinia) është një tjetër plazh që të kujton Durrësin dikur, me rërë të pastër dhe një hapësirë të madhe me pisha, e ujë të pastër. Ky plazh shtrihet rreth 11 kilometra në veri të qytetit të Durrësit.
Nuk mungojnë plazhet private, por aq hapësirat publike. Kurora e gjelbër nis në pikën skajore të Porto Romanos dhe vijon deri afër grykëderdhjes së lumit Erzen në det. Gjerësia e pyllit të dendur diku zgjerohet dhe diku ngushtohet. Vende-vende janë ndërtuar lokale të cilat frekuentohen me të çelur pranvera deri në vjeshtën e dytë.
Në të dy anët shtrihet laguna e cila është harta-harta me gjire e parcela toke të gjelbëruara të krijuara nga baticat e zbaticat e detit. Në orët e para të mëngjesit, laguna zbardhet e gjitha nga pulëbardhat, pëllumbat e lejlekët që fluturojnë ulët për të gjetur ushqim, ndërsa në orët e pasdites së vonë këta shpendë fluturojnë mbi kokat e pushuesve duke krijuar një pamje mahnitëse.
Plazhi është i cekët, pa leshterikë e pa gurë, shumë i pastër dhe fryn erë e lehtë thuajse çdo ditë duke e mbajtur të freskët gjithë vijën bregdetare, pavarësisht temperaturave të mjedisit.
Rrushkull
Pasi lë autostradën Tiranë-Durrës dhe kthehesh në Sukth deri te kthesa e Ariut, hyn në fshatin Rrushkull, që detin e ka shumë pranë. Rruga nga fshati deri në det kalon përmes rezervateve natyrorë, që janë shfrytëzuar dhe si kopshte zoologjike nga privatët. Plazhi të çon mbrapa në kohë, me bunkerët e shumtë që kanë hyrë në det, për shkak të erozionit të detit.
Hamallaj
Sa më në veri drejtohesh, aq më bujare është treguar natyra, me ujë të pastër dhe rërë të trashë. Plazhi i Hamallajt, pak para së të shkosh te Gjiri i Lalzit, ka mbetur ende i pashfrytëzuar dhe pak i populluar, ndryshe nga zona që shtrihet pak më tutje. Ndërsa natyra e ka bërë mrekullinë e saj, dora e njeriut nuk ka ngurruar ta ndotë këtë zonë, që gjithsesi mbetet interesante për të kaluar një ditë pranë bregdetit.
Gjiri i Lalëzit
Larg zhurmës dhe rrëmujës, mes pishave dhe freskisë ndodhet Gjiri i Lalëzit. Kjo zonë natyrore me 35 kilometra bregdet të virgjër (përfshirë gjithë hapësirën deri në fund të Kepit të Rodonit) të kufizuar nga pylli ka tërhequr vëmendjen e investitorëve. Masterplani i zhvillimit të kësaj zone është miratuar në vitin 1997 dhe është riparë për t’u dhënë hapësira të reja investitorëve dhe për të zgjeruar konceptin e zhvillimit të kësaj zone në një nivel të ri. Fshatrat e parë turistikë janë ndërtuar dhe të tjerë janë në plan, teksa shumë zona me pisha tashmë janë rrethuar me gardhe prej rrjete.
Vitet e fundit, pas ndërtimit të rrugës, plazhi është bërë shumë i frekuentuar nga pushuesit, sidomos ata nga Tirana, duke krijuar në fundjavë trafik të rënduar. Me masivizimin, plazhi nuk të intrigon më si më parë.
Kepi i Rodonit, mes aventurës e turizmit kulturor
Por të gjithë aventurierët, që kërkojnë hapësira të tjera për të eksploruar, mund të vazhdojnë rrugën më tej, pa u kthyer në Gjirin e Lalëzit dhe t’i ngjiten kodrës për t’iu drejtuar Kepit të Rodonit. Rruga në kodër, e shtruar së fundmi, por tepër e ngushtë, ka një pamje mahnitëse, që të kujton disi bregdetin e Malit të Zi. Vetëm 25 minuta me makinë dhe mbërrin në një zonë ku aventura ndërthuret me turizmin historik e kulturor dhe plazhe me rërë të bardhë e ujë të kulluar të stilit ekzotik, rrëzë kodrës e shkëmbinjve, që mund të gjenden vetëm në këtë zonë. Jo më kot, Kepi i Rodonit, që mban emrin e një hyjnie ilire të ngjashëm me Poseidonin helen dhe Neptunin romak, të njohur në mitologji si perëndi të detit, është një nga pjesët më të bukura dhe strategjike të bregdetit shqiptar.
Sapo mbërrin, nuk mund të rrish pa vizituar kishën e Shën Ndout. Për shkak të vlerës që i dha Kishës dhe ndërtimeve që bëri Skënderbeu në atë zonë të Kepit në shekullin XV, indirekt Kisha lidhet edhe me emrin e Skënderbeut. Monumenti paraqet vlera si një ndërtesë që i takon arkitekturës romano-gotike të shek. XIII. Pas rindërtimit të saj, vitet e fundit mund të shihen ende qartë një kalorës mbi kalë dhe një shqiponjë dykrenare, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve ka gjurmë të tjera afresku. Studiues të ndryshëm e vendosin ndërtimin e Kishës së Shën Ndout dhe Manastirit të Shën Mërisë, në shekullin XIV. Nisur nga vlerat e saj monumentale, të lidhjes së ekzistencës së saj me njërën nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë, si dhe pozicionit gjeografik dhe peizazhit mahnitës, Kisha e Shën Ndout është një nga pikat më të vizitueshme për turistët dhe vizitorët vendas. Ajo kishë dhe zonat për rreth konsiderohen vend i shenjtë dhe më datë 13 Qershor të çdo viti Kisha bëhet vend pelegrinazhi dhe feste ku përveç mijëra banorëve vendas dhe të zonave përreth vijnë edhe turistë e vizitorë të tjerë.
Nuk duhet lënë pa vizituar kalaja e Skënderbeut, e aksesueshme në këmbë, nga kisha përmes një shtegu kodrinor, rreth 25 minuta në ecje. Një rrugë që nuk e ndien aspak, për shkak të bukurive natyrore që shikon në të dy anët e kepit, me shkëmbinjtë që bien thikë mbi det, duke krijuar gjire të vogla ranore me ujë të kulluar. Një pjesë e bregdetit është vështirë e aksesueshme nga toka, duke e bërë atë pak të frekuentueshme, por një zgjidhje ideale për të gjithë ata që kërkojnë pak aventurë.
Pasi kalon kodrën me pamjen e saj mahnitëse, mbërrin në kalanë e Skënderbeut. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtër raguzianë të ndërtimit.
Zona nuk i ka shpëtuar dorës shkatërruese të njeriut, me mbetjet plastike që vijnë nga lumi dhe i prishin magjinë historisë shumëvjeçare dhe bukurive të natyrës shqiptare.
Lashtësia që mund të ringjallet nga turizmi
– Mijëra e mijëra vjet më parë, Durrësi apo Dyrrahu siç i thoshin atëherë, ishte qendra më e rëndësishme tregtare mes Perëndimit dhe Lindjes. Historianët flasin për një qytet, që fare mirë në kohët e lashta mund të krahasohej me qytetet më të fuqishme të Europës së atëhershme.
-Ka qenë një kohë kur Durrësi nuk ishte vetëm qytet i ligjeve të mira, siç thotë Aristoteli, qytet i detarëve, tregtarëve dhe muzikantëve, siç e vlerëson Erazmi i Roterdamit, por edhe një qytet i bukur, i pasur me vreshta e ullinj, sipas Strabonit.
-Në vitin 229, p.e.s, ndërtohet e famshmja Rrugë Egnatia, duke e shndërruar kështu Durrësin në qendrën më të rëndësishme tregtare mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo i dha qytetit zhvillim të madh ekonomik. Në këtë kohë nis ndërtimi i një rrjeti të madh kanalizimesh, ndërtohet Teatri, Amfiteatri, Ujësjellësi dhe shumë monumente të tjera të rëndësishme.
-Durrësi ngjante si të gjitha qytetet shtetet të bregut të Adriatikut, Raguza dhe Ankona. Qyteti kishte lazaretin të përmendur, doganën, institucionet e veta dhe sipas një dokumenti të vitit 1346, Durrësi kishte dhe Universitetin e tij. Profesorë të Durrësit jepnin mësime në Universitetet e Padovës dhe Bolonjës.
-Banjat antike janë ndërtim i shek. I-II e.s. dhe gjenden në themelet e Pallatit të Kulturës Aleksandër Moisiu. Ato funksiononin me banjë të nxehtë dhe me avull. Për nga rëndësia krahasohen me termat e Karakalës në Romë.
-Në kantinat e katedrales së Durrësit ruheshin verëra shumë të kërkuara. Ky prestigj u ruajt deri në shekullin XIII, ku siç dëshmohet nga katedralja e Durrësit, për çdo vit i dërgoheshin Papës në formë honori, gjashtë shishe me verë. Kjo traditë u ruajt deri vonë, duke përcjellë në kohë bashkë me verërat edhe famën e prodhuesve.
-Në veprën “Shqipëria në 1927” në paragrafin për qytetin e Durrësit theksohen ndryshimet që e dallojnë në të njëjtën kohë nga shumë qytete të vendit tonë. “Gjendja shoqërore e kësaj prefekture është e mirë, sidomos populli i qytetit të Durrësit bën një jetë moderne si në fjetje në banim, në ushqim dhe në veshmbathje…”, falë kjo dhe qenies së tij në këtë kohë një qytet-port nga më të rëndësishmit e vendit, me një komunikacion të fuqishëm detar, ku përveç anijeve italiane, jugosllave e greke lundronin dhe ato të flotës detare shqiptare. Durrësi është jo vetëm qendra e tregtisë së kësaj prefekture, por dhe porta e importeve dhe eksporteve të prefekturave Elbasan, Berat e pjesërisht të Korçës. Tregtia e jashtme më shumë bëhet me Italinë, Jugosllavinë e Greqinë, Anglinë, Francën e Austrinë. Eksporti i bërë me këto shtete arrin shifrën e 4 280 690 fr. ari. Tregu i Durrësit, brenda një viti, ka bërë një lëvizje tregtare prej 25 000 000 franga ari.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.