Ekspertët thanë se kishte një kontradiktë midis pretendimeve se Ligji i ri i punës shkaktoi rënie të papunësisë dhe të dhënave, duke referuar se numri i personave në punë nuk është rritur me të njëjtin numër.
Pasi Aleksandar Vulin, ministri i Punës së Serbisë, tha se qeveria arriti të reduktojë papunësinë me më shumë se 6% në një vit, ekspertët paralajmëruan se e ardhmja e tregut të punës nuk është aq rozë sa ai ka sugjeruar.
“Nëse të dhënat e kësaj [qeverie] janë të vërteta, ka shanse për rritje ekonomike, që në fakt nuk ishte ky rasti”, – tha për BIRN, Milojko Arsiç, profesor ekonomie në Belgrade University.
Sipas Vulin, ligji i punës miratuar kohët e fundit, është dëshmuar tashmë i suksesshëm për shkak se ai ka ndihmuar që norma e papunësisë të bjerë në 17.6%.
“Ligji i punës është një nga ligjet që kontribuuan në rënien e normës së papunësisë; ai nuk është i vetmi faktor, por është me siguri një nga faktorët”, – deklaroi Vulin.
Ai citoi të dhënat e publikuara nga Enti i Statistikave të Republikës së Serbisë, e cila tha se norma e papunësisë në gusht ishte 17.6%, krahasuar me 24.1% në të njëjtin muaj në vitin 2013.
Megjithatë, Zyra e Statistikave gjithashtu tregoi se në të njëjtën periudhë, punësimi u rrit nga 52.1% në vetëm 55.2%.
Mijat Lakiçeviç, ekspert ekonomie me bazë në Beograd, tha se mund të ketë disa arsye për rënien e papunësisë përveç ligjit të punës.
“Disa njerëz në pension janë hequr nga lista e papunësisë së shtetit”, – tha Lakiçeviç.
Ai gjithashtu vuri në dukje se rënia e normës së papunësisë nuk do të thotë detyrimisht përmirësim i përgjithshëm i ekonomisë.
“Çelësi kyç do të jetë rritja në nivelin e punësimit”, – tha ai për BIRN.
Arsiç tha se mund të ketë disa arsye të mundshme për tablonë keqinformuese të paraqitur nga Vulin, duke përmendur gabime në matjen dhe metodologjinë e ndryshuar mes tyre.
Duke i cilësuar të dhënat qeveritare si “të çuditshme”, Arsiç shtoi se të dhënat ‘nuk pasqyrojnë gjendjen reale në tregun e punës’.
Ligji i ri i punës u miratua më në fund në qershor, pas muajsh protesta të punëtorëve dhe negociatave mes qeverisë dhe sindikatave.
Sindikatat u ankuan se ligji e kishte bërë më të lehtë që punëdhënësit të pushonin stafin që shkelte disiplinën e punës ose nuk përmbushte objektivat e performancës, të shkurtonin shpërblimet dhe të kufizonin shtrirjen e marrëveshjeve kolektive.
Ligji, i cili është parë si një zgjidhje e ndërmjetme, duhet të ndryshohet në të ardhmen e afërt, si pjesë e procesit të integrimit të Serbisë në BE.
Një version i mëparshëm i draftit të ligjit të punës ka ndezur polemika dimrin e kaluar dhe rezultoi në dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë, Sasha Raduloviç, i cili po përpiqej të bënte ndryshime dramatike në legjislacionin e punësimit, për të cilat qeveria nuk ishte e gatshme.
Disa vëzhgues besojnë se kjo ishte një nga arsyet pse, menjëherë pas kësaj, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.