Performanca e dobët e eksporteve të 2014-s po nxjerr në pah dobësinë strukturore të ekonomisë shqiptare, që varet nga eksportet që kanë pak vlerë të shtuar dhe shitjen e burimeve të papërpunuara natyrore…
Eksportet kanë shënuar në 2014-n ritmet vjetore më të ulëta të rritjes që në 2009, duke u zgjeruar me vetëm 3.7%. Duke përjashtuar 2009-n, ky është ritmi më i ulët i rritjes së eksporteve në dekadën e fundit. Ndikimin kryesor në këtë performancë të dobët e ka dhënë rënia e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, grup që deri një vit më parë ishte motori kryesor i eksporteve shqiptare. Peshën kryesore këtë vit e kanë mbajtur tekstilet e këpucët.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, për gjithë vitin 2014 u eksportuan 256 miliardë lekë, me një rritje prej 3.7% me bazë vjetore. Performanca e dobët e eksporteve të 2014-s po nxjerr në pah dobësinë strukturore të ekonomisë shqiptare, që varet nga eksportet që kanë pak vlerë të shtuar dhe shitjen e burimeve të papërpunuara natyrore.
Arsyet e rënies së “mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë”
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” kanë shënuar një rënie të thellë vjetore prej gati 14%, duke zbritur në 86.6 miliardë lekë. Vetëm në dhjetor, ky grup ra me 30%.
Kompania nxjerrëse e naftës Bankers, një prej eksportueseve më të mëdha në vend, që prej muajit gusht, një pjesë të prodhimit e shet në tregun vendas, tek ARMO. Nga ana tjetër dhe rënia e ndjeshme e çmimeve të karburanteve në gjysmën e dytë të vitit të kaluar ka dhënë efektin e saj në tkurrjen e eksporteve të këtij zëri.
Beralb, kompania e prodhimit të bakrit, një tjetër zë me peshë në këtë grupmall, pothuajse gjatë gjithë vitit 2014 ka mbyllur një prej galerive të saj, atë të Lakroshit. Administratori i kompanisë, Nazmi Kumanova, tregon se me çmimet e ulura që asokohe, nuk kishte më vlerë nxjerrja e mineralit të “larguar” tashmë në thellësi të tokës. Për këtë arsye, dhjetëra punonjës prej një viti, kompania vendosi t’i dërgojë në shtëpi, ndërsa i paguan 25 mijë lekë në muaj. Çmimi i koncentratit të bakrit ka zbritur aktualisht në 1050 dollarë për ton, ndërsa minerali i varfër i Lakroshit kishte kosto të lartë. Me këtë hap, niveli i kapaciteteve përpunuese u ul në 40% e po kaq ranë eksportet krahasuar me vitin 2013.
Edhe eksportet e energjisë kanë rënë, për shkak të motit të pafavorshëm në 2014.
Ndërsa deri në 2014, shitjet e “lëndëve djegëse dhe energji” ishin motori i ekonomisë, duke zënë 40% të totalit në vitin 2013, në 2014-n pesha e tyre ka rënë ndjeshëm, në 34%. Pritshmëritë nuk janë pozitive për këtë grup as në 2015, si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Rritja e tekstileve
Eksportet e tekstileve kanë pasur një vit të mbarë në 2014-n, duke ruajtur ritme të larta rritjeje dy shifrore përgjatë gjithë vitit.
Për gjithë vitin 2014, shitjet jashtë vendit të tekstileve e këpucëve u rritën me 23.8% në 85.9 miliardë lekë, duke u kaluar në grupin më të madh eksportues në vend, me rreth 34% të totalit.
Industria është rigjallëruar si rrjedhojë e kthimit të partnerëve italinë sërish drejt vendeve të afërta, duke shfrytëzuar avantazhet e vendit, si kosto ende e lirë e fuqisë punëtore, aftësia për të punuar me porosi të vogla, afërsia gjeografike, specializimi etj. Ky grup ka neutralizuar efektin negativ të rënies së “minerale, lëndë djegëse, energji”.
Grupet e tjera
Grupi i tretë më i madh i eksportuar ishte materiale ndërtimi dhe metale, me një rritje modeste prej 2.4%, në 37 miliardë lekë.
Ecuri pozitive kanë shënuar eksportet e ushqimeve, pijeve alkolike dhe duhan, që kanë parë një zgjerim vjetor prej 14%, ndonëse pesha e tyre vijon të mbetet e ulët.
Eksportet e drurit dhe letrës, pas rritjes së lartë, mbi 20%, të pjesës së parë të vitit, e kanë mbyllyr 2014-n me një zgjerim vjetor prej 15%. Ndikimin kryesor në këtë zë e ka dhënë kompania Center Shqiptare me qendër në Berat, që eksporton kryesisht çanta letre në Europë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.