Enti Rregullator i Energjisë anuloi ndryshimin e çmimeve në të gjitha nivelet për 2017

07/04/2017 1:56 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Enti Rregullator i Energjisë, në një vendim që mori dje, vendosi të mos ndryshojë tarifat e energjisë edhe për këtë vit edhe pse, kompanitë kishin kërkuar rritje për segmente të ndryshëm konsumatorësh.

Në mbledhjen e djeshme, ERE vendosi që të lërë në fuqi vendimet 139, 145, 146, 147 dhe 148 të vitit 2014. Këto vendime të ERE-s, më 2014, përcaktuan çmimet që konsumatorët paguajnë sot dhe gjithashtu çmimet që kompanitë e sektorit energjetik i paguajnë sot njëra-tjetrës për prodhimin dhe transmetimin, të cilat do të jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor 2017.

OSHEE kërkoi që më 2017 të aplikohen tarifa në nivele tensioni. Për konsumatorët fundorë, OSHEE kërkoi 4.9 lekë për kilovatorë tarifë, e cila bashkë me tarifat e tjera të transmetimit dhe prodhimit dhe furnizuesit me shumicë, arrijnë nivelet aktuale të çmimit që është sot në fuqi prej 11 lekësh për kilovatorë.

Gjithashtu ERE la të pandryshuara edhe tarifat e tjera për çdo nivel tensioni.

Enti Rregullator nuk ndryshoi as tarifën që KESH ia shet OSHEE energjinë, edhe pse modeli i tregut që është në zbatim aktualisht kërkon që kjo tarifë të ndryshojë.

Aktualisht KESH e shet një kilovator energji 1.45 lekë dhe kishte kërkuar që kjo tarifë së paku të ishte 2.4 lekë. Enti Rregullator nuk mori në konsideratë këtë kërkesë.

Operatori i Transmetimit të Energjisë OST kishte kërkuar dyfishim të tarifës për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Tarifa e kërkuar është 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht. Por Enti Rregullator nuk e ka marrë në konsideratë këtë kërkesë duke e lënë të pandryshuar tarifën.

Sipas shpjegimeve që vetë OST ka dhënë, rritja e tarifës kërkohet për të realizuar rreth 7,6 miliardë lekë të ardhura që duhen për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit. OST thotë se këtë vit, vetëm pagesat për anëtarësim në organizata europiane dhe rajonale kushtojnë mbi 500 mijë euro.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz