Drejtoria e Buxhetit në Ministrinë e Financave ka nisur të përllogarisë ndryshimet në buxhetin e vitit 2017 për t’i prezantuar ato tek ministri ri në fillim të shtatorit.
Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se më shumë gjasë ndryshimet do të destinojnë disa fonde për importin e energjisë. Gjatë periudhës janar-qershor 2017 suficiti buxhetor ishte mbi 3 miliardë lekë ose rreth 22 milionë euro. Kjo shumë mund të financojë blerjen e energjisë edhe pse ky nuk është një instrument që lejohej në marrëveshjen që në kishim më FMN.
Por gjithsesi importet e energjisë mund të financohen me 3 miliardë lekë që ishin parashikuar qysh në fillim të vitit.
Llogaritë flasin se për të përballuar konsumin deri në tetor duhen së paku 70 milionë euro. Kjo shumë i kalon mundësitë e Operatorit të Shpërndarjes, ndaj ente të tjera duhet të futen në lojë. Për momentin, fondi rezervë në buxhet prej 22 milionë eurosh është e mjaftueshëm për të përballuar vetëm një muaj importe, nëse thatësia vijon.
Një shumë tjetër rreth 22 milionë euro, që është pjesë e kredisë së Bankës Botërore e dedikuar për importe emergjente, pritet të azhurnohet në shtator, me krijimin e qeverisë së re, por sërish kërkohen më tepër.
Në vitin më të keq, ku mungesa e reshjeve ka kërkuar importe të mëdha, janë dashur 100 milionë euro për të përballuar importin. Në një situatë të ngjashme është edhe këtë vit vendi. Kjo sasi valute, e cila gjithsesi amortizohet nga të ardhurat e përmirësuara të OSHEE, do të dalë jashtë vendit për blerë energji, në vend që të përkthehej në investime apo shpenzime të tjera brenda vendit.
Por të njëjtat burime në Ministrinë e Financave pohojnë se rishikimi i buxhetit në mes të vitit është një procedurë normale edhe pa krizën e reshjeve. Në raste në rast se ka suficit rekomandohet të përdoret 50 % për qind investime dhe pjesa tjetër për shlyerjen e borxhit. Nëse ka deficit shkurtohen shpenzimet buxhetore siç është aplikuar dy vitet e fundit.
Gjithsesi ndryshimet në buxhetin e shtetit do të bëhen në shtator nga ministri i ri. Më pas këto ndryshime do të kalojnë për miratim në qeveria dhe më pas në Parlament.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.