Banka e Shqipërisë ka njoftuar se do të organizojë në 23 dhjetor një ankand për llogari të Ministrisë së Financave ku do të kërkojë të shesë në tregun e brendshëm 20 milionë euro bono thesari me afat maturimi 12 mujor.
Ky është ankandi i 11 që zhvillohet në euro, rreth dy vjet pasi filloi blerjen e letrave me vlerë në monedhën e përbashkët europiane, në përpjekje për të diversifikuarportofolin e borxhit.
Ankandi i mëparshëm i bonove në euro u zhvillua në korrik 2014, ku shuma e kërkuar nga investitorët ishte dyfishi i asaj të shpallur nga financat prej 15 milionë eurosh, ndërsa interesi arriti në 2.42%.
Dy muajt e fundit, financat nuk kanë arritur të mbledhin të gjithë shumën e kërkuar në monedhën vendase, për shkak të interesit të ulët të bankave dhe institucioneve të tjera financiare për të blerë bono thesari në lekë çka ka çuar në rritjen e yield-it të bonove.
Ndërsa në 10 ankandet e mëparshme të bonove të thesarit në euro, financat kanë arritur lehtësisht të marrin të gjithë shumën e kërkuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.