Fond i Investimeve Sovrane

30/11/2018 10:02 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Qeveria e Bukureshtit miratoi një dekret emergjent për krijimin e Fondit për Zhvillim dhe Investim Sovran, që synon zhvillimin dhe hapjen e bizneseve fitimprurëse për shtetin rumun. Autoritetet planifikojnë të krijojnë instrumente për investime financiare ose ndërmjetësim financiar të aksioneve në projekte ose kompani fitimprurëse, një segment që tregu financiar rumun nuk e mbulon.

Nga njëra anë, këto mekanizma duhet të kenë një efekt shumëfishues në ekonomi dhe të ndikojnë në një zhvillim të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, duhet të nxisin ose mobilizojnë burimet financiare në dispozicion drejt sektorit real dhe projekteve fitimprurëse. Qëllimi i Fondit nuk është privatizimi, shpjegon më tej ministri i Financave, Eugen Teodoroviç.

Ai ka dhënë garanci se Fondi do të ketë kontribut vendimtar në zhvillimin ekonomik të Rumanisë, duke siguruar një burim alternativ financimi të investimeve të rëndësishme në infrastrukturë, industri dhe në tregun e kapitalit.

Ministri Teodoroviç specifikon llojin e financimeve në dispozicion nëpërmjet fondit të sapokrijuar: financimi i ndërmarrjeve në faza të ndryshme të zhvillimit, duke përfshirë këtu edhe startup-et; financimi i kompanive rumune me rëndësi strategjike dhe ndjekja e strategjisë së energjisë; investimi në projekte të industrisë dhe infrastrukturës; rritja e konkurrencës së ekonomisë rumune, nxitja e inovacionit dhe teknologjive të reja; krijimi i vendeve të reja të punës në mënyrë të qëndrueshme; zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe social në plan afatgjatë, dhe së fundi por jo më pak e rëndësishme, zhvillimi i tregjeve të kapitalit.

Z. Teodoroviç tha se Fondi do të funksionojë si një shoqëri aksionere rumune, ku rregullat e organizimit dhe funksionimit që do të vendosen në një datë të mëvonshme, nëpërmjet një dekreti tjetër qeveritar. Shteti do të ketë dy përfaqësues në bordin e Fondit, nga nëntë përfaqësues gjithsej.

I përcaktuar në programin qeverisës 2017-2020 dhe duke u mbështetur në përvojën e shteteve si Franca, Norvegjia, Polonia dhe Italia, Fondi Sovran do të përbëhet kryesisht nga kompani fitimprurëse shtetërore rumune dhe do të ketë një kapital prej rreth 2 miliardë eurosh. Ministri rumun tha se këto kompani mund të përfshihen dhe të shiten në tregun e bursës deri në masën prej 51%.

Fillimisht, Parlamenti miratoi një ligj mbi themelimin e Fondit Sovran, i cili më vonë u deklarua jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi se një fond nuk mund të krijohet duke miratuar një ligj në Parlament, por vetëm nëpërmjet një dekreti të qeverisë. Javën e kaluar, Ministria e Financave e hodhi për diskutim publik projektin për themelimin e Fondit Sovran. Ajo e cilësoi situatën të jashtëzakonshme e cila duhej të rregullohej urgjentisht, duke kërkuar miratimin e menjëhershëm nëpërmjet dekretit të qeverisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of