Pak kohë më parë, Lloyd’s (institucion i specializuar në fushën e sigurimeve me seli në Londër) parashikoi se Franca do të fitonte Kupën e Botës 2018
Lloyd’s publikoi një kërkim së bashku me “Center for Economics and Business Research” (CEBR) duke hartuar klasifikimin e Botërorit, bazuar te vlera e sigurimit të të gjithë lojtarëve. Vlera totale e gjithë skuadrave është 13,1 miliardë sterlina. Franca (£ 1,43 miliardë), Anglia (£ 1,17 miliardë) dhe Brazili (£ 1,1 miliardë) ishin skuadrat më të kushtueshme sa i përket vlerës së sigurimit. Loyd’s parashikoi se Gjermania nuk do ta mbronte titullin, kurse Franca do të shpallej Kampione e Botës. Analiza të ngjashme u bënë nga Lloyd’s dhe CEBR edhe për Kupën e Botës 2014, të cilat parashikuan me saktësi se Gjermania do të fitonte këtë kompeticion.
Një Kupë Bote që vlen 32,5 milionë euro. Suksesi në finale përballë Kroacisë i ka siguruar Federatës Francese një shpërblim prej 32,5 milionë eurosh nga ana e FIFA-s; Kroacia 23,9 milionë euro, ndërsa Belgjika 20,5 milionë euro, pas fitores përballë Anglisë për vendin e tretë dhe të katërt.
Këto para, në rastin e Francës, do të përfundojnë pjesërisht në xhepat e lojtarëve si shpërblim. Sipas zërave, marrëveshja e arritur mes lojtarëve dhe Federatës parashikon që të marrin një pjesë prej 30% të shpërblimit të vënë në dispozicion nga FIFA.
Në thelb, 23 lojtarët do të ndajnë mes tyre rreth 9,75 milionë euro, flitet për rreth 423 mijë euro secili, një shifër e cila mund të rishikohet dhe zvogëlohet nëse parashikohet një pagesë edhe ndaj stafit. Lojtarët francezë përfitojnë edhe 20 mijë euro për çdo ndeshje të luajtur me fanellën e Kombëtares.
Disa lojtarë tashmë kanë vendosur ta dhurojnë shpërblimin për bamirësi. “Mbappé ka zgjedhur t’i dhurojë të gjithë paratë për bamirësi. Edhe futbollistë të tjerë i janë bashkuar nismës dhe kanë dhënë edhe ata kontributin e tyre. Të tjerët janë plotësisht të lirë të bëjnë çfarë të duan, nuk ka direktiva specifike”, – ka deklaruar presidenti i Federatës Franceze, Noel Le Graet.