INSTAT publikon të dhënat për prodhimin e brendshëm bruto (PBB) për periudhën janar-shtator 2012. Rritja vjen nga postë telekomunikacioni, industria dhe shërbimet e tjera…
Pas një rënieje me bazë vjetore në tremujorin e parë (-0.2) dhe rritjeje të dobët në të dytin (rreth 2%) ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja gjallërimi për periudhën korrik-shtator. Sipas raportit të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB) të INSTAT, Ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2012 u rrit me 2.7 përqind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 u rrit me 2.4 përqind.
Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin Posta dhe komunikacioni, Industria dhe Shërbimet e tjera respektivisht me 21.6 përqind, 11.4 përqind dhe 9.1 përqind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011. Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin Ndërtimi dhe Transporti respektivisht me -16.5 përqind dhe -11.5 përqind.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2012 me rritje u paraqit Industria me 10.3 përqind, Posta dhe komunikacioni me 3.3 përqind, Ndërtimi me 1.4 përqind dhe Transporti me 0.2 perqind. Tregtia, Hotele dhe Restorante u shfaq me rënie krahasuar me tremujorin para-ardhës respektivisht me -0.2 përqind.
Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 5.6 përqind, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2011 dhe 1.3 përqind kundrejt tremujorit para-ardhës.
Burimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.