Gjermania e kthen vështrimin drejt tregut amerikan

03/08/2013 8:32 AM 0 komente

Eksportuesit i drejtohen Amerikës për të “kompensuar deficitin”, teksa Kina ngadalësohet dhe Eurozona mbetet e dobët

Kompanitë gjermane po mbështeten gjithnjë e më shumë tek Amerika për të zbutur goditjen nga ngadalësimi ekonomik i Kinës dhe recesionin që ka përfshirë pjesën më të madhe të Eurozonës, një lëvizje vendimtare që synon të frenojë tkurrjen në ekonominë më të madhe të Europës.

Trendi është theksuar nga të dhënat e fundit, duke përfshirë një rritje në një tregues kyç të ndjesisë së investitorit gjerman pas rënies për tre muaj radhazi.

“Ka një ‘rilindje” në SHBA për kompanitë gjermane”, tha Andreas Rees, ekonomist në UniCredit në Frankfurt.

Eksportet drejt SHBA-së, tregu i dytë më i madh i Gjermanisë pas Francës – u rritën 3.5% në katër muajt e parë të vitit 2013 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas UniCredit. Ato ranë 1.2% në Francë dhe 2% në Kinë, tregu i pestë më i madh i Gjermanisë, duke ngjallur shqetësime se ato mund të shënojnë tkurrjen e tyre të parë vjetore në Kinë, që nga kriza financiare aziatike në vitin 1997.

Eksportet përbëjnë 40% të ekonomisë gjermane. Gjermania përfshin përafërsisht një të tretën e PBB-së së Eurozonës, duke e bërë atë ekonominë më të madhe kombëtare të Europës.

Jens Nagel, ekspert në BGA me bazë në Berlin, që përfaqëson rreth 60,000 kompani gjermane aktive në tregti, tha se ai pret që eksportet në SHBA të rriten 15% këtë vit në gati 100 miliardë euro (130 miliardë dollarë) duke e pozicionuar SHBA-në krah Francës si destinacionin kryesor të eksportit për produktet gjermane. Sektorët që përfshijnë automobilat, kimikatet dhe furnizuesit e makinerive të lidhur me energjinë dhe prodhimin e metaleve duhet të përfitojnë më shumë, tha ai.

“Tregu amerikan duket të jetë mjaft i fortë”, tha Kirsten Schoder-Steinmüller, pronar i “Schoder GmbH”, një kompani makinerish dhe pjesësh jashtë Frankfurtit.

Pas një fillimi të ngadaltë në vit, shitjet amerikane të kompanisë së saj janë rritur me ritme vjetore prej rreth 30% që nga maji, kryesisht për shkak të zgjerimit të kërkesës nga industritë e filmit dhe televizionit, të cilët përdorin komponentët e prodhuar nga Schoder për pajisjet. Ajo shpreson se rritja e investimit të energjisë në SHBA do të nxisë kërkesën për metalet e kompanisë së saj, që përdoren në turbinat e gazit.

SHBA siguron rreth 8% të të ardhurave vjetore prej 10 milionë eurosh të Schoder, një përqindje shumë më e madhe se sa Kina.

Kjo ka neutralizuar kërkesën e dobët nga pjesët e tjera të Europës dhe ekonomitë në zhvillim, duke i mbajtur të ardhurat të qëndrueshme dhe ka ndihmuar znj. Schoder-Steinmüller të shmangë shkurtimet në stafin e saj prej 80 punonjësish.

Kjo zhvendosje drejt Perëndimit është e dukshme edhe në pjesë të tjera të Eurozonës. Eksportet e SHBA-së në bllokun prej 17 vendesh u rritën 2% në katër muajt e parë të vitit 2013 nga viti i kaluar, sipas shifrave nga Zyra e Statistikave të Bashkimit Europian. Kjo e rriti suficitin tregtar me SHBA 16% më lart në 24 miliardë euro. Eksportet në Kinë ranë 3% gjatë së njëjtës periudhë.

Suficiti i përgjithshëm tregtar i Eurozonës ra 600 milionë euro në maj në 14.6 miliardë euro, teksa u tkurrën eksportet dhe importet. Megjithëse rënia në tregtinë e përgjithshme pasqyron dobësinë e ekonomisë botërore, suficiti i madh duhet të mbështesë PBB e Eurozonës, i cili është tkurrur për 18 muaj që nga tremujori i parë, thonë analistët.

Kina ka raportuar një rritje në tremujorit të dytë të PBB-së prej 7.5%, duke rënë nga 7.7% në tremujorin e parë. Disa ekonomistë mendojnë se rritja do të ngadalësohet në gati 7% gjatë gjysmës së dytë të vitit, një kufizim tjetër ndaj dërgesave gjermane në vend, të cilat duke qenë në gati 70 miliardë euro vitin e kaluar, përbënin 6% të 1.1 trilionë eurove në eksporte të Gjermanisë.

SHBA nuk ka pse të arrijë norma të ngjashme të rritjes së Kinës për t’i dhënë një shtysë Gjermanisë, thonë analistët, ose të kthehet në normat para se të fillonte kriza prej rreth 3%. Përkundrazi, ajo që nevojitet është rritja e qëndrueshme 2% deri në 2.5% shoqëruar nga shpenzimet konsumatore dhe investimi i përmirësuar, sidomos në industritë e lidhura me energjinë që importojnë makineri dhe produkte inxhinierike nga Gjermania.

“Kompanitë tona janë optimiste që do të përfitojnë, nga investimet më të mëdha të energjisë në SHBA”, tha Ilja Nothnagel, ekonomist në dhomën e industrisë DIHK të Gjermanisë, i cili kryen një studim vjetor të perspektivave për tregjet kryesore të eksportit. “Ky është një nga vendet e pakta ku kompanitë [gjermane] janë më shumë optimiste”, në krahasim me vitin e kaluar, tha ai.

Kjo u reflektua në vlerësimin e kushteve aktuale ekonomike të investitorëve, i cili u rrit këtë muaj pas tre rëniesh radhazi, njoftoi instituti ZEW. Megjithatë pritshmëritë ranë.

Nuk janë vetëm qindra e mijëra të prodhues të vegjël dhe të mesëm gjermanë, të quajtur Mittelstand, që përfitojnë nga një ekonomi e përmirësuar amerikane. Shitjet amerikane të automobilave luksozë Mercedes-Benz u rritën ndjeshëm në gjysmën e parë të vitit 2013 nga një vit më parë, pozicionuar për të tejkaluar shitjen e 300,000 makinave për këtë vit.

Kërkesa e SHBA ka qenë “e madhe”, tha kryeshefi ekzekutiv Daimler Dieter Zetsche për gazetarët së fundmi në Kanada, “dhe duket se ky vrull do të vazhdojë”. Në të kundërt, shitjet në Kinë të “Mercedes” ishin të “vakëta”, edhe pse ato u përmirësuan në tremujorin e dytë, pasi e filluan vitin “dobët”.

PBB e Gjermanisë pritet të zgjerohet vetëm 0.3% këtë vit dhe 1.3% në vitin 2014, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Të dy këto përqindje rezultuan nga reduktimi i parashikimeve të mëparshme.

Ndërsa qëndron shumë më poshtë fitimeve prej plus 3% në vitin 2010 dhe 2011, një rritje e tillë ka të ngjarë të jetë e mjaftueshme në mbajtjen e papunësisë afër niveleve të ulëta rekord dhe në mbështetje të konsumit, deklaruan analistët.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of