Asetet e rëndësishme, të cilat menaxhohen aktualisht nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, duke përfshirë edhe Hotelin Grand, do të mund të shiten edhe pa tenderë publikë. Këtë mundësi e ka paralajmëruar drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari, në një intervistë për KosovaPress.
Hajdari ka bërë të ditur se shitja e aseteve të tjera që nuk janë me interes të veçantë pritet të privatizohen me metoda të shitjes së rregullt përmes ofertave. Sipas tij, “Grand” si dhe ndërmarrje të tjera strategjike, tokat bujqësore me rëndësi të veçantë pritet të trajtohen me Ligjin e ri për Investime Strategjike. Çdo muaj do të ketë nga një valë të privatizimit. Ndërsa sa i përket mjeteve që Qeveria i ka paraparë në buxhetin e vitit 2017, Hajdari thotë se mjetet janë, por që duhet një ndryshim ligjor në mënyrë që ato mjete të barten në buxhet.
Po ashtu, Hajdari ka thënë se AKP bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Drejtësisë, do të trajtojnë edhe pronat jashtë Kosovës. Këto prona, sipas tij, duhet të trajtohen përmes kanaleve diplomatike. Ndërsa sa i përket Trepçës, AKP sipas tij është në fazën e tranzicionit të saj.
Se sa do të realizohet ajo përmes një memorandumi për bashkëpunim në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe AKP, në mënyrë që AKP të vazhdojë të administrojë dhe të mbikëqyrë Trepçën deri në konsolidimin e bordit gjegjësisht menaxhmentit të Trepçës si ndërmarrja publike, apo ndoshta edhe qeveria do të emërojë një bord të përkohshëm së bashku me menaxhmentin kjo ende nuk është definuar, por besoj që shumë shpejt edhe kjo çështje do të marrë drejtim”, tha Hajdari.
Sipas Hajdarit, puna më e madhe që është bërë në vitin që lamë pasur është lirimi i aseteve të uzurpuara. Po ashtu, sipas tij, edhe në vitin 2017 do të vazhdojë aksioni i lirimit të aseteve . Ai ka paralajmëruar se në vitin 2017 do të ketë lirim të uzurpimeve edhe të objekteve ku janë të vendosura institucionet shtetërore. AKP do të angazhohet për lirimin e aseteve edhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Hajdari thotë se është arritur një marrëveshje mes kryetarëve të komunave për lirimin e këtyre aseteve./KosovaPress/
/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.