Hapet panairi “Prishtina 2017″, promovim i produkteve shqiptare

20/04/2017 9:42 AM 0 komente
panairi_8020

Më shumë se 150 kompani nga Kosova, rajoni dhe Bashkimi Europian po ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në panairin e 18-të tradicional “Prishtina 2017”.

Panairi i cili do të zgjas deri më 22 prill, u vlerësua si një mundësi e mirë për që kompanitë të depërtojnë në treg. Pjesëmarrës në panair ishte edhe një delegacion nga Kina të cilët po shihnin se çfarë produkte mund të importojnë nga Kosova në vendin e tyre.

Hapja solemne e panairit u bë nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili u shpreh se përshpejtimi i procesit të liberalizimit ka një rëndësi të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik.

Ndërkaq, kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, tha se panairi i sotëm është panairi më i rëndësishmi që organizohet në Prishtinë. Ajo veç tjerash theksoi rëndësinë që ka pjesëmarrja e sa më shumë kompanive shqiptare në panaire.

Për ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, puna e mirë që po e bënë Oda Ekonomike e Kosovës është një indikator që ai të promovojë  në botë potencialin që e ka Kosova.

Ndërkaq, suksesi i kompanive dhe biznese të Kosovës nuk shihet vetëm brenda tregut në vend. Për kompaninë “Pestova”, eksporti është një mënyrë shumë e mirë e tregtimit. Agran Halimi, menaxher për cilësi më këtë kompani, tha për KosovaPress tha se qasjen në tregun evropian e kanë arritë në saje të kualitetit të produkteve që i ofrojnë si dhe çmimeve konkurruese.

Edhe Teuta Kurshumlija, kordinatore e shitjes në “Stonecastle Vineyards”, tregoi se biznesi i tyre eksporton produktet jashtë Kosovës.

Kurse nga kompanitë që importojnë produkte, Amarildo Shaholli nga ISOmetal, tregoi se kompania që ai përfaqëson në panair, importon produktet e saj nga Italia dhe i shet në Tiranë. Ai tha se në panair kanë ardhur për të vlerësuar interesimin që zgjojnë produktet e tyre në Kosovë, në mënyrë që të hapin një filial edhe në Prishtinë.

Hamit Bajraktari, menaxher i marketingut në “Essi SHPK”, tha se panairet janë mundësi e madhe për t’u qasur në treg.

Ndryshe, në panair vërehej një frymë e mirë e të bërit biznes dhe vizitorë të ndryshëm kishin ardhur që të shihnin promovimet e produkteve dhe shërbimeve që kishin sjellur bizneset./KosovaPress/

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz