Industria në vend ndezi motorët gjatë këtij viti duke rritur prodhimin. Pothuajse të gjithë klientët e klasifikuar në tension të lartë kanë rritur konsumin e energjisë në katër muajt e parë të vitit, me të paktën 1.6 herë më shumë, çka automatikisht tregon në mënyrë indirekte për rritje të volumeve në prodhim.
Konsumi i kësaj kategorie ishte mbi 219 mijë megavat/orë në janar-prill 2017 duke u rritur me 1.6 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konsumatori më i madh mbetet Kurum i cili një vit më parë nisi procedurat e falimentit por që pas ndërprerjes së prodhimit në muajt e parë të vitit të kaluar, i është rikthyer aktivitetit.
Edhe të dhënat e INSTAT reflektojnë një rritje të eksporteve në grupin e materiale ndërtimi dhe metale ku në 7 mujor rezultojnë në një vlerë 24.6 miliardë lekë me një rritje 40% në raport me një vit më parë. Kjo tregon se Kurum i është rikthyer eksporteve duke ndikuar treguesit në grup.
KURUM, ARMO dhe një klient i ri në listë
Kurum mban edhe rekordin e konsumit nga gjithë të tjerat me 69 mijë megavat/orë duke arritur kulmin e saj në prill. Rritje të konsumit të energjisë kanë shfaqur edhe tre prej kompanive që kanë në objekt të tyre prodhimin e çimentos.
ANTEA Cement rriti konsumin me 53 për qind krahasuar me një vit më përpara ndërkohë që Fushë-Krujë Cement Factory uli konsumin në 25 mijë megavat/orë nga 32.2 mijë megavat/orë.
Nga sektori minerar bie në sy një ulje e konsumit nga Albanian Chrome që operon në prodhim ndërkohe që kanë rritur konsumin dy operatorë përpunimi Ferro Chrome dhe Ferrokrom Burrel. Ky i fundit ka nisur aktivitetin në mars të këtij viti.
I fundit në listë është ARMO që gjatë vitit të kaluar për janar-prill nuk kishte aktivitet e për rrjedhojë as konsum energjie ndërkohë që me kalimin tek IRTC u bë e mundur edhe vënia në punë e rafinerisë.
Në katër muaj të 2017, IRTC ka konsumuar mbi 19.5 mijë megavat/orë për të përmbushur nevojat e saj në ushtrimin e aktivitetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.