Të gjitha planet që fuqitë e mëdha kanë prezantuar për rimëkëmbjen e Ballkanit pas viteve 1990 kanë dështuar. Kriza ekonomike ka sjellë interesat në dimensione të tjera. Planet greke, italiane dhe turke për rajonin po konkurrohen nga gjigantët e Azisë dhe Rusia. Në fund vendos BE
Përplasja e interesave ekonomike për gjeopolitikë, më shumë se sa përfitime, i ka sjellë kosto rajonit të Ballkanit. Influenca turke me telenovelat dhe arsimin, plani grek me bankat dhe telekomunikacionin, plani rus për tregun e gazit, influenca kineze me tregtinë dhe investime, Perëndimi me ofertën e anëtarësimit shpeshherë kanë krijuar përplasje me njëra-tjetrën, duke i shuar projektet ekonomike që në ide.
Dekada e fundit i ka sjellë këto interesa në dimensione të reja, pasi kriza ekonomike që po përjeton Europa ka penguar shumë nga planet, së fundmi atë rus për tregun e gazit. Rruga është hapur për aktorët jashtë Europës, Kina dhe Emiratet Arabe, të cilat, nëpërmjet investimeve dhe kredive me interesa të buta, kanë zgjeruar terrenin e influencave. Me një rritje ekonomike më shumë se 8% në vit, drejt rrugës për t’u bërë superfuqi ekonomike edhe në botë, Kina i është drejtuar rajonit të Ballkanit me një ofertë të vetme. Terreni tashmë është i njohur për shkak të një afërsie dhe mendësie të injektuar nga regjimi komunist, ku kultura ballkanike është mjaft popullore në Kinë. Tentativat për projekte individuale me qeveritë duket se nuk kanë qenë edhe aq të suksesshme, ndaj oferta e fundit me 10 miliardë dollarë investime e vë në dimensione të reja influencën ekonomike në rajon.
Synimi i parë është zhvillimi i një rrjeti eficient transporti, i cili i mungon rajonit të Ballkanit. Shtetet e rajonit e mbërrijnë shumë më shpejt Europën se sa njëri–tjetrin, me të gjitha linjat e komunikimit. Oferta kineze, në këto momente, vjen joshëse për Ballkanin, pasi shtetet e tij, pas konflikteve në dukje, e kanë kuptuar se politikat e përbashkëta të zhvillimit arrijnë më shpejt synimin për të konkurruar me termat që ofron sot ekonomia globale. Në planin e interesit ekonomik kinez, nëse do të ndërtohet arteria e transportit tokësor e detar, do të shkurtohet dukshëm, jo vetëm distanca e transportit midis Kinës dhe Europës, por do të ulet kostoja e shërbimeve të logjistikës ndërkombëtare.
Oferta kineze për Ballkanin
Plani kinez për financimin e projekteve ka qenë i qartë. Faza e parë lidhet me përdorimin eficient nga vendet e Europës Qendrore e Lindore të fondit special, me vlerë prej 10 miliardë dollarësh. Faza e dytë është krijimi i një fondi prej 3 miliardë dollarësh për të aktivizuar investimet e nisura. Faza e tretë përfshin ofertën ndaj vendeve të Europës për të blerë bonot kineze. Të dyja palët plotësojnë njëra-tjetrën. “Vendet e Europës Qendrore e Lindore kanë një bazë të fortë ekonomike, janë të pasura me burime natyrore dhe niveli i arsimit në këto vende është i lartë. Me popullsi prej 1.3 miliardë njerëzish, Kina është një treg i madh, me një sistem të zhvilluar industrial dhe kapitale të pasura. Prandaj të dyja palët mund të shfrytëzojnë avantazhet e njëri-tjetrit”, tha Li në forumin e Beogradit.
Investimet kineze në Ballkan
Rritja e investimeve ka qenë nën pritshmëritë e shfaqura gjatë samiteve të mëparshme, në vitin 2012, në Varshavë, ku Kina premtoi kredi prej 10 miliardë eurosh dhe në 2013 në Bukuresht. Me përjashtim të Hungarisë dhe Serbisë, ku investimet kineze arrijnë në miliarda euro, në vendet e tjera të tilla si Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, vendet baltike dhe Shqipëria, kjo shumë ka qenë mjaft simbolike.
Në Poloni, investimet në vitin 2013 kanë qenë rreth 300 milionë euro, në Rumani ato janë ulur, duke arritur nga 114 milionë euro në vitin 2013 në 45 milionë euro në vitin 2014. Në fund të muajit tetor, Kina akordoi një kredi prej 687 milionë eurosh për Malin e Zi për financimin e ndërtimit të një segmenti të autostradës dhe arriti me Bosnjën një marrëveshje paraprake për ndërtimin e 62 kilometrave superstradë.
Pekini ka shfaqur gjithashtu interes për portet në Adriatik, veçanërisht në Kroaci dhe në Shqipëri, por asnjë marrëveshje nuk është arritur deri tani. Tashmë nis zyrtarisht gara mes 16 shteteve të cilët prezantojnë projektet e tyre për të vjelë fondet. Kryesisht këto projekte janë të karakterit infrastrukturor. Kina komuniste nuk ka marrë një rol të drejtpërdrejtë në rajonin e paqëndrueshëm deri në fund të 1970-s.
Pavarësisht lidhjeve të fuqishme të bashkëpunimit me Shqipërinë, ndërtuar kryesisht mbi një opozitë të përbashkët ndaj pretendimeve sovjetike të udhëheqjes komuniste botërore. Pas vitit 1978, lidhjet e Kinës me regjimin komunist të Enver Hoxhës u ndërprenë për të vijuar me Josip Broz Titon dhe Nikola e Çausheskun e Rumanisë. Por rënia e perdes së hekurt dhe shpërbërja e përgjakshme i pengoi marrëdhëniet e afërta të Kinës me rajonin e Europës Juglindore. Por tani kur Ballkani po i kthehet stabilitetit, ka ardhur koha si duket, që Pekini të kthehet me një strategji të re dhe të përhapur ndikimi përmes ndikimit ekonomik në tregjet e uritura duke zhvilluar tregtinë, investimet e energjisë, infrastrukturën etj. Përveçse për të ngjallur influencën e vet politike, Kina i sheh me leverdi investimet në Ballkan për të bërë më të shpejtë komunikimin me Perëndimin.
Ekspertët: Interesi kinez ka ekonominë të parën
Christian Dreger, ekspert i makroekonomisë në Institutin Gjerman për Studimet Ekonomike mendon se qëndrimi i vendeve europianqendrore dhe lindore në bashkëpunimin me Kinën nuk është gjithmonë i shoqëruar nga moti i mirë. Në një intervistë për Deutsche Welle, ai thotë se, tregtia me Kinën favorizon së tepërmi gjigantët aziatikë. “Është shumë e vështirë të eksportosh në Kinë. Vendet e zhvilluara europiane kanë ushqyer konkurrencën e atjeshme me makina dhe teknologji.
Dreger shikon një shans fillimisht te produktet agrare. “Përmes investimeve kineze do të mund të ecet përpara edhe në drejtim të produkteve industriale”, thotë ekonomisti që hulumton edhe në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale në Pekin. Të dy ekspertët Dreger dhe Kovačević janë të një mendimi se bashkëpunimi i Kinës me vendet qendrore dhe lindore të Europës ka vetëm natyrë ekonomike. Kina i vë kundër njëri-tjetrit vendet europiane thotë ish-eurokomisioneri për tregtinë, Karel de Gucht. Ndërsa në një analizë të Institutit Europian për Studime Aziatike, në Bratislavë, eksperti për Azinë Richard Turcsányi shkruan se grupi 16+1 nuk është i orientuar kundër Bashkimit Europian, megjithëse e anashkalon Brukselin. “As Kina dhe as vendet qendrore dhe lindore europiane nuk kanë synim të dobësojnë BE. Në vend që të kritikojnë partnerët, do të ishte më mirë që vendet perëndimorë europiane të përpiqen t’i kuptojnë ato”, shkruan Turcsán.
Si u bllokuan projektet kineze në Shqipëri
Më herët gjatë viteve 2000, kur Shqipëria nisi të përjetojë një krizë të thellë energjetike, qeveria kineze është ofruar për të ndërtuar hidrocentralin e Bushatit me një financim gati rreth 100 milionë USD. Pasi projekti u negociua dhe punimet ishin gati të fillonin, institucionet financiare ndërkombëtare, kryesisht FMN, e bllokuan projektin me arsyetimin se kishte një kosto të lartë financimi. Qeveria shqiptare u tërhoq para investimit jetik në atë kohë për shkak të presionit të Perëndimit, por FMN nuk veproi me të njëjtin standard për projektin e General Elektrik për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës.
Kontratat e financimit të GE me vlerë 80 milionë euro nuk ishin të bazuara në projekte dhe kishin interesa mjaft të larta. Më vonë, vetë qeveria shqiptare e pas 2005-s e prishi kontratën për shkak të kostove dhe për këtë u penalizua me miliona euro nga Gjykata e Strasburgut. Disa kompani të mëdha kineze kohët e fundit kanë ofruar interes për marrjen me koncesion të vendburimeve minerare, porteve, HEC-eve, por autoritetet vendase nuk kanë dhënë akses në këtë drejtim. Nga ana tjetër, buxheti i shtetit ka të trashëguar një borxh ndaj Kinës që arrin në 37.2 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre huave janë marrë para vitit 1991, gjatë periudhës kur marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Lufta e influencave, Ballkani i humbur
Rasti i fundit që projekti rus i Rrjedhës së Jugut synonte të krijonte, përveç shtimit të sasisë së gazit në Europën Perëndimore, ishte një treg gazi në Ballkan. Por kur projekti kishte përfunduar të gjithë anën teorike dhe zbatimi ishte gati, Bashkimi Europian i preu udhën duke “detyruar” Bullgarinë të mos jepte lejen e ndërtimit ndaj projektit rus, duke e “justifikuar” këtë reagim me mosrepsktimin e rregullave të konkurrencës në tregun e gazit nga Rusia.
Por Ballkani si rajon, historikisht ka qenë një arenë influencash ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, të cilat kanë gjeneruar edhe konflikte dhe luftëra. Sidomos pas rënies së komunizmit, duke qenë një treg në zhvillim dhe me interes ekonomik, përpos ndikimeve politike, të gjitha fuqitë e mëdha shpallën plane për Ballkanin, madje edhe fqinjët më të afërt si Turqia, Greqia Italia. Plani grek, i cili lulëzoi në vitet 2000 me bankat dhe telekomunikacionin nuk e realizoi krejtësisht qëllimin e tij, për shkak të krizës që po përjeton vetë vendi iniciator.
Turqia ka zgjedhur një model më shumë konkurrues për rajonin, të sigurt dhe afatgjatë. Nëpërmjet politikave kulturore si arsimi dhe telenovelat, turqit po rikthejnë prezencën te familjet ballkanase. Kjo i ka nxitur dukshëm përfitimet nga turizmi. Por ndërkohë Turqia i përdor të arsimuarit ballkanas në Turqi për të drejtuar bizneset turke në rajon. Por, në fund, ai që vendos është Bashkimi Europian. Oferta e anëtarësimit për shumë vende që ende nuk janë pjesë e BE është më joshësja nga të gjitha, ndaj çdo kushtëzim që vjen nga BE mposht çdo ofertë tjetër. Në këtë luftë influencash, historia ka treguar se rajoni i Ballkanit ka dalë më shumë i humbur se sa i fituar.
Përgatiti: Blerina Hoxha