Në vitin 2017, lënda e parë e nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore, e cila përfaqëson sasinë totale të materialeve që përdoren direkt në ekonomi, është rreth 21.4 milionë ton, duke shënuar një rënie me 24,77% krahasuar me vitin 2016, bën me dije INSTAT në publikimin e fundit.
Struktura e burimeve të brendshme natyrore, tregon që produktet “minerale jo metalike” zënë rreth 49,46%, “biomasa” 38,12%, “mineralet metalike” 6,33% dhe “materialet e energjisë fosile” me 6,09%.
Shuma totale e importit të materialeve mjedisore në vitin 2017 ishte rreth 4.2 milionë ton, e cila krahasuar me vitin 2016 është 5,23 % më e lartë. Pjesën më të madhe e zëne produktet e “biomasës” me 1.378 mijë ton të shoqëruar nga “minerale jo metalike” me 954,87 mijë ton. Më pas kemi produktet “mineralet dhe koncentratet metalike” me 829,91 mijë ton, “materialet fosile të energjisë” me 813,04 mijë ton dhe “produkte të tjera” ku përfshihen mbetjet e importuara me 302,18 mijë ton.
Eksportet në vitin 2017 arritën një vlerë prej rreth 4 milionë ton, duke pësuar ulje me 0,28 % krahasuar me vitin 2016, ndikim më të madh në uljen e eksporteve në total e kanë dhenë “materialet fosile të energjisë” me 28,53 %. Rritje të eksporteve kanë sjellë “mineralet jo metalike” me 15,2 % dhe “biomasa” me rreth 11,44 %.
Bilanci fizik tregtar i cili tregon diferencën midis importeve dhe eksporteve për të gjithë kategoritë e materialeve mjedisore arriti vlerën e rreth 330 mijë ton për vitin 2017, duke pësuar rritje me 223,9 mijë ton krahasuar me vitin 2016 ku sasia e importuar e materialeve mjedisore ishte më e vogël se sasia e eksportuar. Produktet e “biomasës” dhe “materialeve fosile të energjisë”, përfshirë mbetjet kanë një bilanc pozitiv ndërsa produktet “mineralet jo metalike”, “mineralet dhe koncentratet metalike” kanë një bilanc negativ për vitin 2016.
Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore në raport me popullsinë në vitin 2017 ishte rreth 7,57 ton, duke treguar një rënie me afërsisht 23,82 % krahasuar me vitin 2016, e cila kishte një vlerë rreth 9,94 ton.
Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore mat sasinë totale vjetore të lëndëve të para që nxirren nga mjedisi, duke marrë në konsiderate dhe bilancin fizik tregtar. Në 2017 përdorimi i brendshëm arriti vlerën e rreth 21.7 milion ton, 23,89 % më pak krahasuar me vitin 2016. Sipas strukturës së tij shohim që pjesën më të madhe e zënë “mineralet jo metalike” me 46,39 %, më pas vijnë produktet e “biomasës” me 42,18 %, “materialet fosile të energjisë” me 6,46 %, “mineralet dhe koncentratet metalike” me 4,25 % dhe “produkte të tjera” me 0,72 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.