Për të gjithë ata që kanë investuar kursimet e tyre në letrat e borxhit qeveritar ka një lajm të mirë: interesat po rriten për të gjitha maturimet.
Sipas një analize të Bankës Qendrore, Yield-et e bonove dhe të obligacioneve të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë kanë shfaqur ecuri rritëse në periudhën maj-korrik.
Pasi e filluan tremujorin e dytë me të njëjtën prirje rënëse që karakterizoi fundin e tremujorit të parë, yield-et e letrave me vlerë iu rikthyen kahut rritës në muajin maj.
Rritja e yield-eve ka qenë e pranishme tek të gjitha maturitetet e tregtuara, por më e përmbajtur se ajo e vërejtur në fund të 2016-s.
Ankandet e tremujorit të dytë janë karakterizuar nga një raport i mbulimit të kërkesës për fonde të qeverisë mbi, por në nivele më të ulëta në krahasim me tremujorin e parë të vitit. Kjo dinamikë e yield-eve është reflektuar në rritjen e nivelit të kurbës së yield-eve, ndërkohë që pjerrësia e saj ka mbetur thuajse e pandryshuar.
Yield-i mesatar për bonot e thesarit 12-mujore u rrit në 2.05% në muajin qershor, nga 1.79% që shënonte në muajin prill. Edhe në ankandin e kryer në javën e parë të muajit korrik, yield-i i bonos 12-mujore ka regjistruar sërish rritje, në 2.10%.
Yield-et e obligacioneve kanë ndjekur tendencën e yield-it të bonove të thesarit 12-mujore. Yield-i i obligacionit 2-vjeçar (i cili ka emetime të rregullta mujore) ka shënuar rritje të njëpasnjëshme, duke rezultuar 2.64% në ankandin e fundit në muajin korrik, nga 2.25% që ishte në muajin prill.
Yield-i i obligacionit 7-vjeçar u rrit në 5.39%, nga 5.24% që shënonte në ankandin paraardhës (mars). Përjashtim nga kjo ecuri bën obligacioni 5-vjeçar, yield-i i të cilit ra në 4.95% në muajin maj, nga 5.15% që shënonte në muajin shkurt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.