Mbi 75% e fëmijëve të vegjël në vendet me të ardhura të mesme dhe me të ardhura të larta ndjekin shkollat parafillore, krahasuar me një në tre në vendet me të ardhura të mesme. Një në pesë fëmijë në vendet me të ardhura të ulëta janë të regjistruar në arsimin parafillor. Sipas shifrave të Bankës Botërore, në Shqipëri 87.7 % e fëmijëve kanë ndjekur arsimin fillor, në pesë vitet e fundit. Krahasuar me rajonin, është shifra më e lartë e arritur e përfshirjes në skemën e arsimit detyrues fillor, duke marrë në konsideratë se në Maqedoni kjo normë është 36 %, më e ulëta, në Malin e Zi, 55.6 %, ndërsa në Serbi 58.8 %. Sipas BB, Shqipëria grupohen në shtetet e Europës Perëndimore me normë pjesëmarrje në arsimit fillestar mbi 75 %
Përparimet në shkencë dhe zhvillimet teknologjike po transformojnë jetën. Sipas një artikulli të fundit të Bankës Botërore, po ndihmojnë edhe vendet e varfra të mbyllin hendekun me shtetet e pasura, në jetëgjatësinë.
Por, vendet e varfra, sipas BB, ende përballen me sfida të jashtëzakonshme, pasi pothuajse një e katërta e fëmijëve nën moshën pesë vjeç janë të paushqyer, ndërsa 60 për qind e nxënësve të shkollave fillore nuk po arrijnë të marrin as arsimim fillestar. Në të vërtetë, më shumë se 260 milionë fëmijë dhe të rinj në vendet e varfra nuk arsimohen fare.
Sipas Bankës Botërore, duhet investuar për shëndetin dhe edukimin e të gjithë njerëzve. Pasi, investimi i tillë, e shndërron një shtet/ekonomi gati për të konkurruar dhe për të lulëzuar në një mjedis që ndryshon me shpejtësi. “Kapitali njerëzor” – potenciali i individëve – do të jetë investimi më i rëndësishëm afatgjatë që çdo vend mund të bëjë për prosperitetin dhe cilësinë e jetës së popullit të saj.
Në një artikull më herët të Bankës Botërore, në lidhje me sistemet arsimore në vendet e Ballkanit Perëndimor, nënvizoi se shkaku kryesor i papunësisë së madhe ndër të rinjtë e Ballkanit është cilësia e dobët e sistemeve të arsimit. Sipas BB, këto sisteme nuk prodhojnë shkathtësi dhe njohuri që përputhen me kërkesën për punë. Në këtë kontekst, politikat për rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (FDI) janë të vështira për t’u arritur, analizon Banka Botërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.