Beyonce është mbretëresha e argëtimit. Kështu bën të ditur revista amerikane “Forbes”, që e ka vënë në krye të listës së të famshmëve me më shumë ndikim në botë. Në vitin e fundit, Beyoncé fitoi 115 milionë dollarë dhe jo vetëm si këngëtare. Të ardhurat e saj vijnë nga një “galaksi” biznesesh që përfshijnë disqet, koncertet, parfumet e personalizuara, linjën e veshjeve “House of Dereon”. Kësaj i shtohet edhe një skuadër efikase që promovon në mediat sociale markën “Beyoncè”.
Ky nuk është një rast i izoluar, por vetëm maja e një fenomeni që prej vitesh po karakterizon jo vetëm biznesin e muzikës. Një fenomen që ekspertët e punësimit e kanë pagëzuar me termin “Black Power” (fuqia e zezë). Janë dy fjalë që shprehin konceptin se fuqia e vërtetë e diskografisë, por edhe e shumë sektorëve është padyshim
“e zezë” dhe ka “fytyrën” e tre meshkujve që po bëhen gjithnjë e më shumë të pasur dhe të fuqishëm. Që të tre e kanë nisur duke kënduar dhe duke bërë rep, por më pas… Jay-Z: bashkëshorti i Beyoncé, 44 vjeç, reper dhe producent diskografik, e ka rritur shifrën e biznesit deri në atë masë sa mund të konsiderohet një nga njerëzit më të pasur të Amerikës, këshilltar dhe mik personal i Presidentit Obama. Jay-Z ka një pasuri personale që vlerësohet në 520 milionë dollarë dhe që e ka fituar duke luajtur me shumë zotësi në “tavolina” të ndryshme. Një shembull që vlerësohet si histori suksesi është marrëveshja me Samsung, me rastin e daljes së diskut të tij të fundit “Holy Grail” (Grali i Shenjtë). Kompania amerikane bleu të drejtën për të shpërndarë falas një milion kopje dixhitale për të gjithë ata që janë posedues të smartfonëve Samsung, duke e paguar artisin pesë dollarë për çdo kopje, pra për një total prej 5 milionë dollarësh. Një tjetër “goditje fatlume” për maestron ishte edhe shkrirja mes kompanisë së tij “Rocawear” (e veshjeve ‘casual’ me xhiro vjetore 490 milionë dollarë) me “Billionaire Boys Club” të Pharrell Williams, popstarit të superhitit “Happy”. Së fundmi, Jay-Z ka regjistruar edhe markën e një ngjyre të re të quajtur “Jay-Z Blue”.
Dr. Dre: reper, producent diskografik (i Eminem, 50 Cent, etj.), sipërmarrës i suksesshëm. Është 48 vjeç dhe së fundmi flitet shumë për të. Arsyeja? Blerja nga ana e Apple për 3 miliardë dollarë e markës “Beats” (e kufjeve më të famshme në botë). Falë mbylljes së kontratës Dr. Dre dhe bashkëthemeluesi i “Beats”, Jimmy Iovine (ish-teknik zëri i John Lennon dhe Bruce Springsteen), mbreti i shtëpisë botërore diskografike “Mida”, president i këshillit administrativ i “Interscope-Geffen-A&M records”, do të jenë aksionerë të Apple me të drejta të plota. Një lajm që nënkupton se “më e mira nuk ka ardhur ende”.
Diddy (emri i vërtetë Sean Combs): dikur kryesonte klasifikimet me repin e tij dhe me fuqinë e komercialitetit. Sot është një milioner që i ka shtrirë “tentakulat” në dhjetëra aktivitete përtej muzikës. Pasuria e tij personale llogaritet në 700 milionë dollarë. Kjo falë zgjedhjeve që ka bërë në investime të rëndësishme, por edhe në krijimin dhe promovimin e “Revolt TV”, një kanal muzikor televiziv që është në zgjerim të vazhdueshëm dhe që ndër partnerët ka “Time Warner Cable”. Diddy, përveçse është një nga aksionerët e markës “Ciroc Vodka”, ka edhe një linjë të suksesshme veshjesh, “Sean John” dhe një shtëpi diskografike të quajtur “Bad Boy Records”.