Kaosi me biznesin e librit

23/11/2013 8:01 AM 0 komente

SPECIALE/ Tregu i librit nuk po arrin dot të dalë në “sipërfaqe”, ai ende pluskon. Shifrat e rënies për 2013-n variojnë nga 20-40%. Kjo vlen si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën. Botuesit nuk kërkojnë politika shpëtuese (të tipit subvencione), por ndihmë për të rritur promocionin. Po prodhohen gjithnjë e më pak libra të rinj, ndërsa dashuria e shqiptarëve vazhdojnë të jenë autorët e huaj.

 

Nga Elona Bedalli

Në Shqipëri, të flasësh për tregun e librit nuk është aq e lehtë sa duket, nisur nga fakti se më shumë për të kujtohemi në ditët kur ai na shfaqet me shumicë dhe shkëlqim përpara syve tanë, gjatë panairit tradicional të përvitshëm. E në fakt, kjo është periudha e “artë” (aq sa mund të quhet e tillë në kohë krize) për botuesit shqiptarë dhe shitjet e tyre. Është koha kur moti ftohet dhe dëshira për të prekur faqet e një libri të kuruar mirë estetikisht dhe nga ana artistike na vjen vetvetiu, edhe pse shpenzimet për të janë të parat që ulim.

Të dhënat e INSTAT-it për shitjet e librave, revistave e gazetave për 6-mujorin e parë të vitit folën për rënie me 17%, ndërsa botuesit perceptojnë (nga burimet e tyre) se ajo është edhe më e madhe pasi arrin në 30-40%. Një tendencë që vazhdon që nga viti 2010. Megjithatë, nga ana tjetër, ka edhe shtëpi botuese që thonë se kanë pasur nivel shitjesh të kënaqshme, por në tërësi për tregun tregojnë se ai vazhdon të tkurret. Sepse duhet kuptuar që shitja e librit ka periudhat e tij gjatë një viti. Rënien, në fakt, e kanë ndier edhe importuesit e letrës që thonë se volumi i letrës së dedikuar për libra ka rënë ndjeshëm. Sipas tyre, kjo është një tendencë që ka gjasa të vazhdojë në kushtet kur ekonomia nuk është e qëndrueshme dhe libri shihet si mall luksi. E në këto kushte, shtëpitë botuese, jo të pakta në numër për një treg si vendi ynë, në kushte të tilla duhet të punojnë më fort për t’u dalluar dhe për t’i servirur lexuesit ushqimin e duhur për shpirtrat e tyre.

“Kriza e ka bërë situatën më të vështirë, që do të thotë se me librin duhet të punohet më shumë, të kurohet edhe nga pikëpamja e prezantimit të tij”, thotë Loreta Berhami, drejtore publikimi e shtëpisë botuese “Pegi”.

E në kohë krize, lufta më e madhe bëhet për të fituar “terren” që, në rastin e librit për lexuesin, nuk është vetëm e përqendruar në Shqipëri, por edhe në viset e tjera jashtë saj, kryesisht në Kosovë apo Maqedoni. Megjithëse konkurrenca përtej kufijve duket se nuk i tremb shumë botuesit shqiptarë, që duket se kanë fituar ndjeshëm terren dhe përtej kufijve, veçanërisht në Kosovë. Brenda tregut shqiptar të librit, diktuar edhe nga kriza, konkurrenca është në rritje. Botues të tjerë thonë se tregu shqiptar i librit është ende i pazhvilluar e për ta vërtetuar këtë, mjafton t’u hedhësh një sy librarive për të parë se në çfarë kushtesh shesin. Pjesa e “luanit” është ajo që shitet në Shqipëri, sidomos në Tiranë.

 

Botuesi dhe problemet e tregut

Libri, në vendin tonë, nuk vuan vetëm pasojat e rënies së fuqisë blerëse në kohë të vështirë, por vazhdon të përballet me probleme të mbartura në kohë, që e bëjnë të jetë një treg në kaos. Thuhet se i ngjan një rrethi vicioz, një malli që edhe pse punon me çmime relativisht të lira, nuk ecën shumë. Nuk ka interes për të hapur qendra të mëdha librash, gjë që do ta ndihmonte librin të përfaqësohej më mirë. Drejtuesit e shtëpive botuese thonë se duhet të flitet më shumë për librin, që lexuesi ta perceptojë si instrument të dijes dhe kënaqësisë. Ata thonë se një politikë e drejtë, nxitëse vlerash e standardesh, mbështetëse për librin, kërkohet me urgjencë. Nga ana tjetër, kriza e pagesave është duke i rënduar gjithmonë e më shumë. Megjithatë, motivet ekonomike të krizës së përgjithshme, nuk arrijnë ta shpjegojnë këtë dukuri, që ka mjaft efekte të tjera. Botuesit kërkojnë politika publike për të mbështetur libraritë, që rrezikojnë të mbeten fare pak dhe si rrjedhim, aksesi te libri do të ulet. Kërkohen fonde, që në Shqipëri ndër vite kanë qenë të pakta e aspak transparente. Thonë se kanë dëgjuar të flitet për një plan të madh për leximin. Për botuesit, e gjithë bota e letrave sot flet për të ulur TVSH mbi ebook-un, por në Shqipëri, përveç faktit të mungesës së strukturës për këtë produkt të ri libror, mungon besimi i plotë për shkak të piraterisë, dukuri e cila po mbyt prej disa vitesh botimet shqiptare dhe në raste të formës alternative, të e-book, të gjithë mendojnë: a do të piratohet edhe ky produkt?

Thonë se në një kohë kur në Europë përpiqen të ulin TVSH-në mbi ebook-un, Shqipëria ka ende këtë tatim më të lartin në Europë me 20%, një absurd. Botuesit kërkojnë mbështetje për bibliotekat, madje sipas tyre, kjo duhet të përbëjë prioritet. Nga ana tjetër, Shqipëria, sipas tyre, është i vetmi vend në Europë ku shteti me ligj u merr botuesve pesë kopje për çdo botim dhe pesë për çdo ribotim. E në fakt, detyrimi duhet të jetë një kopje, që shërben si kopje dokumentimi për Bibliotekën Kombëtare.

Ata thonë se duhet të ketë më shumë angazhim për çështjen e piraterisë dhe informalitetit. Sipas tyre, nuk është normale që sot në tregun shqiptar të librit janë me dhjetëra autorë të piratuar nga gjithë gjuhët e mëdha dhe nuk ndodh asgjë, nuk është normale që ka informalitet në rritje në tregun e botimeve, duke filluar nga shtypshkrimet informale, e deri te fotokopjime masive të teksteve universitare. Botuesit thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë nëse duhet të bëhen ndryshime dhe përmirësime në kuadrin ligjor. Kur një libër botohet pa leje, ai prish rregullat e një konkurrence të drejtë dhe në pjesën më të madhe të herëve, nuk i plotëson standardet e botimit. Për botuesit, ky është diskutimi themelor: përmirësimi i standardit, rritja e tij më shumë se sa rritja e produktit dhe sasisë së titujve që hidhen në treg.

 

Çfarë na serviret dhe çfarë blejmë

Një vit më parë panë dritën rreth 2,866 e botimit, ndërsa këtë vit ishin vetëm 1,086 të tillë, ku pjesa më e madhe është letërsi e huaj artistike e tjetra në gjuhën shqipe. Ndër librat joartistikë që përbëjnë peshën kryesore, një pjesë e rëndësishme, është ajo e teksteve shkollore për të gjitha nivelet. Nuk ka asnjë dyshim se

lexuesi shqiptar vazhdon të tërhiqet më shumë nga letërsia e huaj. Raporti mes librit të huaj dhe atij shqiptar, për lexueshmërinë, flet në favor të të parit. Megjithatë, ka një rritje të kërkesës për titujt shqiptarë. Fakti është se letërsia artistike është gjithmonë e pëlqyeshme, sidomos për femrat që mbeten më besniket. Meshkujt janë më shumë të interesuar për letërsinë shumë cilësore, të natyrës historike, por edhe me karakter studimor. Mosha që lexon më shumë është mbi 25 vjeç.

Nga ana tjetër, afrimi i librit me lexuesin është një qasje që vjen me përvojën, por ka të bëjë edhe mënyra sesi bëhet reklamimi, që nuk është i drejtpërdrejtë. Libri nuk është vetëm një mall, por edhe një mjet kulture. Duket si diçka anakronike, por në kohë krize është shumë normale, që të ashpërsohet konkurrenca. Ajo duhet të jetë e lartë dhe e fortë, pasi kjo do të bëjë që të sillet një produkt i mirë dhe cilësor.

Në Shqipëri ka shtëpi botuese, mjaft konkurruese me njëra-tjetrën dhe që sjellin libra me vlerë. Gama e gjerë e librave që botohen e vështirëson përcaktimin se cila është kategoria më e mirë e lexuesit.

 

Revolucioni i largët i teknologjisë

Temat e-books dhe shitjet online janë ende larg vëmendjes së shtëpive botuese, ndërsa ka vend për të bërë ndryshime e për të sjellë risi në industri. Shqiptarët janë shumë të pranishëm në internet, qoftë si lexues, qoftë si shkrues, veçanërisht autorët e rinj. Ata janë shumë aktivë në rrjetet sociale dhe priren drejt komunikimit. Por, shtëpitë botuese ende nuk janë online në formën që e bëjnë simotrat e tyre në vende të tjera.

Mundësitë elektronike, si për publikimin e librave me kosto më të ulëta dhe promovimin dhe shitjen e tyre përmes platformave ekzistuese të shitjeve online, do të afronin edhe atë pjesë të lexuesve që për shkak të emigracionit, Shqipërinë e gjuhën shqipe e arrijnë përmes internetit. Pra, “kërcënimi” që vjen nga modernizimi i teknologjisë, që në botë është në rritje, nuk ka mbërritur ende në Shqipëri. Botuesit thonë se libri i përballon të gjitha risitë teknologjike, pasi njerëzit e kanë të vështirë të heqin dorë nga një zakon shumë i lashtë. Por sigurisht ata nuk e përjashtojnë mundësinë e ndërrimit të këtij zakoni në të ardhmen, kur njerëzit do të kenë pak kohë për të lexuar. Në Shqipëri, tendencat vijnë me vonesë, ndaj është ende herët për të folur për këtë fenomen. Shtëpitë botuese nuk e kanë marrë ende nismën për të hedhur në treg e-books, edhe pse është një zgjidhje alternative, me kosto më të ulët. Në rajonin tonë kjo tendencë po zhvillohet më tej. Megjithatë, botuesit shqiptarë janë të mendimit se ka shumë e shumë lexues që preferojnë metodën klasike të të lexuarit. Ta ruajnë librin si një kujtim, ta shikojnë të materializuar, së bashku me shënimet e tyre përkatëse. Këto janë dy tendenca që do të ecin paralelisht me njëra-tjetrën.

 

Industria e librit në Shqipëri

-Ka mbi 100 shtëpi botuese

-Ka rreth 380 shtypshkronja

-Dalin në treg mesatarisht 1200-1500 tituj të rinj në vit

-Fuqia blerëse nuk është e matur, pasi mungojnë anketime, por në standardet e UNESCO-s, shqiptarët hyjnë tek botuesit e këqij.

 

Botuesit, problemet që ka industria e librit

-Rënia e fuqisë blerëse

-Mungesa e promocionit

-Kostoja e lartë e prodhimit

-Mungesa e subvencioneve nga ana e shtetit

-Mungon një rrjet i konsoliduar i shpërndarjes së librit.

 

—————–

Jo politika subvencionuese, por promovuese

Flet Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë

Në krahasim me një vit më parë, duke u nisur nga të dhënat (joshkencore) që japin botuesit, rënia e shitjeve mund të jetë 30-40%. Ky treg është në rënie që nga viti 2010 dhe ndaj mund të konfirmohet se librarët dhe botuesit janë në një situatë të vështirë.

 

Shiten më shumë libra të huaj apo shqiptarë?

Padyshim që shiten më shumë libra të huaj, autorë të përkthyer. Letërsia shqiptare nuk e mban dot presionin e letërsisë së huaj që vjen nga një botë shumë më e madhe sesa kjo e jona, por ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ne jemi në vështirësi financiare. Nga ana tjetër, shtypshkronjat janë të mbytura në borxhe ndaj tregtarëve që shesin materiale poligrafike. Libri po arrin të qarkullojë me vështirësi nëpër librari, ka pak shitje dhe nuk mungojnë as rastet kur librari, jo vetëm në rrethe, por edhe në Tiranë po mbyllen.

 

A mbështetet libri në Shqipëri nga subvencionet?

Nuk ka një sistem transparent, të hapur. Ka subvencione preferenciale që nuk i marrin vesh kurrë.

 

Sa e penalizon tregun, mungesa e një rrjeti efikas shpërndarjeje?

Për mendimin tim, problemi kryesor qëndron te fakti se nuk kemi një sistem librar të pasur, që të ketë mundësi të bëjë një përzgjedhje të rëndësishme të autorëve, pa folur pastaj për bërjen e dallimeve të botimeve pirate nga ato jo pirate. Kemi një sistem librar të dobët dhe të varfër. Ne jemi një territor i vogël dhe shtëpitë botuese e përballojnë vetë me punonjësit e tyre shpërndarjen e librit në rrethe. Do të ishte ideale sikur të kishim shtëpi të mëdha distribucioni, por është shumë e largët ajo kohë.

 

Për sa i përket teknologjisë, sa pranë tyre është libri në shqip?

Unë besoj se te ne, e-book nuk është një alternativë e afërt sepse ne kemi një histori tjetër, që është disi absurde. Në Shqipëri libri ka një TVSH në masën 20%, gjë që nuk ndodh në vende të tjera të Europës ku niveli maksimal është 6%. Le të imagjinojmë pak sesa do të ishte TVSH-ja për e-book. Një tjetër çështje është edhe ajo e piraterisë, prandaj në këto kushte, ne përballemi me shumë probleme që kërkojnë zgjidhje konkrete. Ne nuk kërkojmë politika subvencionuese, por promocionale dhe zhvilluese.

 

—————-

 

Libri në një rreth vicioz

Flet Loreta Berhami, shtëpia botuese “Pegi”

Gjatë këtij viti, botimet “Pegi” kanë shënuar rritje në shitje dhe kjo ka ardhur kryesisht nga librat e rinj, ndërsa shitja e librave të vjetër shënoi rënie në masën 20-30%. Nuk mund të them me saktësi se nëse kjo është një tendencë që ka ardhur si pasojë e krizës apo ka të bëjë me faktin se thjesht librat e vjetër e kryejnë ciklin e tyre.

 

Si ka qenë raporti mes titujve të huaj dhe atyre shqiptarë?

Shesin pothuajse vetëm titujt e huaj, ata shqiptarë e kanë vështirë të shesin. Ndryshon situata disi me autorët e vjetër, të cilët arrijnë të depërtojnë më lehtë te lexuesi. Ka njëfarë mosbesimi nga ana e publikut për autorët e rinj. E gjithë kjo është kthyer në një rreth vicioz.

 

Rrjeti i shpërndarjes vazhdon ta penalizojë librin në vendin tonë?

Absolutisht po. Nuk ka pika që të kenë degëzime të mirëfillta, pasi pikat e shumicës këtu shërbejnë më shumë si mbledhëse të librit. Disa botues i çojnë vetë librat në rreth e të tjerë jo. Është diçka kaotike. Edhe ne vetë gjendemi përballë faktit për ta bërë gjithçka vetë, por kjo kërkon më shumë shpenzime dhe energji.

 

Si është raporti mes asaj që prodhohet dhe asaj që shitet?

Kjo është pjesë e biznesit. Rreth 2/3 e librave që kemi në inventar qarkullojnë. Ka libra që janë të suksesshëm dhe shesin gjithë tirazhin e parë brenda gjashtëmujorit, por 90% ecin shumë ngadalë dhe duan 3-4 vjet që të konsumohet tirazhi i parë.

 

Çfarë mund të thuhet për marrëdhënien mes librit dhe teknologjisë?

Në Shqipëri nuk ka asnjë mundësi për zhvillimin e saj, pasi nuk ka asnjë teknologji që të ofrojë një shërbim me anë të të cilit mund të blihet një libër. “Amazon” nuk e ofron këtë mundësi. Do të duhen shumë vite, pasi gjuha shqipe nuk është e përdorur në shumë vende dhe duhet të zhvillohet një platformë paralele. Kjo është e ardhmja, por koha nuk dihet ende.

 

Çfarë masash mund të merren për të subvencionuar librin?

Do të ishte mirë që të kishte subvencione sidomos për autorët e rinj shqiptarë, kur ata kanë një vlerë. Kjo mbetet për t’u vendosur, sepse edhe për këtë nuk ka një mekanizëm vlerësues. Mund të realizohet me kritikë, konkurse letrare etj.

 

 

——————

Mënyrat e mençura që të çojnë te lexuesi

Flet Arlinda Dudaj, shtëpia botuese “Dudaj”

 

Për shtëpinë botuese që drejtoj ka qenë një vit i mirë, me tituj të rinj, edhe pse mund të konfirmoj se ndihen efektet e krizës dhe tregu në tërësi e tij ka pasur rrudhje.

 

A ka ndryshuar raporti mes titujve të huaj dhe atyre shqiptarë?  

Ky raport tek ne është 80 me 20, në favor të titujve të huaj, megjithatë jemi munduar të sjellim edhe autorë shqiptarë, siç është Albatros Rexhaj, Ardian Vebiu me “Sendet që mblidhte deti”, është një libër tjetër që vjen nga një emigrante “Gjemba dhe trëndafilat” e Ismete Leba.

 

Çfarë letërsie po preferohet më shumë?

Pak nga gjithçka: letërsia artistike (ajo e madhja), letërsia thriller, por edhe letërsia për fëmijë.

 

Si ka qenë ecuria e eksportit të librit?

Me Kosovën ka ende probleme, për shkak se konsiderohet si një vend i huaj. Këto janë çështje që duhet të zgjidhen me marrëveshje dhe me vullnetin e të dyja vendeve.

 

Si mund të çohet libri te lexuesi në mënyrë të shpeshtë?

Ka shumë mënyra të mençura që mund të arrihet kjo. Një nga gjërat është padyshim ribotimi i librave madhorë shqip, që janë të konfirmuar. Nuk mjafton që shteti të sponsorizojë një panair sepse në fund të fundit bëhet një herë në vit. Me rëndësi do të ishte edhe promovimi i autorëve të rinj shqiptarë jashtë.

 

Me këtë rrjet shpërndarjeje, deri ku shkon libri sot në Shqipëri?

Nuk ka një shpërndarje të organizuar, çdo shtëpi botuese e bën atë në mënyrën e vet.

 

Si mund të përmirësohet?

Këto janë mekanizma që rregullohen nga vetë tregu, pasi kështu ndodh në tregjet e vogla.

 

Po marrëdhënie me e-book?

Në Shqipëri është një sfidë e madhe të botosh e-books, pasi në vendet e vogla, pirateria është shumë e rrezikshme.

 

Po raporti prodhim/shitje?

“Prodhohet shumë e për lumë”, do të ishte shprehja e duhur dhe shiten pak. Është një raport shumë i lëvizshëm.

 

Cilat janë pritshmëritë?

Kjo është periudha më e mirë dhe pastaj vjen rizgjimi i pranverës.

 

————–

Më të kujdesshëm ndaj asaj që i ofrojmë tregut

Flet Flutura Açka, shtëpia botuese “Skanderbeg”

 

Libri është ndoshta malli më i “brishtë” në treg dhe si rrjedhim nuk po arrin ende të shpëtojë nga kriza. Lexuesi nuk e ka humbur interesin, por ka humbur mundësinë për ta blerë. Si autore librash, ajo thotë se e ka arritur tregun, por letërsia shqipe e ka të vështirë.

 

Cilat janë problemet me të cilat po haset libri?

Këtë vit, ndryshe nga ata të mëparshëm po ndihet më shumë kriza. Njerëzit nuk blejnë më si më parë. Edhe pse çmimet janë të ulura, ai sërish kërkon që të përfitojë edhe më tej.

 

Në çfarë raporti janë titujt që prodhohen me ata që shiten?

“Bestsellerët” janë ato libra që arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Megjithatë, ne jemi më të kujdesshëm në atë që i ofrojmë tregut, kemi ulur tirazhet, nuk mbajmë libra stok, ndoshta deri sa të kalojë kjo krizë.

 

Cilët libra kanë tërhequr më shumë lexuesin?

Unë i jam kushtuar më shumë letërsisë shqipe, pasi e kam ndier se ka pasur më shumë nevojë. E kam lënë letërsinë e huaj, pasi kam parë që tregu është mbushur, por edhe për njëfarë diversifikimi. Mendoj se kam bërë një zgjidhje të mirë, por, megjithatë, lexuesi shqiptar vazhdon të tërhiqet nga autorët e huaj. Duket sikur ka një ngopje të letërsisë shqipe, që në një pjesë ezaurohet nëpërmjet medias. Libri duhet të lexohet dhe jo thjesht të dëgjohet për të. Por, pavarësisht të gjithave, lexuesit shqiptarë janë “heronj” që kanë mundur të ngrenë nivelin. Librat që botoheshin në ‘93-shin nuk botohen më tani në 2013-n. Konkurrojmë fort me cilësinë e paraqitjes, të anës grafike.

 

Po për sa i përket eksportit të librit, cila ka qenë ecuria?

Në Kosovë, dërgesat janë sporadike, nuk ka një sistem që funksionon në mënyrë të rregullt. Organizimi, kolegjialiteti janë problemet më të mëdha që kanë botuesit shqiptarë. Ata e shohin kolegun më shumë si “armik” sesa si partnerë me të cilin mund edhe të bashkëpunohet.

 

Po rrjeti i shpërndarjes a funksionon?

Në asnjë hallkë të tij. I vetmi sistem ku nuk investohet është pikërisht ai i shpërndarjes. Për aq kohë sa ne nuk kemi një “ndërmarrje” ku të çojmë librin dhe të mos merremi me shpërndarjen, atëherë do të vazhdojmë të mbetemi shitës me trasta. Në momentin që kjo do të fillojë të zbatohet, atëherë edhe botuesi do të çlirohet nga një hallkë që tek e fundit nuk është punë e tij.

Çfarë duhet të bëhet për të mbështetur librin?

Duhet ta shikojmë si një pasuri ku duhet të investohet seriozisht dhe sipas vlerave. Ne mund të konkurrojmë me kulturë, me njerëz të talentuar. Kjo është mënyra sesi mund të shkojmë në Europë.

 

E ardhmja e librit (?)

Të thuash e zymtë, është pak! Jo për shkak të kritikës që nuk ekziston; as për shkak se sasia e parave në xhepat e shqiptarëve vjen gjithnjë duke u pakësuar; as se pirateria dhe informaliteti na paskan (siç thuhet), zhvillime të rrezikshme por se: së pari, janë kohërat e reja që kanë ardhur me sjellje e ndryshime thelbësore në strukturën e kulturës së lajmit, informimit, dhënies së dijes. Teknologjitë e reja të komunikimit: teleteksti, faksi, telefonia celulare, zëvendësuan letrën postare; interneti e çoi përcjelljen e lajmit në papërfillshmëri kohore, bëri që lajmi t’i afrohet lexuesit falas, duke zëvendësuar gazetën print; pajisjet që përdoren për leximin e librave elektronike, si “Kindle” (prodhim i “amazon.com”, shoqëria tregtare më e madhe në internet për shitje online); “iPad”, “iPhone” dhe “iPod”, prodhime të kompanisë “Apple”; tabletët (si “iPad”) të prodhuara nga “Samsung”; “Nook”, prodhim i kompanisë “Barnes&Noble” (shoqëria më e madhe në SHBA e prodhimit dhe sidomos e shpërndarjes dhe shitjes së librave), zotërojnë sot pothuajse gjysmën e tregut të librave në tërësi, duke zëvendësuar një pjesë të madhe të librit në letër. Do të jetë vallë ky fundi i librit në print? Shumë vetë thonë jo! Madje dhe në Europë e Amerikë, ku teknologjitë e komunikimit kanë kapur majat. Libri dhe gazetat do të jetojnë, sepse do të mbrohen e mbështeten. Por, si do të jetë rrjedha e zhvillimeve në Shqipëri? Nuk bëhet më fjalë për tirazhe 20 deri në 25 mijë kopje botimi për veprat e Hygoit, Balzakut, Emil Zolas, Arçibald Kronin, Floberit, të para 25 vjetëve. Bëhet fjalë për 300 deri në 500 kopje të mjera të Shekspirit apo kujtdo qofshin, që nuk arrijnë të gjejnë blerës.

Së dyti, në një shoqëri ku po rriten dhe shtohen të paarsimuarit mirë, siç po ndodh te ne; ku shkolla e mesme dhe e lartë i detyron (jo rekomandon) të lexojnë letërsinë e shkrimtarëve që u krehin bishtin pushteteve; ku roli i letërsisë në jetë dhe shoqëri është zbehur, shfaqet hapur nevoja për t’i ndenjur pranë kësaj fushe me politika fiskale.

 

—————–

Kosova, mbijetesa e vështirë e një tregu më shumë se modest

Flet Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës

 

Rrethanat politike që po kalon shoqëria kosovare në përgjithësi, tranzicioni, standardi në ulje i jetesës ka bërë që tregu i librit të jetë në një gjendje të pandryshuar nga një vit më parë. Interesimi nuk mungon, por këto rrethana kanë ndikuar në kufizimin e njerëzve për t’iu afruar librit. Në Kosovë numërohen 10-12 shtëpi botuese, por produktive janë vetëm 5 që hedhin në treg 2-3 tituj të rinj në muaj, ose 15 tituj në vit.

 

Cili është raporti mes autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë?

Ajo që mund të thuhet është se në Prishtinë, preferohet më shumë të lexohet në gjuhën angleze, ndërsa zonat e tjera janë më shumë të fokusuara te gjuha shqipe.

 

Në Kosovë lexojnë më shumë femrat apo meshkujt?

Ndoshta mund të ketë një tendencë më në rritje për femrat.

 

Nga ana fiskale, sa të lehtë e ka libri kosovar të futet në Shqipëri?

Libri i Kosovës në Shqipëri është shumë pak i pranishëm, ndërsa vlen më shumë e anasjella. Madje mund të thuhet se libri që vjen nga Shqipëria arrin të “mbysë” produktin e Kosovës, e këto të fundit kanë mbetur pak në hije. Pra, mund të themi se botohet shumë më shumë në Shqipëri sesa në Kosovë. Megjithatë, Kosova ka ruajtur traditën e autorëve shqiptarë, ndërsa e kundërta ndodh në Tiranë, ku ata botohen në nivel më të ulët. Nëse shihni te botimet në Kosovë, do të vini re se ka ende nostalgji dhe besnikëri për librat shqiptarë, ndaj kritikës, historisë, botime akademike, etj. Shqipëria kryeson me botimin e “bestseller”, libra komercialë dhe të huaj.

 

Në Shqipëri ka shumë probleme me rrjetin e shpërndarjes, a ndodh e njëjta gjë edhe në Kosovë?

Edhe në Kosovë ka probleme, ndoshta jo në fillim, por kur vjen puna te mbledhja e të ardhurave, aty nisin problemet.

 

Çfarë strategjie marketingu ndiqni për të provokuar librat te lexuesi?

Në Kosovë, libri nuk është shndërruar ende në industri, në këto aspekte tregu çalon. Kur libri të kthehet edhe në një biznes, atëherë edhe marketingu do të jetë i domosdoshëm, por duke qenë se punohet për të mbijetuar, boshllëqet në këtë aspekt do të vazhdojnë.

 

Po shteti, çfarë roli luan (ose sipas jush duhet të luajë)?

Shteti duhet patjetër që të japë subvencionime, pasi nëse ai e merr nën “ombrellë”, atëherë do të ketë vazhdimësi pune. Në Kosovë po shfaqen disa shenja në mbështetje të librit. Vitin e kaluar ka nisur projekti për pasurimin e bibliotekave që u huazua nga Shqipëria dhe që po zbatohet edhe nga Ministria jonë e Kulturës. Shpresojmë që kjo nismë të vazhdojë, sikundër po ndihmohen, edhe pse në masë të vogël, disa botime.

 

Çfarë marrëdhënie ka libri në Kosovë me teknologjinë?

Ne jemi një treg i vogël me shumë probleme ligjore dhe me pirateri të lartë. Mund të hidhen disa hapa, por jemi ende larg, pasi nuk janë trende për kulturat e vogla.

 

Bota, rritje e papërfillshme e librit të printuar, e-books kryeson Europa

Një vit më parë, tregu botëror i librave të konsumit dhe atyre arsimorë arriti në 101.6 miliardë dollarë, ndërsa parashikohet që deri në vitin 2017, rritja të jetë në masën 1% duke arritur në rreth 104.3 miliardë lekë. Edhe pse shitja e librit të printuar ka shënuar rritje, ajo ka qenë e papërfillshme, madje në shumë tregje është llogaritur edhe rënie, kjo është duke u kompensuar nga një rritje e të ardhurave nga e-books, që në vitin 2017 do të përbëjnë 22% të të gjithë librave të shitur në mbarë botën, nga 9% në vitin 2012. Amerika e Veriut do të ketë “oreksin” më të madh për e-books, duke zënë në 2017, 38% të të gjitha shitjeve. E ndjekur nga 15% në Azi Paqësor dhe 6% në Amerikën Latine.

E sa i përket e-books, në 2017-n do të jetë Europa, tregu që do të udhëheqë. Sipas analizave, në SHBA lexuesit lexojnë mesatarisht 24 e-books në vit kundrejt 15 librave të printuar që lexojnë ata që nuk e preferojnë atë format. Po cilat janë disa nga karakteristikat e e-books në botë?

Gati gjysma e e-book-eve publikohen në gjuhën angleze. Ato kanë avantazhe kundrejt librit të printuar. Edhe pse në Europë

e-book janë subjekt i një niveli më të lartë të taksimit të TVSH-së, Komisioni Europian nxit zhvillimin e tyre. Sa i përket piraterisë, edhe industria e e-books është e përfshirë. Në Rusi, 90% e këtij tregu është i miratuar. Konvertimi i librave fizikë në e-book varet nga natyra e tij.

Parashikimet tregojnë se Europa do të jetë tregu më i madh i e-book deri në vitin 2017, falë të ardhurave që do të arrijnë në 19 miliardë dollarë, do të ndjekin Amerika e Veriut dhe Azia.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of