Publikohen shifrat e kuadrit të ri makroekonomik e fiskal 2013-2015
Qeveria i qëndron pritshmërive se rritja ekonomike për 2012-n do të jetë 4.3%, në një vit që kredia parashikohet të jetë e pakët,
Banka Qendrore konstaton që konsumi vijon tkurrjen dhe kriza europiane e borxheve pritet të godasë eksportet, remitancat dhe investimet.
Asnjë përpjekje për të reduktuar borxhin në afatin e mesëm. A do të detyrohen financat të rishikojnë në ulje buxhetin?!
Kur Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur në mënyrë drastike parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për 2012-n, nga 3.5% në vetëm 0.5%,
financat shqiptare vijojnë të ngulim këmbë se vendi do t’i gëzohet një ecurie të kënaqshme.
Në kuadrin e fundit makroekonomik e fiskal të miratuar nga qeveria pak ditë më parë, pritshmëria për zgjerimin ekonomik të vendit gjatë këtij viti vijon të mbetet 4.3%,
për të qëndruar më pas në nivelet e rreth 5%. Ky parashikim vjen në një kohë që: bankat kanë deklaruar se mund të përgjysmojnë ritmet e rritjes së kreditimit,
si rrjedhojë e faktorëve të brendshëm (shtimi të huave të këqija, rregullave shtrënguese nga Banka Qendrore) dhe të jashtëm (ulja e aktiveve me rrezik të imponuara nga bankat mëmë);
konsumi pritet të vazhdojë tkurrjen, sipas konstatimeve nga Banka e Shqipërisë; remitancat po vijnë gjithnjë e më shumë në ulje; bizneset po rrudhin investimet; dhe kriza e borxheve kombëtare në Eurozonë,
sidomos te fqinjët Itali e Greqi do të japë efektet dhe tek ne; nxitësit fiskalë do të jenë të ulët, me shpenzimet kapitale që do të zbresin në më pak se 5% të PBB-së, nga 8.3% që ishin në 2009-n.
Kjo rritje ekonomike nuk do të jetë e mjaftueshme për të ulur borxhin publik, i cili ka arritur në nivele të paqëndrueshme në rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe pritet të qëndrojë rreth kësaj shifre deri në vitin 2015.
Duke parashikuar të ardhura dhe shpenzime pothuajse në të njëjtin nivel ndaj PBB-së për katër vitet e ardhshme, qeveria duket se nuk do të bëjë asnjë përpjekje për të zbritur nga ky nivel.
Ndërsa financat kanë hequr dorë nga plani për të ulur borxhin publik në rreth 55% të PBB-së në afatin e mesëm,
shpenzimet për interesa pritet të arrijnë në nivel rekord, në rreth 3.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (borxhi i brendshëm mban peshën kryesore në këtë trend).
Shqipëria mund të hyjë në një rreth vicioz, ku normat e rritjes ekonomike që pritet të jenë më të ulëta se interesat (sidomos nëse rritja do të rezultojë më e ulët se parashikon qeveria),
pritet të vështirësojnë uljen e borxhit, në një kohë që për herë të parë këtë vit, financat nuk janë shumë të sigurta nëse do të arrijnë që të rifinancojnë borxhin përmes bankave (të cilat zotërojnë rreth 70% të stokut të bonove të thesarit).
Edhe Banka Botërore kërkon, në këmbim të ndihmës së saj buxhetore, që deficiti buxhetor për 2012-n të jetë 2.5% e PBB-së (nivel që nga qeveria parashikohet të arrihet vetëm në 2014-n)
dhe 2% në 2013-n (nivel që nuk parashikohet të arrihet në buxhetin afatmesëm).
A do të rishikohet buxheti?!
Në vitin 2011, ritmet e rritjes së të ardhurave në vlerë absolute ishin më të ulëtat në 10 vitet e fundit, duke u shtuar me vetëm 0.8%,
nga rreth 6% që ishte parashikimi në fillim të atij viti (të dhënat e fundit të disponueshme janë për 11-mujorin).
Teksa projektbuxheti 2012 është hartuar mbi pritshmëritë, tashmë të parealizuara të 2001-s, rritja e të ardhurave në vlerë absolute duhet të jetë rreth 10%,
në mënyrë që shifrat e planifikuara të bëhen realitet. Me një konsum të tkurrur, të reflektuara në të ardhurat e ulëta nga TVSH-në në 2011-n,
bankat dhe telekomunikacionet që nuk po sjellin më të ardhurat e dikurshme në buxhet, shanset që buxheti të rishikohet duken të shumta. Për më tepër që nevojat për financime nga KESH,
në një vit ku reshjet kanë munguar, pritet të ushtrojë presion në rritjen e borxhit publik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.