Komisioni i Prokurimit Publik e ka pranuar si të drejtë ankimimin e bërë nga grupimi “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot – Morinë.
Ky vendim skualifikon turqit e “Vendekës”.
Ministria e Transportit dhe Infrastukturës, do të ketë 10 ditë kohë për t’i shprehur Komisonit të Prokurimit Publik vendimin që do të marrë.
Ja se çfarë thuhet në vlerësimin e Komisionit të Prokurimit Publik:
“Komisioni i Prokurimit Publik pasi ka vlerësuar pretendimet e operatorëve ekonomikë ankimues ka konkluduar se ato qëndrojnë.
Në këto kushte Komisioni i Prokurimit Publik, bazuar në nenin 43 të ligjit nr 125/20013 për “Koncesionet dhe partneritetin publik privat”, neni 19/1 dhe vijues të ligjit nr 9643, dt 20.11 2006 “Për prokurimin publik” të ndryshuar, nenin 23 të VKM nr.184 datë 17.03.2010 “Për miratimin e rregullores”, Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, të ndryshuar njëzëri vendosi:
– Të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech”& Viplap Ateve& Kastrati sha, përfaqësuar nga “Catalyst Viva Das Geberal Constracting LLC” për procedurën e dhënies së Koncensionit/PPP “Procedurë e Hapur” me nr.Ref.230820208 -2016”, me objekt Koncensionin/PPP për Ndërtim, Operim, Mirëmbajtje dhe Rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë me fond limit 6,020,000,000 pa përfshirë vlerën e TVSH-së zhvilluar në datë 30.05.2016 nga autoriteti kontraktues Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.
– Të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të autoritetit kontraktues për skualifikimin e ofertës së paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech”& Viplap Ateve& Kastrati sha, përfaqësuar nga “Catalyst Viva Das Geberal Constracting LLC” dhe të korrigjokë shkeljet duke e kualifikuar atë.
– Të anulojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të autoritetit kontraktues për kualifikimin e ofertës së paraqitur nga abshkimi i operatorëve ekonomikë “ Vendeka Bigli Teknolojileri” Ltd& “PT Citra Marga Nusaphala Persada” Tdk& mehmet Ali Unal Insaat Taahhlil madeceiilik San Ve Tic” As & Savronik Siste, Tah.San.Tic As&” Vendeka European Investment B.V” dhe të korrigjojë shkeljet duke e skualifikuar atë.
– Autoriteti kontraktues brenda 10 ditëve të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera”.
Ankesa e “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & “Viplap Ateve& Kastrati sha” u depozitua pranë Komisonit të Prokurimit Publik në datë 1 gusht.
Për tenderin Milot-Morinë, Ministria e Transporteve shpalli fituese ofertën e kompanisë turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, e cila ofroi shumën 320,604,079 euro për investim, ndërsa do të subvencionohej nga buxheti i shtetit në shumën 5,600,000 euro, nëse nuk arrihej trafiku i programuar i makinave që do të taksohej.
Kompania “Catalyst and Salillari”, e dyta në garën e koncesionit, ofroi shumën 217,562,056 euro për investim dhe kërkoi 4,995,000 euro subvencionim nga shteti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.