Autoriteti i Konkurrencës: “Historiku i vendimmarrjes së Komisionit të Konkurrencës në tregun përkatës si ndaj sjelljes së firmave ashtu edhe me rekomandimet e shumta për AMF-në tregon mungesën e vullnetit të rregullatorit dhe ndërmarrjeve nën hetim për moszbatimin e Politikës dhe Ligjit të Konkurrencës duke bërë inefiçente ndërhyrjet e Komisionit të Konkurrencës në tregun e MTPL-së së brendshme”.
Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar ndihmën e Komisonit të Ekonomisë për të siguruar konkurrencën e lirë në tregun e sigurimit të detyrueshëm të Automjeteve, pasi ka konstatuar se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare AMF) në vite ka bërë ineficiente përpjekjet e Autoritetit për të nxitur konkurrencën në këtë treg.
Sipas njoftimit zyrtar, Autoriteti i Konkurrencës ka së fundmi miratuar vendimin “Për masat dhe detyrime për ndërmarrjet e sigurimit dhe disa rekomandime për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare mbi rivendosjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta”.
Autoriteti ka vendosur t’i rekomandojë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të detyrojë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme) nëpërmjet nxjerrjeve të akteve nënligjore lidhur me:
- Zbatimin e plotë të sistemit Bonus/Malus (sistemi me pikë, sipas historisë së përdoruesit të automjetit) për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik ndaj Palëve të Treta duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve;
- Dëmshpërblimin e drejtpërdrejte për palët e siguruara që do të rriste ndjeshëm konkurrencën mes shoqërive të sigurimeve;
Autoriteti ka vendosur gjithashtu angazhimet e ndërmarrjeve objekt hetimi bëhen të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrime, si vijon:
a) Lidhjen e më shumë se një kontratave të shërbimit me shoqëritë e brokerimit dhe shoqëritë e agjenteve/agjente si persona fizike;
b) Rritjen e shërbimit ndaj te siguruarve sa i përket dëmeve dhe ofrimit te primeve te ndryshme te shitjes sipas kategorive te klientëve;
c) Marrjen e masave që në sistemet e tyre shoqëritë të mundësojnë sistemin e diferencuar BONUS/MALUS;
Këto rekomandime janë marrë pasi Komisioni i Konkurrencës ka shqyrtuar Raportin e Hetimit të Thelluar në Tregun e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik për përgjegjësinë ndaj Palëve të Treta (MTPL e brendshme), të paraqitur nga Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës; Relacionit të Sekretares së Përgjithshme; Pretendimeve të ndërmarrjeve nën hetim të paraqitura me shkrim dhe verbalisht në seancat dëgjimore të datave 21, 22 dhe 24 nëntor 2016.
Nga hetimet ka rezultuar se më datë 24 gusht 2016 ora 00:00, të gjitha shoqëritë e sigurimit kanë rritur çmimin e shitjes së produktit MTPL e brendshme në masën prej 16.7% (duke njoftuar shoqërinë Star Broker, e cila bën administrimin e sistemit të shitjes së policave të MTPL së brendshme), dhe me një çmim i cili ndryshon në mënyrë simetrike me diferencë prej 12 lekë nga njëra ndërmarrje tek tjetra, sipas renditjes së ndërmarrjeve referuar pjesëve të tregut, ku ndërmarrja me pjesë më të madhe tregu ka çmimin më të ulët deri tek ndërmarrja më e vogël me çmimin më të lartë.
Diferenca nga çmimi më i ulët tek çmimi më i lartë është 84 lekë, për të gjitha kategoritë e MTPL. Për Autoritetin e Konkurrencës, kjo praktikë është e ndaluar.
Nga ana e tyre ndërmarrjet nën hetim kanë pretenduar se rritja e primeve të sigurimit MTPL e brendshme për të gjitha klasat ka ardhur për shkak të kostove të rritura që vijnë kryesisht nga taksa rritur nga 3 në 10 % dhe rritja e dëmeve të paguara mesatarisht me 30 %.
Në raport, Konkurrenca përmend dhe ndërhyrjet që ajo ka bërë gjatë 10 viteve në këtë treg, kur ajo ka vënë si gjoba ndaj kompanive të sigurimeve, (të cilat janë zhvlerësuar nga Gjykata) edhe rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për shtimin e konkurrencës në treg. Por, AMF nuk rezulton të ketë vepruar. “Historiku i vendimmarrjes së Komisionit të Konkurrencës në tregun përkatës si ndaj sjelljes së firmave ashtu edhe me rekomandimet e shumta për AMF-në tregon mungesën e vullnetit të rregullatorit dhe ndërmarrjeve nën hetim për moszbatimin e Politikës dhe Ligjit të Konkurrencës duke bërë inefiçente ndërhyrjet e Komisionit të Konkurrencës në tregun e MTPL-së së brendshme”, thuhet në vendimin e Konkurrencës.
Hetimi
Gjatë periudhës së hetimit paraprak Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës ka kryer inspektime të befasishme pranë ndërmarrjeve nën hetim sipas parashikimeve të nenit sipas nenit 36 të Ligjit dhe janë administruar informacionet e nevojshme nga ndërmarrjet nën hetim dhe sipas nenit 34 është administruar informacioni i kërkuar nga AMF.
Në përfundim të procedurës së hetimit paraprak, rezultoi se ndërmarrjet nën hetim kanë rritur në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën masë primin e shitjes së produktit MTPL e brendshme, dhe për këtë arsye me anë të Vendimit Nr. 435, datë 21.09.2016 filloi proçedura e hetimit të thelluar në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorrik ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme).
Ndërmarrje nën hetim janë shoqëritë e sigurimit Sigal Uniqa Group Austria Sh.a, Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group Sh.a, Atlantik Sh.a, Intersig Vienna Insurance Group Sh.a, Alb-siguracion, INSIG Sh.a, Eurosig Sh.a dhe Ansig Sh.a.
Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar inspektime për gjetjen e evidencave direkte dhe indirekte të një marrëveshje të ndaluar midis konkurrentëve ose të një praktike të bashkërenduar mes kompanive, lidhur me caktimin ne mënyrë te drejtpërdrejtë ose të tërthortë të primeve të shitjes, ndarjes së tregut apo kufizimit ose kontrollit të tregut. Gjatë inspektimeve janë administruar materiale të nevojshme për hetimin për të bërë të mundur vlerësimin e kufizimeve të konkurrencës në treg.
Nga inspektimi i realizuar në shoqërinë e brokerimit “Star Broker” Sh.a, u gjendën shkresat e të gjitha shoqërive të sigurimit, të datës 23.8.2016 (me përjashtim të ANSIG që e ka dërguar shkresën një ditë më vonë) të cilat njoftonin shoqërinë Star Broker, e cila bën administrimin e sistemit të shitjes së policave të MTPL së brendshme, se shoqërite do të aplikonin çmime më të larta duke filluar prej datës 24 gusht 2016.
Nga evidencat e administruara, të gjitha shoqëritë e sigurimit kanë caktuar datën 24 gusht 2016, për aplikimin e çmimeve të ndryshuara për produktin MTPL e brendshme. Në zbatim të kërkesave të mësipërme shoqëria “Star Broker” Sh.a ka realizuar ndryshimin e tarifave për kategoritë MTPL ne sistemin e shitjes në të njëjtën kohe në datë 24.08.2016 ora 00:00.
Referuar evidencave të shitjes së produktit MTPL e brendshme të marra nga “Star Broker” sh.a si dhe nga të gjitha shoqëritë e sigurimit gjatë periudhës së inspektimeve, rezulton se më datë 24 gusht 2016 ora 00:00, të gjitha shoqëritë e sigurimit kanë rritur çmimin e shitjes së produktit MTPL e brendshme në masën prej 16.7%, dhe me një çmim i cili ndryshon në mënyrë simetrike me diferencë prej 12 lekë nga njëra ndërmarrje tek tjetra, sipas renditjes së ndërmarrjeve referuar pjesëve të tregut, ku ndërmarrja me pjesë më të madhe tregu ka çmimin më të ulët deri tek ndërmarrja më e vogël me çmimin më të lartë. Diferenca nga çmimi më i ulët tek çmimi më i lartë është 84 lekë, për të gjitha kategoritë e MTPL.
Nga ana e Grupit të Punës kjo sjellje e shoqërive të sigurimit përbën një evidencë indirekte të një praktike të bashkërenduar e cila në kuptim të nenit 3, pika 4 të Ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” ( i ndryshuar) konsiderohet marrëveshje, e cila në bazë të nenit 4, pika 1 germa a është e ndaluar.
PRETENDIMET E PALËVE
Në zbatim të nenit 39 të Ligjit Komisioni i Konkurrencës përpara marrjes së vendimin përfundimtar dëgjoi palët në seancat dëgjimore të datave 21, 22 dhe 24 nëntor 2016 ku shoqëritë e sigurimit paraqitën prapësimet e tyre referuar raportit dhe marrjen e angazhimeve për rivendosjen e tregut në kushtet e konkurrencës së lirë dhe efektive.
Në pretendimet e tyre ndërmarrjet pretendojnë se tregu është i rregulluar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i cili ka përgjegjësinë ligjore për mbarëvajtjen dhe rregullimin e tregut si dhe të zbatimit në kohë të sistemit Bonus- Malus dhe se sipas raportit hetimor konstatohet se “nuk janë evidentuar evidenca direkte të një marrëveshje të ndaluar nëformën të shkruar për fiksimin e çmimit apo ndarjen e tregut …”, pra përjashtohet mundësia e evidentimit të një marrëveshje të ndaluar mes shoqërive të sigurimeve”.
Ndërmarrjet nën hetim pretendojnë se çmimet midis tyre janë të ndryshueshme dhe nuk janë të njëjta dhe se nuk jemi para shkeljeve të pretenduara në nenin 4 të Ligjit sa i përket ndarjeve të tregut se nuk jemi në kushtet e ndarjes së tregut pasi ka ndryshme mes pjesëve të tregut të produktit përkatës nga një muaj në tjetrin dhe nga një shoqëri sigurimi ne tjetrën.
Ndërmarrjet nën hetim pretendojnë se rritja e primeve të sigurimit MTPL e brendshme për të gjitha klasat ka ardhur për shkak të kostove të rritura që vijnë kryesisht nga taksa rritur nga 3 në 10 % dhe rritja e dëmeve të paguara mesatarisht me 30 %.
Shoqëritë e mësipërme, bazuar dhe në interpretim të nenin 45 të Ligjit nr. 9121, date 28.03.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” (i ndryshuar) dhe Rregullores “Mbi procedurat e Angazhimeve”, kanë paraqitur angazhimet e tyre sipas të cilëve, janë detyruese, krijojnë siguri ligjore, rivendosin konkurrencën në treg dhe sigurojnë ruajtjen efektive të saj në mënyrë të vazhdueshme, si më poshtë:
a) Lidhjen e me shume se një kontratave te shërbimit me shoqëritë e brokerimit dhe shoqëritë e agjenteve/agjente si persona fizike;
b) Rritjen e shërbimit ndaj te siguruarve sa i përket dëmeve dhe ofrimit te primeve te ndryshme te shitjes sipas kategorive te klientëve;
c) Bashkëveprimin me AMF-ne si rregullator tregu për diferencimin e primeve mbi bazën e riskut te te siguruarit. Shoqëritë pretendojnë se nga ana e tyre janë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe angazhimet e kërkuara për të zbatuar sistemin e diferencuar BONUS/MALUS por kjo nuk është bërë e mundur për shkak të vakumit ligjor dhe nënligjor pasi siç jeni në dijeni është në procedurë rishikimi legjislacioni “Mbi sigurimin e detyrueshëm motorik të mjeteve të transportit”.
Ndërhyrjet e konkurrencës në 10 vite
Gjatë 10 viteve të fundit Komisioni i Konkurrencës ka përdorur të gjitha instrumentet në zbatim të legjislacionit të konkurrencës për rivendosjen e konkurrencës efektive në treg: vendosjen e gjobave të rënda sipas parashikimeve të neneve 4 dhe 74 të Ligjit, si dhe rekomandimet për entin rregullator të tregut përkatës për krijimin dhe nxitjen e konkurrencës në treg. Më konkretisht:
MASAT ME GJOBË NDAJ SHOQËRIVE TË SIGURIMIT
Me vendimin nr.50 Datë 21.03.2007 “Për Vendosje gjobe ndaj shoqërive që veprojnë në tregun e sigurimit të detyrueshëm, për produktin Policë Kufitare” Komisioni i Konkurrencës vendosi: ndalimin e akt-marrëveshjes së datës 05.04.2005 “Mbi themelimin e Pool-it të Sigurimit Kufitar të Përgjegjësive ndaj palëve të treta të mbajtësit të mjetit motorrik”, dhe vendosjen e gjobës në masën 2% të xhiros të vitit 2005, ndaj shoqërive pjesëmarrëse në marrëveshjen e datës 05.04.2005 dhe konkretisht: Shoqërisë Sigma Sh.a, Shoqërisë Sigal Sh.a, Shoqërisë Atlantik Sh.a, Shoqërisë Intersig Sh.a, Shoqërisë Interalbania Sh.a, Shoqërisë Albsig Sh.a, Shoqërisë Insig Sh.a, Shoqërisë Eurosig Sh.a, 29. Me vendimin Nr. 246 , datë 09.10.2012 “Mbyllja e hetimit të thelluar në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL) dhe vendosje gjobe për kufizim të konkurrencës ndaj ndërmarrjeve “Sigal Uniqa Group Austria Sha (Sigal)” në shumën prej 22.496.193 Lekë, “Sigma Vienna Insurance Group Sha (Sigma)” në shumën prej 14.050.348 Lekë, “Atlantik Sha” në shumën prej 11.141.914 Lekë, “Intersig Vienna Insurance Group Sha (Intersig)” në shumën prej 12.213.514 Lekë, “Interalbanian Sha” në shumën prej 7.271.207 Lekë, “Alb – Siguracion Sha (Albsig)” në shumën prej 9,362,548 Lekë, “Instituti i Sigurimeve Sha (Insig)” në shumën prej 3,257,583 Lekë dhe “Eurosig Sha” në shumën prej 9,151,357 Lekë.
Në të gjitha rastet, Gjykata në vendimet përfundimtare ka vendosur shfuqizimin e vendimmarrjes së Komisionit të Konkurrencës duke e zhvlerësuar këtë instrument.
REKOMANDIMET PËR AUTORITETIN TË MBIKËQYRJES FINANCIARE
Vendimi nr. 49 datë 21.03.2007 “Për disa Rekomandime të ndryshimeve në disa akte normative në fushën e sigurimeve”, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrit të Financave shfuqizimin e plotë të Urdhrit Nr. 14, datë 6.5.2005 të Ministrit të Financave “Mbi shitjen dhe administrimin e policës kufitare nga BSHS” dhe urdhrave të tjerë në zbatim të tij, që lidhen me shpërndarjen e të ardhurave nga shitja e policës kufitare.
Vendimin nr.247, datë 09.10.2012 “Për disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta (MTPL)”, Komisioni i Konkurrencës ka kërkuar “implementimin në një kohë sa më të afërt të sistemit Bonus-Malus, i cili do të krijonte mundësi për një diversitet dhe aplikim të primeve të ndryshme për çdo policë sigurimi të detyrueshëm motorik, duke rritur në këtë mënyrë konkurrencën midis kompanive që operojnë në këtë treg”.
Vendimin nr. 254, datë 06.12.2012 “Për disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta” Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar “revokimin e Vendimit Nr. 151, date 29.10.2012 te Bordit te Autoritetit te Mbikëqyrjes Financiare, “Për miratimin e tabelës së primit të rrezikut për përllogaritjen e provigjoneve teknike për sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik për dëmet që u shkaktohen palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti”.
Vendimin nr.269, datë 18.02.2013 “Për disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në tregun e policës së sigurimit kufitar” Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhe të gjitha ndërmarrjeve të sigurimit: rishikimin, brenda afatit 1 mujor nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të kushteve të veçanta të Policës së Sigurimit Kufitar në mënyrë që shoqëritë e sigurimeve ta tregtojnë produktin “Policë kufitare” me emrin e secilës prej tyre, në mënyrë individuale.
Vendimin nr.325, datë, 30/07/2014 “Për disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për nxitjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta” Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar AMF-së marrjen e masave rregullatore për vendosjen e tregut të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta në kushtet e funksionimit efiçent duke siguruar konkurrencën mes shoqërive të sigurimit nëpërmjet marrjes së masave si vijon:
- Të bëjë të zbatueshëm parashikimin ligjor për trajtimin e dëmit nga siguruesi i drejtëpërdrejtë sipas parashikimeve të ligjit nr.10076, datë 12.02.2009, “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”;
- Të miratojë tabela të individualizuara të primit të riskut mbështetur në analizën e riskut sipas portofolit të shoqërive të sigurimit, karakteristikave të produkteve dhe strukturës së sigurimeve për çdo shoqëri sigurimi;
- Të informojë Autoritetin e Konkurrencës në mënyrë periodike mbi vënien në funksionim të projektit Bonus-Malus deri në realizimin e plotë të projektit për individualizimin e primit të riskut sipas historikut të dëmeve të të siguruiarit, moshës së drejtuesit te automjeteve, vendbanimi dhe fuqia motorike e automjetit etj.
- Të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës në kuadër të projektit të asistencës me Bankën Botërore për rishikimin e kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL me theks të veçantë mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL.
- Të publikojë raportin dhe të dhënat financiare të shoqërive të sigurimit për të mundësuar konkurrencën e ndershme në tregun e sigurimeve mbështetur në Udhëzimin “Mbi rregullat e publikimit të të dhënave të shoqërive të sigurimit, shoqërive të brokerimit në kuadrin e transparencës ndaj publikut dhe mbrojtjen konsumatorë”, me vendimin e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nr.11, datë 08.02.2007, dhe të sigurojë që “Shoqëria e sigurimit publikon raportin vjetor i cili përfshin raportin vjetor financiar dhe të dhëna të tjera të përfshira në këtë Udhëzim. Ky raport publikohet, jo më vonë se gjashtë muaj nga përfundimi i vitit kalendarik”.
Historiku i vendimmarrjes së Komisionit të Konkurrencës në tregun përkatës si ndaj sjelljes së firmave ashtu edhe me rekomandimet e shumta për AMF-në tregon mungesën e vullnetit të rregullatorit dhe ndërmarrjeve nën hetim për moszbatimin e Politikës dhe Ligjit të Konkurrencës duke bërë inefiçente ndërhyrjet e Komisionit të Konkurrencës në tregun e MTPL-së së brendshme.
Si konkluzion Komisioni i Konkurrencës vlerëson se në tregjet e rregulluara, entet rregullatorë dhe në rastin konkret AMF që gjatë kryerjes së detyrave për rregullimin e veprimtarisë ekonomike të subjekteve nën mbikëqyrje janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e ligjit 9121 date 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ( i ndryshuar) dhe te sigurojnë konkurrencën e lirë dhe efektive në tregjet nën rregullim.
Rekomandimet
Komisioni i Konkurrencës, në mbështetje të nenit 45 pika 2 dhe nenin 70 të Ligjit Nr. 9121, datë 8.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar),
V E N D O S I:
- Angazhimet e ndërmarrjeve objekt hetimi bëhen të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrime, si vijon:
- a) Lidhjen e më shumë se një kontratave të shërbimit me shoqëritë e brokerimit dhe shoqëritë e agjenteve/agjente si persona fizike;
- b) Rritjen e shërbimit ndaj te siguruarve sa i përket dëmeve dhe ofrimit te primeve te ndryshme te shitjes sipas kategorive te klientëve;
- c) Marrjen e masave që në sistemet e tyre shoqëritë të mundësojnë sistemin e diferencuar BONUS/MALUS;
- T’i rekomandojë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të detyrojë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme) nëpërmjet nxjerrjeve të akteve nënligjore lidhur me:
- Zbatimin e plotë të sistemit Bonus/Malus për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik ndaj Palëve të Treta duke diferencuar primet e sigurimit të të siguruarve sipas historikut të dëmeve;
- Dëmshpërblimin e drejtpërdrejte për palët e siguruara që do të rriste ndjeshëm konkurrencën mes shoqërive të sigurimeve;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.