Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit nga shoqëria Eurosig SH.A të shoqërisë Insig SH.A”.
Eurosig sha bleu në 1 qershor 2016 100% të kapitalit të shoqërisë Insig SH.A Objekti i transaksionit është transferimi nga Shitësi tek Blerësi i 1700 aksioneve të shoqërisë Insig SH.A dhe çdo e drejtë që u përket aksioneve, të lira nga çdo barrë . Në datën e mbylljes , Blerësi do të jetë pronari i 100% të aksioneve të Insig SH.A me vlerë minimale 600 000 lekë për aksion, të lira dhe të pastra nga të gjitha pretendimet dhe barrë e çdo lloji.
Konkurrenca vlerëson se transaksioni i ndryshimit të kontrollit mbi shoqërinë Insig, nuk sjell mbivendosje horizontale të veprimtarisë ekonomike të palëve në transaksion sa i përket sigurimit te jetes, pasi shoqëria Eurosig SH.A nuk është prezente në këtë segment produkti.
Në segmentin e sigurimit të jo – jetës janë aktive të dy shoqëritë, pjesë e këtij transaksioni. Ky transaksion shkakton mbivendosje horizontale të veprimtarisë së palëve apo tregjeve të prekura. Pjesa e tregut e kombinuar për të dy shoqëritë do të rezultonte 21.05%, gjithsesi para dhe pas transaksionit asnjëra nga ndërmarrjet objekt i përqendrimit të analizuar, Eurosig SH.A dhe Insig SH.A nuk zotëron pozitë dominuese në tregun përkatës.
Pavarësisht rritjes së nivelit të përqendrimit të tregut, ky transaksion nuk e vendos ndërmarrjen e përqendruar në një pozicion të tillë, i cili i jep mundësi asaj të vështirësojë zgjerimin apo të kufizojë aftësinë e aktorëve të tjerë në treg për të konkurruar, vlerëson autoriteti.
Kjo nisur dhe nga fakti i prezencës në treg i konkurrentëve si Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group, respektivisht pjesë e grupeve Uniqa Group dhe Vienna Insurance Group, grupe lider sa i përket sigurimeve në Austri dhe Europën Qëndrore dhe Lindore, me një prezencë afatgjatë dhe fuqi ekonomike të konsoliduar.
Të dy shoqëritë do të vazhdojnë aktivitetin e tyre si njësi ekonomike të pavarura me emër tregtar respektivisht Insig SH.A dhe Eurosig SH.A dhe nuk parashikohet një bashkim mes tyre në periudha afatshkurtra.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.