Sinjalet se kredia po merrte një kthesë të qëndrueshme janë zbehur dy muajt e fundit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit janar 2015 arriti në 557.7 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 0.4% në raport me muajin e mëparshëm. Ky është muaji i dytë radhazi me rënie, pas tkurrjes prej 0.25% me bazë mujore që u konstatua dhe në dhjetor.
Institucioni monetar qendror publikoi sot statistikat si për dhjetorin 2014 ashtu dhe për janarin 2015.
Kjo është rënie më e fortë që nga prilli I vitit 2014, kur pas një stanjacioni të huadhënies në vend, duket se situate kishte nisur përmirësimin, duke reflektuar një gjallërim të aktivitetit ekonomik në vend dhe rritje të kërkesës.
Rënia në dy muajt e fundit ka ardhur nga reduktimi I stokut të “Kredisë për korporatat e tjera jofinanciare” (bizneseve), sin ë lekë ashtu dhe në valutë.
Për gjithë vitin 2014, kredia për ekonominë është rritur me 2.2%, duke shënuar një përmirësim në raport me vitin e mëparshëm, kur rritja vjetore ishte negative prej -1.2%.
Me nivelin e kredive me problem që ka arritur në gati 25%, bankat janë treguar mjaft të kujdesshme në kreditim vitet e fundit. Ekonomia e dobët dhe mungesa e investimeve nga biznesi, nga ana tjetër nuk kanë ndihmuar në këtë drejtim.