Kroacia feston 23-vjetorin e Paqes

06/08/2018 12:35 PM 0 komente

Zyrtarët kroatë festuan përvjetorin e 23-të të operacionit ushtarak fitimtar të vitit 1995, të qujatur “Stuhia”. Në fjalën e tij Kryeministri, Andrej Plenkoviç tha se vetëm në sajë të atij operacioni ushtarak Kroacia fitoi paqen e saj afatgjatë.

Udhëheqja politike kroate u mblodh ditën e djeshme në qytetin e Kninit për të festuar pikërisht këtë ditë të shënuar, e cila idha fund praktikisht luftës në vend në vitin 1995 kundër Serbisë. Kryeministri kroat vazhdoi më tej duke thënë se ne sot nxisim bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet vendit tonë dhe Serbisë, të cilat duhet të bazohen në tregimin e të vërtetës, marrjes përsipër të përgjegjësive për të kaluarën dhe përballjes me drejtësinë.

“Kjo gjithashtu nënkupton edhe gjetjen e atyre që janë përgjegjës për të gjitha veprat penale të kryera gjatë luftës”, shtoi ai. Plenkoviç argumentoi se operacioni “Stuhia” ndihmoi në mposhtjen e politikës së Serbisë së Madhe të Presidentit serb, Slobodan Millosheviç, të viteve 1990. Gjatë operacionit “Stuhia”, forcat kroate rimorën territorin e kontrolluar që nga fundi i vitit 1991 nga serbët rebelë, të cilët u ndihmuan edhe nga Ushtria Popullore Jugosllave.

Ndërsa Presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç tha se lufta atdhetare e Kroacisë dhe veteranët e luftës nuk duhet të harrohen, ndërsa vlera e “unitetit kombëtar” duhet të promovohet edhe tek brezat e rinj. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe lideri i kroatëve të Bosnjes, Dragan Çoviç.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of