Kur forcohen themelet

07/05/2012 4:32 PM 0 komente

Për vite të tëra, fermerët kanë mundur të kreditohen përmes mikrofinancës. Mbi 31 mijë anëtarë numëron vetëm Unioni SHKK, i cili shikon interes në rritje të fermerëve dhe po u përgjigjet me diversifikim të shërbimeve. Këtë vit, bankarizohen një pjesë e shërbimeve mikrofinanciare

Dy djem të rinj në zonën e Vlorës, të kthyer nga emigracioni, kanë ngritur dy ferma blegtorale me nga 300 krerë të imëta, falë mbështetjes që kanë gjetur te një prej institucioneve më të mëdha në fushën e kreditimit rural, Unioni i Shoqërive të Kursim Kredisë (Unioni SHKK). Me një përvojë 10-vjeçare tashmë në zonat rurale, ai planifikon të zgjerojë aktivitetin e kursim-kredisë, edhe në disa zona të tjera rurale, për t’u shtrirë në të gjithë vendin. Në mbledhjen e Asamblesë së Unionit, mbajtur në Budva të Malit të Zi pak ditë më parë, drejtorja ekzekutive e Unionit, Zana Konini, u shpreh se krahas shtrirjes së shërbimeve edhe në disa fshatra të tjerë, këtë vit do të synojmë edhe zgjerimin e gamës së shërbimeve. “Viti 2011 ka qenë i suksesshëm për grupin tonë në të gjitha sferat e aktivitetit të tij, duke krijuar një bazë të fortë për 2012-n. Të ndërgjegjshëm që nevojat dhe kërkesat e anëtarëve tanë janë në rritje e në zhvillim, ne përmirësojmë e diversifikojmë në mënyrë të vazhdueshme produktet e shërbimet tona”, tha znj. Konini. Sipas saj, “2012-a shënon një etapë të rëndësishme për ne, pasi parashikojmë të kemi rritje 6.5% të shpërndarjes në fshatra dhe një rritje prej 17% të numrit të klientëve”.

Fermerët shqiptarë po rrisin kërkesat për financime, ndërkohë që institucionet kredituese janë më të kujdesshme në vlerësimin e kushteve të mbështetjes. Më shumë se një detyrim ligjor, drejtuesit në mikrofinancë tregojnë se e shikojnë takimin vjetor me përfaqësuesit e SHKK-ve të të gjitha zonave si një detyrim moral që i shërben forcimit të institucionit mikrofinanciar, aq më tepër në një periudhë relativisht të vështirë ekonomike.

Ahmet Demaj, përfaqësues i një prej shoqërive më të hershme të kursim-kredisë në Vlorë, shprehet se, “sot jemi në një periudhë kur nevoja jonë për financime është e njëjtë me nevojat e shfaqura në vitin ‘93, në fillimet e mikrokredisë. Tani po përballemi me një rikthim të ri, pasi po kthehen të rinjtë dhe kriza ka sjellë nevojën për mjete financiare”. Sipas tij, pikërisht për këtë, është e nevojshme që Unioni SHKK të luajë një rol të madh.

“Efekti i krizës ka bërë që aplikimet e kërkesave për kredi të studiohen me kujdes dhe të jemi më të matur në vlerësimin e tyre, ndërkohë që nga ana tjetër, kërkesa për kreditim është rritur. Por ne kemi kujdes të madh në vlerësimin e situatës së çdo fermeri. Duhet pasur parasysh se asgjë nuk mund të zhvillohet nga hiçi”, thotë Agur Musaku, kryetar i bordit SHKK Allgë (Lushnjë). “E rëndësishme është se kohët e fundit po reduktojmë kreditë e maskuara, ato që jepen mes vetë fermerëve, të cilat nuk kanë garanci për asnjërën nga palët”, shton z. Musaku. Një e mirë për ekonominë e për mikrokredinë është interesi i rritur për të punuar tokën e për të shtuar fermat blegtorale. “Investimet më të kërkuara janë në blegtori dhe në punimin e tokës. Duket një kujtim i hidhur tashmë fakti i tokave të papunuara”, thotë z. Musaku. Ky interes i rritur duket se ka përfshirë tashmë të gjitha zonat rurale, nga Veriu në Jug të vendit. Pikërisht për këtë, Unioni SHKK dha vitin e kaluar 6500 kredi të reja, siç thekson anëtari i Komitetit të Kredisë, Behar Gjoni. Sipas të dhënave zyrtare, 60% e portofolit të kredisë së Unionit SHKK ka shkuar për kreditimin në fushat e bujqësisë e blegtorisë. Ky institucion mikrofinanciar është i përbërë nga 97 SHKK në 100 fshatra dhe numëron 31500 anëtarë. Sipas z. Gjoni, “parametrat janë shumë të mirë edhe në depozita, pasi një e treta e kredisë është e mbuluar nga depozitat”. Ato që po përbëjnë shqetësim për tregjet financiare në vend e në botë, kreditë e këqija, nuk janë të tilla për mikrofinancën, të paktën për Unionin SHKK. “Niveli i kredive të këqija është shumë më i ulët krahasuar me operatorë të tjerë financiarë. Në Unionin SHKK, ai llogaritet te gati 6%”, thotë z. Gjoni.

 

Opinione: Sa i rëndësishëm është kreditimi rural

Ferdinand Jaku, SHKK Shkodër

Situata është pozitive për sa i përket mirëqenies së këtyre zonave rurale. Rritja e kreditimit është e kënaqshme. Ne po punojmë edhe për depozitat. Kohët e fundit, në rajonin e Shkodrës ato janë rritur ndjeshëm.

Skënder Duka, SHKK Përrenjas

Klientët kohët e fundit kanë mësyrë në SHKK-në Nikel Përrenjas, pasi po e shohin me shumë interes investimin në bujqësi e blegtori. Zona jonë është malore ndaj investimet më të mëdha kërkohen për të zhvilluar blegtorinë. Kreditë merren me afat deri në tre vjet dhe me ardhjen e emigrantëve kemi pasur kërkesa edhe për shërbime të tjera.

 

Hasan Shehu, SHKK Petrelë

Kreditimi në zonën e Petrelës është i kënaqshëm. Tashmë kufiri maksimal i kreditimit është rritur nga 800 mijë lekë në 1 milion, ndërkohë që edhe shërbimet janë më të arrira. Kujtoj se kreditimin e kemi filluar me 500 mijë lekë të vjetra.

 

2012, mikrokredi “bankare”

Këtë vit janë krijuar bazat për një hop cilësor në kreditimin e zonave rurale, falë një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar mes Unionit SHKK dhe “Credins Bank”. Sipas drejtores ekzekutive të Unionit, “ky hap do të na ndihmojë për të përfituar nga teknologjia bankare”. Kjo nënkupton kryerjen e një game të gjerë operacionesh përmes sistemit bankar.

Drejtori i përgjithshëm i “Credins Bank”, Artan Santo, u tha anëtarëve të SHKK-ve gjatë asamblesë se “Unioni Kursim Kredi është një partner i sigurt dhe konsistent për të ecur përpara në këtë marrëdhënie. Do t’ju mbështesim. Ju jeni aksionerë të Bankës Credins e jam i lumtur që jeni kaq të shtrirë në Shqipëri. Kemi nevojë që shërbimet tona t’i kryejmë në formë bankare, ndaj do të bankarizojmë çdo produkt tuajin për sa i përket kryerjes së shërbimeve. Do të shtrihemi në çdo degë të Unionit në mbarë vendin”.

Ekspertë në fushën e financave e shikojnë këtë si një “kontratë” ku të dyja palët janë të fituara. Unioni pritet të përfitojë më shumë nga teknologjia bankare, ndërsa “Credins Bank” në të njëjtën kohë do të shfrytëzojë rrjetin e Unionit të shtrirë në zonat rurale.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of