Pas miratimit nga Kuvendi të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, operatorët e tregut flasin për një mundësi që do t’i jepet tregut për të mbijetuar në kushte kur punon me 25% të kapacitetit të tij; Ndërsa shoqëria civile bën të ditur se do të vazhdojë betejën e saj për të siguruar referendumin. Për këtë, ata do t’i drejtohen Presidentit. Mosdrekretimi nga ana e tij, do të kërkojë që ligji të rishqyrtohet nga Kuvendi, po për miratimin e tij, do të duhen 71 vota.
Miratimi i këtij ligji, ashtu sikundër edhe diskutimi, ka shkatuar debate tejet të nxehta brenda politikës, shoqërisë civile, por edhe mes sipërmarrjeve.
Bardhyl Balteza, një nga drejtuesit e Shoqatës së Ricikleuesve të Shqipërisë thotë se sektori i riciklimit punon me një normë të ulët kapaciteti çka do të thotë humbje të vendeve të punës. Sipas tij, ky është një diskutim më shumë me frymë poltike, sesa ekonomike apo mjedisore. Sipas tij, një nga problemet më të mëdha ka të bëjë me faktin se në Shqipëri nuk realizohet ndarja e mbeturinave sipas natyrës së tyre dhe për këtë ata fajësojnë pushtetin vendor.
Balteza, thotë se në Shqipëri u krijuan kushtet për një treg monopol, sjellje e cila është antikushtetuese.
Ai thotë se në Shqipëri, kompanitë e riciklimit operojnë në bazë të ligjeve shqiptare, por që janë të përafruara me direktivat e Bashkimit Europian. Zoti Balteza thotë se nëse qeveria ka dyshime në lidhje me një aktivitet sipërmarrës, atëherë ajo mund të marrë masa që ta pezullojë deri në një afat 6-mujor për të bërë të gjitha hetimet e nevojshme.
Në vitin 2013, u mundësua me ligj importi i lëndëve të para dytësore, thotë z. Balteza, i cili shpjegon se nuk duhet të përdoret termi ‘plehra’ kur në fakt bëhet fjalë për import të këtyre lëndëve të para dytësore. Vendet e BE-së konsiderojnë si të tilla edhe letrën apo plastikën. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Ricikluesve të Shqipërisë, ata punojë në bazë të një protokolli tejet të sigurt, firmat që eksportojnë u nënshrohen kontrolleve rigoroze dhe se makineritë e transportit janë të dedikuara për këtë lloj veprimtarie.
“Ne nuk kemi asnjë interes që të importojmë mbetje të rrezikshme, pasi nuk do të na hynin në punë. Licencën për këtë aktivitet, sipas ligjit, mund ta përfitojnë vetëm ato subjekte që kanë edhe impiante përpunimi. Ka rreth dy vjet që gjithashtu është ngritur një laborator modern që ka pajisjet e teknologjisë së fundit dhe ku bëhen analiza të plota dhe të sakta”, thotë z.Balteza. Sipas tij, nuk ka vend për abuzime dhe as për panik për popullsinë.
Por, duket se nuk ndajnë të njëjtin mendim përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët thonë se ligji i hap rrugë importit të mbetjeve. “Ajo që duhet të kuptohet është se bashkë me lëndët e riciklueshme do të importohen edhe mbetje, pasi rreth 30% e këtyre sasive në fund lëshojnë lëndë të dëmshme, gaz apo mbetje të tjera që nuk dekompozohen në landifille, pasi janë të patretshme dhe ndotin si mjedisin, ashtu edhe ujin. Janë pikërisht këto mbetje që ne na shqetësojnë e që përmes ligjit u hapet rruga për të hyrë në Shqipëri” , thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Një tjetër problem shqetësues, sipas tyre, ka të bëjë edhe me sistemin e dobët doganor në Shqipëri. Ligji përcakton që do të jenë tre pika kufitare ku mund të bëhet kalimi i këtyre mbetjeve. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se ky sistem është i brishtë dhe lë hapësira për nxitjen e korrupsionit dhe të kontrabandës së mbetjeve. Vende të tilla si Italia apo Gjermania kanë problem sasitë e krijuara nga mbetjet spitalore dhe ato kimike etj., dhe shikojnë mundësitë për t’i çuar ato në vende që i pranojnë për shkak të varfërisë kundrejt pagesave të larta.
Shoqëria civile thotë se në këto kushte, kur pasiguria e futjes së mbetjeve të rrezikshme është e lartë, do t’i drejtohen Presidentit për t’i kërkuar mosdrekretimin e ligjit. Një ligj i kthyer mbrapsht nga Presidenti do të kërkojë miratimin me 71 vota. E në këto kushte, zgjidhja do të jetë referendumi.
Po cila është përmbatja e këtij ligji?
Ligji i miratuar rikthen të drejtën e importit të mbetjeve jo të rrezikshme në vend. Ai rikthen të drejtat që ka pasur Këshilli i Ministrave, si pjesë e rrjetit të integruar të mbetjeve. Gjithashtu, ligji përcakton autoritetin pranë të cilit depozitohet kërkesa për importin e mbetjeve, si dhe autoritetin që e lëshon këtë akt.
Si pasojë e këtij parashikimi u bënë edhe ndryshimet përkatëse në pjesën taksuese të kundërvajtjeve administrative, me qëllim që mbetjet jo të rrezikshme të mos importohen pa u pajisur me dokumentacionin përkatës që specifikohet në këtë akt.
Ligji parashikon daljen e një vendimi të Këshillit të Ministrave, e ashtuquajtura “lista e gjelbër” ose siç mund të thuhet ndryshe lista e mbetjeve që mund të importohen në Republikën e Shqipërisë. Akti ligjor i miratur ditën e djeshme nga Kuvendi shfuqizon ligjin nr. 156/2013.
Por, përse u kthye sërish ky ligj në tryezat e ligjvënësve, kur qeveria “Rama” pati premtuar se nuk do të kishte më një të tillë.
Strategjia e Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve parashikon ndër të tjera edhe riciklimin e mbetjeve. Në Shqipëri, industria e riciklimit, e cila përfaqësohet nga Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë ka deklaruar se në këtë fushë janë investuar rreth 120 milionë euro dhe janë të punësuar rreth 35.000 punonjës.
Investimet janë përllogaritur, që përveç riciklimit të mbetjeve që gjenerohen në vend, të përfshiheshin edhe një pjesë nga importi. Këto ishin të përcaktuara qartë në dy VKM, që përcaktonin procedurat dhe rregullat, si dhe listën e mbetjeve që lejoheshin, bazuar në listën e BE-së.
Me miratimin e ligjit nr. 156, datë 10.10.2013, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011,” për menaxhimin e integruar të mbetjeve u ndalua importi i mbetjeve, duke arsyetuar se institucionet përkatëse nuk ishin në gjendje të inspektonin dhe kontrollonin cilësinë e mbetjeve. Kjo për mungesë të kapaciteteve dhe laboratorëve përkatës.
Ndalimi i importit solli si pasojë që industria e riciklimit të punonte me 30% të kapacitetit, duke iu shkaktuar dëm ekonomik.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend, nga Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ndryshimet që iu bënë ligjit të ri, konsistonin në:
-Në Republikën e Shqipërisë ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi.
-Në Republikën e Shqipërisë lejohet të importohen vetëm mbetjet e ngurta, jo të rrezikshme, të
listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë
ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga
burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria.
-Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në dy vjet dhe lëshohet nga ministri përgjegjës për Mjedisin. Nisma e re propozon që autorizimi për import mbetjesh do t’u jepet vetëm atyre subjekteve të cilat janë licencuar për ushtrimin e veprimtarisë së riciklimit dhe që posedojnë infrastrukturë riciklimi.
-Transparenca ka qenë një tjetër element që nuk ka funksionuar siç duhet në procesin e importit të mbetjeve dhe për këtë arsye, projektligji parashikon që Këshilli i Ministrave ndër të tjera të miratojë edhe rregullat e transparencës në lidhje me importin e tyre.
-Me qëllim fokusimin dhe forcimin e kapaciteteve dhe logjistikës për mbikëqyrjen e importit të
mbetjeve është parashikuar që procesi i kontrollit dhe zhdoganimit përfundimtar të mbetjeve të
kryhet në jo më shumë se tre pika doganore.
-Forcimi i sanksioneve për personat që importojnë mbetje të rrezikshme apo mbetje të parrezikshme
në kundërshtim me autorizimin e dhënë është një tjetër risi e projektligjit. Gjatë shqyrtimit të projektligjit, Komisioni zhvilloi seanca dëgjimore me grupet e interesit të ricikluesve
dhe me pjesëtarë të shoqërisë civile, shoqata ambientalistësh e ekspertë të ndryshëm të mjedisit.
Në reflektim të shqetësimeve të tyre, Komisioni bëri disa përmirësime:
-ndalimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime incenerimi;
-përcaktimi i rregullave të transparencës në lidhje me importin e lejuar të mbetjeve, të cilat do të
miratohen nga Këshilli i Ministrave;
-forcimi i mbikqyrjes së importit të mbetjeve të lejuara, duke fokusuar kapacitetet teknike e njerëzore vetëm në tre pika doganore; etj.
Ligji i ri i votuar nga Kuvendi sanksionuar edhe masa administrative për çdo person që importon mbetje të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë, sipas nenit 48 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 3.5 – 5 mln lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.