Pas bitcoin dhe etherum duket se dhimbja e kokës për autoritetet që kontrollojnë tregjet po bëhet më e madhe sepse lulëzimi i kriptomonedhave të tjera të pakontrolluara po bëhet gjithmonë e më problematik.
Autoriteti Europian për Letrat me Vlerë bëri me dije në një deklaratë të fundit se janë të shumta kompanitë që bëjnë ofertë fillestare për monedha me të cilat premtohet përfitime nga aksionet, e drejtë votimi apo blerje shërbimesh e produktesh për ata që e disponojnë por nënvizoi se risku është i lartë.
“Autoriteti Europian për Letrat me Vlerë dhe Tregjet (ESMA) ka bërë sot një njoftim për Ofertat Fillestare të Monedhave (ICO), mbi riskun që paraqesin këto monedha për investitorët dhe për rregullat që aplikohen ndaj kompanive të përfshira në në ofertat fillestare të monedhave.
ESMA ka vrojtuar një rritje të shpejtë të kriptomonedhave globalisht dhe në Europë dhe është e shqetësuar se investitorët mund të jenë të painformuar për risqet e larta që marrin përsipër kur investojnë në këto lloj monedhash. Në vijim të kësaj ESMA është e shqetësuar se kompanitë e përfshira në lëshimin e kripotomonedhave mund të mos e ushtrojnë aktivitetin e tyre në përmbushje të plotë të legjislacionit europian për këtë pjesë”
Investitorët
ESMA paralajmëron investitorët për riskun e lartë të humbjes së kapitalit të investuar pasi kriptomonedhat janë investime shumë të rrezikshme dhe me nivel të lartë spekulativ. Çmimi i monedhës ose (xhitonit) zakonisht është ekstremisht i paqëndrueshëm dhe investitorët mund të mos jenë të aftë të paguajnë për një kohë të gjatë.
Një nga risqet kyçe qëndron në faktin që në varësi të mënyrës sesi janë strukturuar, kriptomonedhat mund të jenë jashtë mbulimit të legjislacionit dhe rregullave të Bashkimit Europian dhe në raste të tilla investitorët nuk mund të përfitojnë nga mbrojtja që këto ligje dhe rregulla mundësojnë. Kriptomonedhat janë gjithashtu me risk për mashtrim ose pastrim parash.
Kompanitë
Kur kripromonedhat apo monedhat virtuale kualifikohen si instrumente financiare, ka shumë mundësi që kompanitë e përfshira rregullojnë edhe aktivitetet e investimit, dhe në një rast të tillë ato duhet të plotësojnë kushtet ligjore që lidhen direktivën Prospektit, atë për Tregjet dhe Instrumentet financiare, atë për Fondet Alternative të Menaxhimit të Investimeve dhe direktivën kudër pastrimit të parave.
ESMA nënvizon se kompanitë e përfshira në monedha virtuale duhet të jenë të kujdesshme për mënyrën sesi rregullojnë aktivitetin e tyre. Çdo dështim për të përmbushur rregullat e pranuara do të përbëjë shkelje.
Historiku
Një ICO është një mënyrë inovative për të mbledhur para nga publiku duke përdorur të ashtuquajturat ofertë fillestare xhitoni ose shitje xhitoni. Në një ICO një biznes, individ lëshon një xhiton dhe i vendos ato për shitje në këmbim të parave si euro apo zakonisht monedha virutale si bitcoin ose etherum.
Tiparet dhe qëllimet e xhitonit ose monedhës varen nga oferta fillestare e monedhës.
Disa monedha ose xhitona shërbejnë për të blerë shërbime ose produkte që lëshuesi zhvillon duke i paraprirë me një ofertë fillestare monedhe.
Të tjerët mundësojnë të drejta votimi ose përfitim nga të ardhurat e parashikuara në të ardhmen.
Disa nuk kanë ndo një vlerë të paracaktuar.
Disa të tjera tregtohen dhe mund të shkëmbehen me monedha virtuale në qendra të specializuara për këmbime pas lëshimit.