Janë rreth 31.7 mln euro që janë marrë sërish hua nga qeveria, rreth 15.8 milionë do të dedikuara për kthimin e borxheve të vjetra.
Marrja e borxhit të ri nga ana e qeverisë është shqetësuese për ekspertët. Profesori universitar, Nasir Selimi thotë se qeveria nuk është transparente dhe se nuk ka bërë të ditur se ku do të shkojnë gjysma e këtyre parave.
“Shqetësimi është akoma më i madh kur dihet se qeveria e tanishme, por edhe ajo e kaluar, gjatë viteve të fundit në mënyrë të vazhdueshme e futi vendin në një borxh të madh, duke mos pasur kujdes për efikasitetin edhe racionalitetin e mjeteve të huazuara”,- deklaroi profesori universitar, Nasir Selimi.
Sipas tij, borxhet e marra nga qeveria nuk do të përbënin fakt shqetësues nëse do të përdoreshin për financimin e investimeve kapitale, të cilat pastaj do të ndikonin në zhvillimin ekonomik. Fakt është se borxhi i ri po përdoret për të larë borxhet e vjetra dhe për projekte joproduktive.
“Maqedonia duhet të zvogëlojë borxhin, marrjen e borxheve të këtilla, duhet që ta rrit produktivitetin e punës, të ketë rritje ekonomike, të bëjë reduktimin e shpenzimeve të buxhetit dhe normalisht që edhe të hapë vende të reja të punës, me të cilat do të mund të rrisë aktivitetet ekonomike”,- tha profesori universitar, Nasir Selimi.
LSDM akuzoi ministrin e Financave, Kiril Minovskin, se i ka futur qytetarët në një borxh të ri prej 15 milionë euro dhe paralajmëroi padi penale kundër ministrit Minovski dhe zëvendësministres së Drejtësisë, Biljana Brishkovska.