Menaxhimi i barrës nga biznesi, si? Nëse do të tentonim t’i përgjigjemi pyetjes, natyrshëm do të mbështeteshim në disa pika kyçe që lidhen me riskun dhe suksesin. Një nga këto pika janë detyrimet tatimore dhe menaxhimi i ngarkesës së tyre. Po të nisesh nga analiza e segmenteve të biznesit sipas sektorëve të ekonomisë ku operojnë pjesa më e madhe e bizneseve (tregti dhe shërbime), shikon se shumica e tatimpaguesve shqiptarë ka arritur të menaxhojë detyrimet tatimore që i takojnë (shmangia pa bërë evazion, por edhe evazion) duke arritur të ketë përmasat e fenomenit në historinë a financave publike. Një drejtim tjetër është moszbatimi i legjislacionit fiskal nga shumica e tatimpaguesve, duke devijuar nga modeli i sistemit tatimor europian të vetëdeklarimit të të ardhurave dhe pagesës së tatimeve vullnetarisht, sipas fitimeve reale. Pra, nëse në disa vende fqinje ballkanike dhe europiane perëndimore, sistemi fiskal është eficient, bazuar mbi vullnetin e shumicës së tatimpaguesve për të qenë mbështetës të shtetit të tyre nëpërmjet kontributeve fiskale, në vendin tonë tatimpaguesit, të nisur nga arsyetime të ndryshme, shtetin dhe detyrimet e tyre fiskale si shtetas, i shikojnë si diçka që s’ka të bëjë direkt me botën e tyre.
Përpjekjet në ngushtimin e hendekut tatimor, sipas sektorëve të ekonomisë, kanë lënë për të dëshiruar. Ky hendek tatimor është treguesi plotësues për të analizuar shpërndarjen e barrës tatimore të krahasueshme brenda zonave gjeografike, bashkive dhe shteteve. Kështu, nëse marrim si shembull shoqëritë, që kryejnë aktivitet në sektorin e shërbimeve, përgjithësisht shihet se ato mbartin barrë tatimore më të vogël se sektorët e tjerë të zhvilluar (ndërtim, prodhim). Shpërndarja e barrës tatimore jo në mënyrë të barabartë, vjen më së shumti nga informaliteti, kultura fiskale, mungesa e informacioneve në kohë reale dhe mungesa e zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë. Arsye të tjera ka secili, të cilat ose përfshihen në grupimet më lart, ose janë përvoja reale. Nga një llogaritje e bërë nga qendra AL-Tax për barrën tatimore midis sektorit të shërbimeve dhe sektorit të prodhimeve për vitin 2011, për të njëjtën vlerë qarkullimi, një sipërmarrës në sektorin e shërbimeve fiton afërsisht 21 lekë për çdo 100 lekë të qarkulluar më shumë se sipërmarrësi në sektorin e prodhimeve. Por, edhe pse mund të llogaritet barra tatimore për një tip aktiviteti, madje dhe brenda një dege ekonomie, fitimet neto të saj nuk ndikohen nga kjo. P.sh., në fushën e shërbimeve, megjithëse mund të kemi dy aktivitete shërbimesh, ku njëri kryen shërbim familjar dhe tjetri në njësi, edhe nëse aplikojmë të njëjtën ngarkesë fiskale për vlerë të njëjtë të ardhurash, fitimi i tyre pas taksave nuk do të rezultonte njësoj, pasi marzhet e fitimit të tyre nuk janë njësoj.
Diferencë tjetër në shpërndarjen e barabartë të barrës tatimore (të njëjtat ligje dhe i njëjti administrim) është dhe mosmbajtja e së njëjtës ngarkesë fiskale në varësi të aktivitetit dhe zonës gjeografike ku operohet. Me gjithë lehtësirat tatimore të bëra për sektorët prodhues në vitet e para (në formë ligjore) apo përjashtime tatimore të caktuara më të ulëta në normat e fitimit apo cilësia e shërbimit në këto aktivitete nuk kanë rezultuar të jenë ndikuar nga këto lehtësira. Madje, me raste, lehtësirat tatimore janë keqpërdorur nga bizneset për të abuzuar me to jo për zhvillimin e aktivitetit dhe ekonomisë, që ka synuar të stimulojë qeveria, por për të rritur fitimet e sipërmarrësve. Kështu, të ashtuquajturat “fshatra turistikë” kanë shërbyer më shumë për rritje të fitimeve personale dhe jo në ndihmë të stimulimit ekonomik të zonës gjeografike dhe ekspansionit të sektorit të turizmit. Më tej, po përdorim një shembull aktual për lehtësirat fiskale. Kuvendi miratoi para më shumë se një viti lehtësimin e aktiviteteve të edukimit publik dhe privat nga TVSH-ja. Megjithëse ligji ka hyrë në fuqi, asnjë nga aktivitetet nuk uli çmimin apo të rezultonin (dhe nuk rezultuan) me përmirësim të dukshëm në po të njëjtën masë (20%) që u lehtësuan në aktivitetin e tyre. Përkundrazi, të ardhurat që buxheti heq nga “goja” e vet, për të stimuluar biznesin, nuk rezultojnë me kundërpërgjigjen e pritshme. Një lehtësi e ngjashme në disa vende të Europës, kur është aplikuar e njëjta skemë nxitëse e politikës fiskale në favor të komunitetit dhe në dëm të barazisë në taksim ka dhënë efektet e pritshme.
Në fund të fundit, pagesa e taksave është çmimi që ne u ofrojmë partnerëve europianë, për të blerë qytetërimin e tyre. Epo, nëse jeni dhe ju dakord, qytetërimi me çmim të ulët nuk vlen, pasi dihet nga të gjithë çfarë cilësie do të merrnim atëherë.
Qendra AL-Tax
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.